Analisti sipas Çabejt

Shkolla e Natës

analist m. “ai që, kundrejt një shpërblimi, kallzon problemet e shoqërisë në një studjo televizive”; analistikë f. “puna e analistit”. “anal” mb. “fokusi i punës së analistit” G. Wolff fq.143, konceptin e analistit e lë të pashpjeguar. Në një trajtesë të rrallë në gegnisht, K.Kristoforidhi, fq. 212 me të drejtë e shpjegon analistin si “ai apo ajo që del para publikut e ia ban kundërshtarit ftyrën si kpuca” apo “merr këpucë për të mbaruar ndonjë punë të mirë”, duke e lidhur kësisoj analistin me me fjalën këpucë.

Ky mendim gjen vërtetim në këtë, që këpucë, sikundër na dëshmon vetë Kristoforidhi, me vështrim të figurshëm shënon shpërblimin që i jepet ndokujt për një shërbim (të keq, ose më shpesh të mirë) që ka bërë, si b. fj. një transaksion financiar të filmuar me kamera të fshehta nga Fiks Fare: ap këpucë, marr këpucë, te Cordignano kpucë a (me metatezë) pkucë “danaro (mancia) che si dà a chi scopre il ladrone”, me lá kpucët “danaro che si prende dall boss (suo padrino), oltre il dovuto come segno (shêj) dell’atto criminale”.

Edhe Gjeçovi (Kanuni i L. Dukagjinit § 1081) “analisti do të két kpucët e veta përmbas të folmevet të zot’t të gjâs së vjedhun a të hupun”, khs. dhe § 1079, 1084, 1085, 1086, 1087. Ky përdorim i këpucë-s është mjaft i moçëm, ai del që te Budi (SC 124, sh. edhe 123, 139): qi për këpucë ō për qishdo tjetër ndēr e pagëtyrë të kësāj jete. Ky kuptim i figurshëm i këpucë-s duhet të ketë dalë nga një përdorim i mirëfilltë e konkret i fjalës.

Ai i ka pasur rrënjët te një zakon i moçëm që jepeshin një palë këpucë si shpërblim për një shërbim të kryer. Pastaj ky shpërblim u kthye në të holla, pas Kanunit të Lekës 1500 grosh për “gjak të hupun”, 1000 për një pushkë, 500 për një kalë etj., e “këpucët” u bënë shprehja simbolike e një shpërblimi të tillë, që Gjeçovi e përkufizoi kaq bukur si “shitje bothe”.

Në këto rrethana shihet se është i padrejtë shpjegimi që jep për fjalën analist G. Castelletti (Studi alb. III-IV 148vv.), duke e nxjerrë atë prej shqipes nga fjala “anësi” “pra njeri që mban anën”, me vështrimin nga “dera e hapun e gjykatës së faktit”. Ky term i së drejtës popullore gjuhësisht nuk është veçse një formë e analistit-it, po me kuptim të ndryshuar. Barazimin e të dy formave e vërteton dhe Sutor, analist – bythq… që ka F.Bardhi. Ndërrimi b: a në rrokje paratheksore asht’i shpeshtë, sidomos në geg. veriore, prej nga ka dalë dhe kapucar; khs. carac, pesleksh, fuks, miqasi.

You may also like...