Aktet normative si shprehje e vullnetit të unit

Gjergj Erebara

Herën e parë që dëgjova për ekzistencën e Aktit Normativ qe herët në vitet 2000. Disa muaj para se të mësoja emrin e këtij akti, pata takuar një punonjës të administratës tatimore. Punonjësi më pati shpjeguar se me asistencë të BE-së Shqipëria kishte miratuar një ligj. Ligji Për Policinë Financiare unifikonte luftën kundër krimit ekonomik në një institucion të vetëm me detyrë për të identifikuar mashtrimet e rëndomta fiskale si dhe luftën kundër pastrimit të parave, duke krijuar një sistem të kontrollit të origjinës së parave të përdorura për blerjen e pronave të tundshme e të patundshme.

Shkurt, qe një ligj i kopsitur mirë. Shumë ekspertë prisnin që ai të hynte në fuqi. Pastaj, qeveria njoftoi se kishte marrë një akt normativ. Në prill 2001, qeveria miratoi aktin normativ për shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të këtij ligji për në vitin 2002. Më vonë ligji u shty edhe një herë dhe përfundimisht u shfuqizua në vitin 2003. Nuk po them se ky ligji për policinë financiare qe një shkop magjik, por gjithsesi ai krijonte një institucion me fuqi për të hetuar të gjithë zinxhirin e krimit financiar, nga, fjala vjen, doganat, te tatimet e deri te përdorimi i produkteve të krimit.

Siç u mësua më vonë, akti normativ qe një e drejtë e qeverisë dhënë me kushtetutën e vitit 1998 për të bërë ligje jashtë rrugës parlamentare në kushtet e emergjencave kombëtare. Se çfarë nënkuptohet me fjalën emergjencë, kushtetuta nuk ta shpjegon. Logjika formale të çon të mendosh se bëhet fjalë për ngjarje të papritura dhe të paparashikueshme, si fjala vjen, tërmet, luftë, përmbytje. Ky nuk është premtimi që i dhanë qeveritë. Socialistët dhe më pas demokratët dhe tashmë sërish socialistët, e përdorën këtë hapësirë kushtetuese për çfarë t’u tekej.

Por përse qeveritarët tanë të nderuar zgjedhin këtë rrugë? Në fund të fundit, qeveria ka gjithmonë maxhorancën parlamentare të sistemin tonë qeverisës. Për çfarëdolloj ligji, kartonat janë. Por Aktet normative kanë ca “të mira” të tjera.

Me aktin normative qeveria merr fuqi t’i paraprijë parlamentit. Ato hyjnë në fuqi menjëherë dhe jo pas publikimit në fletoren zyrtare si zakonisht. Por më e rëndësishmja, ato miratohen në parlament pa debat. Qeveria nuk ka nevojë të japë shpjegime e t’u përgjigjet deputetëve se çfarë po bën. Shkurt, ajo çfarë qeveritarët tanë dëshirojnë të bëjnë me anë të akteve normative është që të bëjnë punët e veta fshehtazi, pa i lënë kohë publikut të gjerë të marrë vesh se çfarë po ndodh.  Berisha psh, me fiksimin e tij për statistika ekonomike kot, merrte akte normative për të rishikuar buxhetin e shtetit.

Pra kemi dy të këqija: e para, qeveria merr fuqitë e parlamentit rast e pa rast, gjë që nuk i takon. Tregohet përbuzje për procedurat parlamentare, të cilat për demokracinë janë më të rëndësishme se sa vetë votimi në parlament.

E dyta: Ligjet e ndryshme hiqen qafe fshehtazi. Publiku i gjerë konsiderohet si një dele që nuk ka nevojë të informohet se çfarë po bën qeveria.

Nuk kam ndonjë interes të veçantë për aktin normativ të fundit për shtyrjen e zbatimit të ligjit për Nëpunësin Civil. Por është fakt se sa herë që qeveria vepron me akt normativ, aq herë ka diçka për të fshehur. Vras mendjen se nëse qeveritarët tanë janë të gatshëm të konsiderojnë emergjencë kombëtare çdo shqetësim politik të vetin, çfarë fuqish do t’i japin vetes në rastet e emergjencave të vërteta kombëtare?

 

 

Neni 101 i Kushtetutës

Akti Normativ me fuqi ligji

Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.

 

You may also like...