Aktivistët i kërkojnë presidentit Nishani të kthejë ligjin e Legalizimeve

Foto kortezi: Elton Baxhaku

Foto kortezi: Elton Baxhaku

Një grup aktivistësh i dorëzuan sot presidentit të Republikës z. Bujar Nishani një peticion me 6 mijë firma duke i kërkuar të kthejë për diskutim në parlament ligjin e miratuar sëfundmi për Legalizimin e ndërtimeve pa leje, me arsyetimin se ky ligj nuk i ofron mbrojtje vendbanimeve të më të varfërve.

“Ligji aktual i miratuar në parlament nuk ofron mbrojtje ligjore për banesat në formën e barrakave ku jetojnë rreth 1,500 familje të komunitetit Rom dhe Egjiptian si dhe nuk jep garanci për të gjitha ato shtëpi që nuk legalizohen nga ligji aktual,” deklaroi Xhekson Çela, aktivist.

Ligji aktual për legalizimet lejon legalizimin e ndërtimeve pa leje të ndërtuara me beton ose me tulla si dhe lejon pronarët e ndërtimeve të fitojnë pronësinë e tokës poshtë ndërtesave, ndërsa sanksionon se ndërtimet që nuk përfitojnë nga ky ligj trajtohen si ndërtime pa leje dhe shemben.

Aktivistët romë dhe egjiptianë si dhe aktivistët e të drejtave të njeriut kërkojnë që familjeve të varfra që nuk kanë patur mundësi të ndërtojnë shtëpi të qëndrueshme t’u jepet mbrojtje ligjore nga shembjet apo shpërnguljet e dhunshme, gjë që ka ndodhur shpesh në të shkuarën, sa herë që vendbanime të tilla kanë qëlluar në zona me perspektivë për ndërtimin e pallateve.

Zyrtarë të Presidencës pranuan të protokollojnë kërkesën dhe peticionin, por refuzuan kërkesën e aktivistëve romë dhe egjiptianë për një takim me Presidentin për të shprehur shqetësimin e tyre. Sipas aktivistes Brisilda Taço, punonjësit e presidencës me të cilën komunikuan, premtuan se do ta kalojnë peticionin e tyre në vëmendjen e presidentit dhe do të japin një përgjigje brenda dy ditëve të ardhëshme.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, presidenti ka të drejtë të rikthejë një ligj në parlament vetëm një herë brenda 20 ditëve nga data e miratimit të tij nga Kuvendi. Në rast se ligji kthehet për diskutim, Kuvendi ka të drejtë të marrë parasysh vërejtjet e Presidentit ose t’i rrëzojë ato.

Ligji 9482 i ndryshuar më 15 maj 2014 parashikon mes të tjerash edhe shembjen e ndërtimeve pa leje në të gjitha rastet kur ato gjenden në zona ku ka plan urbanistik për ndërtime mbi gjashtë kate, legalizimin përmes faljes së tokës në të gjitha rastet kur ndërtimet pa leje janë në zona nën pronësi publike si dhe legalizim përkundrejt çmimit të tokës të përcaktuar nga qeveria për të gjitha ndërtimet pa leje mbi tokë në pronësi private.

You may also like...