Wikileaks: Shqipëria humbi miliona dollarë nga korrupsioni

Mosplotësimi i kushteve të Sfidës së Mijëvjeçarit zvogëloi përfitimet potenciale

Gjergj Erebara

Një kabllogramë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që u publikua nga Wikileaks, bën të ditur se korrupsioni masiv mund t’i ketë hequr vendit tonë shancin për përfitimin e qindramilionë dollarëve grante nga Fondi i Sfidës së Mijëvjeçarit.

Vende të tjera me stad zhvillimor të ngjashëm me Shqipërinë si Moldavia, Armenia apo Gjeorgjia përfituan 200-300 milionë dollarë ndihma amerikane për shkak se plotësonin kushtet.

Përgjatë dy dekadave të fundit, që nga rënia e Komunizmit, Shqipëria ka qenë një nga vendet që kanë përfituar më shumë ndihma amerikane për frymë se sa vendet e tjera të Europës Lindore. Por problemet me korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes, opozitës, drejtësisë e parlamentit, si dhe kapacitetet e dobëta të qeverisë për të menaxhuar fondet e ndihmës, bënë që zyrtarët amerikanë të mos japin grante të mëdha për shkak të frikës se paratë e taksapaguesve amerikanë do të keqpërdoreshin.

Në 13 nëntor të vitit 2009, një raport nga Ambasadori i SHBA-së në Tiranë John L Withers paralajmëron bordin drejtues të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit që megjithëse Shqipëria teknikisht qe klasifikuar si vend që i përmbush kushtet e kompaktit, ambasada kishte rezerva të mëdha mbi faktin nëse Tirana do të qe në gjendje të menaxhonte siç duhet fonde të këtyre përmasave.

“Fakti i qartë, gjithsesi, është që korrupsioni në Shqipëri mbetet masiv dhe prek të gjitha nivelet e qeverisjes dhe shoqërisë,” – shkroi Withers.

“Megjithëse përndjekja dhe dënimi i të korruptuarve, përgjithësisht në nivelin e zyrtarëve të ulët, është rritur në një apo dy vitet e fundit, vendi gjendet sërish në një atmosferë shtypëse mosndëshkimi,” – shton Withers.

Raporti sekret është një nga qindra komunikimet konfidenciale të diplomacisë amerikane që ranë në duart e piratëve të kompjuterëve, të cilët i publikuan në faqen e internetit Wikileaks.org. Raportet e përgatitura nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë u publikuan fundjavën e kaluar.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit është një zyrë e SHBA-ve krijuar nga ish-presidenti George W. Bush në vitin 2004. Vende të ndryshme të varfra mund të përfitojnë fonde falas për zhvillimin e tyre në rast se plotësojnë disa kushte, të përmbledhura në 17 indikatorë që përgatiten nga qendra të ndryshme studimore apo nga organizatat ndërkombëtare.

Treguesit e Korporatës përfshijnë çështje të ndryshme nga liritë civile, të drejtat politike apo lufta kundër korrupsionit, politikat fiskale e tregtare etj.

Në nëntor të vitit 2009, falë ndihmës së kompanisë lotuese amerikane Patton Bogs, Shqipëria u kualifikua, por thjeshtë sa kaloi pragun përjashtimor në vlerësimin e përgjithshëm, duke u bërë vend kandidat për përfitimin e granteve. Por pavarësisht kësaj, Korporata nuk e ndryshoi statusin e Shqipërisë, ndoshta për shkak të raportit negativ nga ambasada e Tiranës.

Pavarësisht se ambasadori Withers përmendi arrijte të shumta që Shqipëria ka bërë që nga koha e skemave piramidale në vitin 1997, ai kundërshtoi ashpër idenë e përfshirjes së vendit tonë në listën e vendeve përfituese të granteve të mëdha. Dy qenë arsyet për këtë kundërshtim: Korrupsioni masiv dhe kapacitetet e dobëta menaxhuese.

“Ambasada e Tiranës i sugjeron bordit të Korporatës të vlerësojë me kujdes se sa efektive do të jetë programi i ndihmave në një vend me korrupsion endemik,” – shkroi Withers bordit.

“Pa një mekanizëm të ashpër mbikëqyrës, Ambasada nuk është e sigurtë që një pjesë e mirë e fondeve të taksapaguesve Amerikanë nuk do të përfundojnë në duar ilegale apo të gabuara,” shtoi ai.

Ëithers nënvijëzon se disponon prova gjithnjë e më të shumta dhe të besueshme që familja e kryeministrit, zyrtarët më të lartë të opozitës dhe një numër i madh deputetësh marrin pjesë në akte korruptive të shkallës së gjerë.

Përveç problemeve me korrupsionin, ambasadori Withers nënvijëzoi gjithashtu mungesën e kapaciteteve menaxhuese në Tiranë.

“Aftësia dhe efektiviteti i qeverisë për të buxhetuar, shpenzuar dhe për të kërkuar llogari për fondet e veta mbetet e pamjaftueshme deri në kulm – jo vetëm për shkak të korrupsionit, por edhe për shkak se qeveria nuk disponon ekspertizën dhe strukturat burokratike të nevojshme për të menaxhuar paratë e veta,” – thotë Withers.

Korporata nënshkruan me vendet përfituese dy lloje marrëveshjes: atë të Pragut, dhe atë të Kompaktit. Kompakti i ofrohet vendeve që plotësojnë kriteret më së miri, ndërsa për vedet që arrijnë të përmirësohen, por jo mjaftueshëm, ofrohet paketa e Pragut, në të cilin përfiton grante të vogla.

Korporata i dha Shqipërisë grante Pragu në vitin 2006 dhe 2008, përkatësisht 13.8 dhe 15.7 milionë dollarë. Në shtator 2010, një program tjetër ndihmash të vogla si këto u anulua, pasi opozita dhe qeveria nuk arritën një marrëveshje për të miratuar legjislacionin për krijimin e Gjykatës Administrative.

Pasi ambasadori Withers dërgoi raportin e tij në vitin 2009, Shqipëria nuk u klasifikua si përfituese e Kompaktit, megjithëse ambasada pranon se kriteret teknike janë plotësuara. Statusi i vendit Kompakt mund t’i jepte vendit tonë qindramilionë dollarë, të cilat mund të sillnin përmirësim të ndjeshëm ekonomik, nëse përdoreshin mirë. Molvadia përfitoi grante Pragu prej 24.7 milionë dollarësh në vitin 2007, por në vitin 2010, kur arriti statusin Kompakt, përfitoi grante me vlerë 262 milionë dollarë.

Ambasada Amerikane në raportin e saj thotë se faji për këtë gjë i takon të tërësi vetëm qeverisë shqiptare.

“Një Kompakt i plotë për Shqipërinë, së paku në teori, mund të sjellë një moment të mirë kthese në Shqipëri në luftën kundër varfërisë dhe zhvillimin ekonomik, – por kjo mund të arrihet vetëm në rast se programi administrohet siç duhet, një gjë shumë e dyshimtë në Shqipërinë e sotme,” – konkludon Withers.

Grantet Kompakt dhe Prag të Korporatës

Shqipëria Grant Pragu $13,850,000
Shqipëria Grant Pragu faza II $15,731,000
Armenia Kompakt $235,650,000
Gjeorgjia Kompakt $395,300,000
Moldavia Kompakt $262,000,000
Moldavia Grant Pragu $24,700,000

Burimi: Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit

Shqipëria dhe programi i Sfidës së Mijëvjeçarit

Korporata: Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit është një agjenci amerikane që synon të ndihmojë zhvillimin e vendeve të varfra, aleate në luftën kundër terrorizmit

Kualifikimi: Në vitin 2006, Shqipëria u cilësua si vend që ka bërë përpjekje për përmirësim dhe për këtë arsye iu dhanë grante të vogla në rendin e 10-20 milionë dollarëve në vit

Faza e dytë: Në vitin 2008, qeveria punësoi një kompani lobingu amerikane, e cila arriti ta përmirësojë klasifikimin e Shqipërisë në terma teknikë, por lobingu ndryshoi vetëm fytyrën

Kundërshtimi: Ambasada e SHBA-ve në Tiranë raportoi pranë Korporatës dhe sugjeroi që Shqipëria të mos përfitonte grante Kompakt, për shkak se qeveria, opozita e drejtësia janë të korruptuara

Humbjet: Shqipëria mund të kishte përfituar qindramilionë dollarë falas në rast se do të plotësonte kushtet e luftës kundër korrupsionit dhe aftësisë menaxhuese të programit të ndihmës

You may also like...