28 apo 29 nëntori si tregti të vdekurish

Gjergj Erebara

Një luftë përfundon kur nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi, apo paqeje. Dita e Fitores në Europë është 8 maji sepse Aleatët Perëndimorë këtë ditë pranuan aktin e dorëzimit më datë 7. Bashkimi Sovjetik e pranoi më datë 8 dhe e festoi fitoren me datë 9.

Për Shqipërinë nuk pati ndonjë marrëveshje formale dorëzimi, rrjedhimisht nuk ka datë. Por pati një ditë zyrtare kur thuhet se partizanët morën nën kontroll kryeqytetin si dhe qytetin e Shkodrës. Se kur ndodhi kjo, është çështje debati të vazhdueshëm. Por nuk mund të pretendojë kush se është një debat historik. Ai është kryekëput një debat ideologjik.

Foto: Ceremonia zyrtare me foton e diktatorit ne sfond. Facebook

Foto: Ceremonia zyrtare me foton e diktatorit ne sfond. Facebook

Në këtë debat duket se nuk ka kurrfarë rëndësie nëse gjermani i fundit iku më 28 apo 29. Dokumentet historike janë të një rëndësie të dorës së dytë. Ato duhet të shfaqen apo të zhduken vetëm në varësi të argumentuesit. Një dokument i fundit, i zbuluar në You Tube (http://youtu.be/anJgZ8WtyUI), një dokumentar filmik amerikan i shfaqur në fillim të vitit 1945, thotë se parada e çlirimit në Tiranë u mbajt më 28 nëntor.

Kishte kuptim! Tirana qe çliruar dhjetë ditë më parë dhe festa kombëtare u përdor nga qeveria e vetëshpallur komuniste si dita e hyrjes në Tiranë. Nga viti 1953, me dekretin nr. 1600 duket se u vendos që Dita e Çlirimit të festohej më 29 nëntor. Qeveria post-komuniste (nuk ma mban goja ta quaj demokratike), vendosi më 1992 ta heqë si ditë festive datën 29. Ata e hoqën totalisht. Ligji 7491 nuk njeh ditë çlirimi. Megjithëse debati qe sikur po bashkohej me Ditën e Pavarësisë, fakti qe që ligji i 1992 e zhduku ditën e Çlirimit, nuk e përmendi fare. Për Partinë Socialiste kjo dukej aq e patolerueshme, nga një nga punët e para që bëri kur mori pushtetin më 1997, në 30 tetor, ngriti kartonat në kuvend dhe e riktheu si festë zyrtare. Cicmicet e dokumenteve historike nuk kanë kurrfarë rëndësie.

Rëndësia qëndron te fakti se disa duan që Dita e Çlirimit të jetë e ndarë nga Dita e Pavarësisë pasi parapëlqejnë të gjejnë rrënjët e veta politike në këtë datë ndërsa disa të tjerë duan t’ia ulin rëndësinë kësaj ngjarjeje duke e bashkuar me Ditën e Pavarësisë e rrjedhimisht për ta vënë nën hijen e themeluesve të vendit, ose mundësisht duke refuzuar që vendi të ketë një ditë çlirimi nga pushtimi nazi-fashist.

Pra kemi një narrativë historike që si zakonisht përdoret për të justifikuar ekzistencën e një pushteti të sotëm. Vjedhja e historisë ndodh shpesh dhe gjithmonë në dëm të popullit. Nuk duhet që ndokush të iluzionojë veten duke menduar se politikanët kanë ndonjë respekt për ngjarjet. Ata janë tregtarë shpirtrash të vdekur.

Disa kohë më parë, më ra të flisja me një nga familjet e viktimave të ekzekutimeve pa gjyq të qeverisë kuislinge natën e 4 shkurtit 1944. Qe një akt me të vërtetë terrorist. Njerëzit e dyshuar si komunistë, me ose pa fakte, u ekzekutuan pa gjyq. Por u habita kur mësova se një nga të vrarët e asaj nate është edhe sot e kësaj dite pa varr. Mos qe ndonjë lajthitje? Qeveria komuniste justifikoi sundimin e vet 50 vjeçar në vend në bazë të heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës AntiFashiste, atyre të rinjve që u vranë, por duket se kurrë nuk u lodh të kërkonte varret e tyre, t’i jepte  një varr dinjitoz. Dukshëm, interesi i politikanëve të asaj kohe, si dhe i atyre të sotmëve, është që të shfrytëzojnë viktimat. Por ndjehen shumë të bezdisur nga ideja se duhet të bëjnë ndonjë punë më konkrete se kaq, si psh, të gjejnë varret. E njëjta gjë po na ndodh tani me Partinë Demokratike, e cila ka thirrur protesta për shfaqjen e portretit të diktatorit Enver Hoxha në ceremoninë e 29 nëntorit. Shfaqja e portretit të diktatorit është para së gjithash mungesë respekti për ata të rinj që u vranë në luftë, si dhe për mijëra të tjerë që luftuan, por nuk morën pushtet pas lufte. Problemi është që partia që ka sunduar këtë vend në 14 nga 21 vitet e fundit, duke përdorur si justifikim të sundimit të saj mijëra viktima të komunizmit, nuk është interesuar për asgjë tjetër veç kësaj tregtie me të vdekur e me vuajtje. Përgjatë të gjithë kohës që qeverisi nuk e mori mundimin të lëvizë një gisht për të gjetur varret e të ekzekutuarve apo për të zbardhur fatin e të zhdukurve. Njësoj si të ekzekutuarit e 4 shkurtit 1944, ashtu edhe të ekzekutuarit e komunizmit mbeten një lëndë e parë propagandistike e uzurpuesve të historisë, të cilët nuk kanë kurrfarë respekti për ta.

Vuajtjet e atyre mijëra të rinjve që u vranë në luftë, qofshin heronj, qofshin viktima joluftuese, meritojnë të nderohen me një ditë përkujtimore. Nuk ka rëndësi se kur iku gjermani i fundit. Por është shumë e rëndësishme që ne shqiptarët, t’i themi JO! tregtisë me të vdekur, cilido qoftë uzurpuesi që dëshiron të na shesë vuajtjet e të tjerëve si vuajtje të vetat apo si justifikim për pushtetin që kanë sot.

You may also like...