A thua nuk i del a?

1779735_10151920634813061_704861428_nSi ndodhi që një monopol kapitalisto majtist na shkaktoi protestën e parë në histori në Krrabë

Ditari i së Shtunës

Siç ndodh rëndom në realitetin shqiptar, një spektakël i është ofruar popullit me greva false faturinosh të transportit urban privat, kërkesa për ta bërë biletën 70 lekë për udhëtim është hedhur prej kohësh dhe dukshëm zyrtarët e Ministrisë së Transportit janë duke kryer bisedime sekrete për ta bërë bileten 50 lekë.

Spektakli është i gjithanshëm. Shqiptarëve u thuhet se të gjitha kostot rriten, rrjedhimisht edhe bileta e autobusit duhet të rritet. Por zyrtarët nuk marrin mundimin të na shpjegojnë se sa qenka kostoja e shërbimit të transportit urban në Tiranë, e sa është norma e fitimit, sa është rritur kostoja gjatë këtyre viteve e detaje të tjera dhe pse u dashka rritur çmimi i biletës.

Kjo sjellje predatore po i zemëron shqiptarët. Për herë të parë ndoshta në një shekull, në Krrabë fshatarët dolën në protestë. Ata kërkojnë që në fakt, bileta të ulet, jo të rritet.

Ne nuk e dimë se sa është kostoja e sa janë fitimet e transportit urban. Por ne dimë nga terreni që autobusët janë të mbipopulluar dhe gjithmonë plot, dhe se ky biznes është fitim i sigurtë. Dimë vetëm se nëpër autobuzë bëhet nami duke hipur nga 100 vetë njëkohësisht, vdes vape në verë e ngrohesh me njëri-tjetrin në dimër etj. Mbingarkesa me njerëz e ka bërë autobusin vendin më të parapëlqyer të punës për hajdutët e xhepave.

Por dimë se në linjën Tiranë-Durrës, ku ka konkurrencë dhe 40 kilometra rrugë ofrohen për 100 lekë. E njëjta gjë ndodh me linjën Tiranë-Elbasan, afërsisht 40 kilometra ofrohen për 150 lekë. Dmth me një kosto mesatare prej 4 lekësh për kilometër autobuzët në linjat e tregut të lirë ofrojnë çmim shumë herë më të ulët se sa monopolet e transportit urban.

Një autobus urban në Tiranë, merr 50 vetë fjala vjen, te Farmacia 10, për t’i sjellë te rruga e Elbasanit, as 2 kilometra larg, për 30 lekë, me një xhiro prej 1,500 lekësh për më pak se 10 minuta punë. Një taksist me makinën e tij harxhon po kaq kohë për të fituar, 300 apo 400 lekë, dhe i del për të paguar edhe milionat e korrupsionit për të fituar licencën si taksist. Sikur autobusi të harxhojë 30 litra naftë për 100 kilometra, këto dy kilometra i kushtojnë as 100 lekë. Kushdo që është marrë me çfarëdolloj tregtie në këtë qytet e di se leverdia është e bollshme.

Tani, historia është që dhënia te privatët e linjave të transportit urban të Tiranës ndodhi dhjetë vjet të shkuara, gjoja me tender. Shërbimi nuk u mbikëqyr kurrë. Ndonjë herë dolën ankesa në media për mbingarkesën e autobuzëve, për mungesën e qëllimtë të kondicionimit etj. Linjat e shërbimit nuk e morën mundimin kurrë të mbajnë autobuzë në orët pa ngarkesë, si orët e natës.

Tani, skema e lehtë është kërkesa për biletë 70 lekë për të marrë një çmim bilete prej 50 lekë. Në një qytet ku paga e punëtorit të pakualifikuar është 700 lekë, kostoja e biletës vajtje-ardhje i bie t’i marrë mbi 14 për qind të pagës ditore.

Tani, nëse të ashtuquajturit pronarë të linjave të transportit urban kërkojnë rritje çmimi dhe ministria e Transportit, që teorikisht duhet të mbrojë interesat e qytetarëve, së paku të zbatojnë minimumin e transparencës, të publikojnë bilancet e kompanive, të vlerësojë kostot, të publikojnë vlerësimin e kostove dhe në fund, para se të rrisin çmimin, të hapin një garë tjetër, ku kandidatët për të marrë shërbimin e transportit publik së paku të konkurrojnë. Nëse pronarëve aktualë nuk i del të ofrojnë shërbim me 30 lekë, ka gjasa që ndonjë tjetri do t’i dalë ta ofrojë edhe më lirë.

Historia e transportit urban është edhe një simbolikë e fuqishme e të ashtuquajturit kapitalizëm shqiptar. Një kapitalizëm që funksionon vetëm në linja monopol apo oligopol, që ka nën kontroll shtetin dhe që luan njëkohësisht edhe rolin e pronarit, edhe ta të sindikalistit, edhe rregullatorin edhe vendimmarrësin.

You may also like...