50 kravatat dhe 15 kostumet e kryeministrit

Në raportin e Levizjes Mjaft! për arritjet e qeverisë theksohej se njëra nga arritjet ishte ulja me rreth 40 000 lekë të taksave për rrogëtarët e vegjël deri në 150 000 lekë në muaj. Një vëzhgim i kryer nga Bleta Shqiptare ka arritur në përfundimin se kryeministri shqiptar Edi Rama në këto njëqind e pesëdhjetë ditë qeverisje ka sfilatuar 50 kravata dhe 15 kostume me tre pjesë.

Ka të dhëna se një pjesë e gardërobës së kryeministrit blihet në Paris, në Bulevardin Hosman (në foto Galeria Lafajet). Duke marrë mesataren e cmimeve në distriktin e modës së Parisit, si dhe shijen e hollë artistike të Ramës, mesatarja konservatore për kravatë del rreth 80 Euro. Ndërsa kostumet me tre pjesë (xhaketë, pantallona dhe jelek) duke marrë parasysh edhe prirjen e Ramës për të mos veshur gjëra të zakonshme shkojnë mesatarisht tek 2000 euro copa. Duke bërë llogarinë i bie që kryeministri ynë të ketë harxhuar 34 000 Euro për veshmbathjen e nevojshme zyrtare në këto 150 ditë të para të qeverisjes. Me këtë ritëm i bie që në katër vjet ai të harxhojë rreth 80 000 Euro në vit dhe një total prej 400 000 Eurosh në katër vjet. Këto blerje të shtrenjta duket se janë justifikimi se pse Rama ka deklaruar vetëm 3000 Euro të kursyera në vit. Gjithashtu, është e ditur se nga opozita preferohen më tepër moda dhe veshjet italiane, me përjashtim të Sali Berishës i cili ka preferencë të vjetër për Francën. Dihet se edhe Enver Hoxha vishej e mbathej në Francë. Një tjetër që bën përjashtim tek opozita është Fatmir Mediu i cili ka për zemër modën e Teksasit. I vetmi që nuk tregon se ku i blen rrobat luksoze nga opozitarët është Ridvan Bode, i cili kur pyetet thotë gjithmonë “nuk ka leka”. Pyetja që ne i shtrojmë organizatës Mjaft! është sa kravata dhe sa kostume të tilla i sigurojnë qytetarit të thjeshtë përfitimet nga reformat e qeverisë? Një tjetër pyetje interesante do ishte me sa kostume, kravata apo ndonjë kombinacion mes të dyve mbushet gropa e buxhetit të shtetit?

You may also like...