Antikimikët, prokimikët dhe të fshehtit

893221_10151763032793061_1046828230_oGjergj Erebara

Jam vetëpërmbajtur shumë gjatë kësaj kohe për të mos folur për disa ngjarje përreth zemërimit popullor kundër importimit të armëve kimike dhe përpjekjes së organizatorëve të ndryshëm për të fuqizuar këtë zemërim. Arsyeja është se në fund të fundit, një sherr me akuza brenda të të ashtuquajturës shoqëri civile, nuk është shumë i nevojshëm në këto kohë e duhet të shmanget me aq sa është e mundur të shmanget.

Pas protestës së sotme me skenografi antikimike, por pa kurrfarë qëndrimi antikimik të Partisë Demokratike, e shoh se bëhet e pamundur që gjërat të mos thuhen.

  1. Dallohen tre rryma në lidhje me armët kimike. A) ata që janë kundër armëve kimike dhe pikë. B) atyre që mendojnë se armët kimike nuk janë të rrezikshme për sa kohë qeveria e tyre e dashur nuk preket nga zemërimi publik. C) Atyre që nuk ua ndjen për armët kimike por kanë dëshirë të sulmojnë qeverinë.
  2. Media është e ndarë nëpër këto linja, por ndarjet janë paksa të turbullta. Mediat antiqeveritare janë vënë tërësisht kundër, nuk dihet nëse e ndjejnë me të vërtetë apo e bëjmë si pasojë se janë në grupin C. Me “media antiqeveritare”, e kam fjalën edhe për grupin e mediave të Ilir Metës. Mediat proqeveritare po kanë një konflikt të brendshëm mes zemërimit ndaj armëve kimike dhe dëshirës për të mos dëmtuar qeverinë.
  3. Ndryshe nga sa deklarohet lartë e poshtë, burime të mirinformuara bëjnë të ditur se Ilir Meta është shumë entuziast përballë ndërkombëtarëve për marrjen e armëve kimike.
  4. Ndryshe nga sa duket nëpër sheshe, Partia Demokratike është e tredhur. Nuk ka ndër mend të kundërshtojë armët kimike. Thjeshtë dëshiron që shqiptarët të dëgjojnë sikur po kundërshtojnë.
  5. Çdo shqiptar po përpiqet të organizojë protestë, qoftë duke shkruar statuse në Facebook, qoftë duke koordinuar veprimet e protestës. Një pjesë prej nesh kanë interesa dhe siklete të shumëfishta. Disa janë kundër armëve kimike, por janë edhe kundër qeverisë. Nuk është e lehtë të dallosh nëse janë më shumë kundër qeverisë apo më shumë kundër armëve kimike.
  6. Disa janë kundër armëve kimike, por janë simpatizantë me qeverinë e në fund, kanë frikë se mos kjo puna e armëve kimike sjell rënien e saj. Kur them të qeverisë, e kam fjalën për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. LSI dhe Meta ka një aleancë të dukshme fluide me Partinë Demokratike dhe Bashën dhe po bën çështë e mundur që kostoja politike të rëndojë tërësisht mbi Ramën.
  7. Disa nga protestuesit janë thjeshtë ekzibicionistë. Kërkojnë me çdo kusht të dalin në krye, janë të gatshëm të të fusin edhe ndonjë grusht rrugës.
  8. Disa janë të dypunësuar. Pra janë edhe punonjës bashkie, por edhe protestues.
  9. Por në fund të fundit, ne nuk kemi udhëheqës, e aq struktura të kristalizuara. Kjo do të thotë se çdokush ka të drejtë të protestojë si ta shohë të arsyeshme.
  10. Grupi i antiqeveritarëve, ku përfshihen deputetët antikimikë të opozitës si dhe grupimi AKIHL, po përpiqen të tresin forcën e protestës duke lajmëruar protesta të shumta e çorientuese. Çorientimi nuk po furnizohet vetëm nga ata. Individë dhe grupime të ndryshme po marrin nisma të ndryshme, shumë shpesh të  nisur për mirë, e në më pak raste, të nisur nga ambiciet e ekzibicionizmat. Mirë do qe që të shmangnim krijimin pa fund të eventeve. Shkurt, lajmësi në këtë rast ka po aq rëndësi sa edhe lajmi.
  11. Grupi i antiqeveritarëve nuk e ka të rëndësishme që protestat të jenë siç duhet të jenë. Interesimi i tyre është të bëjnë zhurmë.
  12. Unë personalisht di vetëm një protestë, që do të zhvillohet në datë 12 nëntor, ora 1 e ditës. Çdo njoftim tjetër për protestë në Tiranë, nuk më duket me vend. Për protesta të tjera do të vendosim e do të njoftojmë. Unë personalisht nuk kam ndër mend të dal në protesta të tjera, jo për të injoruar shqiptarët që duan të krijojnë protesta, por se besoj se kemi nevojë për përqendrim forcash.

You may also like...