Arsenali financiar i Perëndimit

download (5)HAROLD JAMES, Project-Syndicate

PRINCETON – Revolucioni në Ukrainë dhe aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia ka krijuar një krizë serioze sigurie në Europë. Por, nëse udhëheqësit Perëndimorë fillojnë të testojnë një lloj të ri lufte financiare, situata mund të bëhet edhe më e rrezikshme.

Një Ukrainë e qëndrueshme, e pasur dhe demokratike mund të jetë një irritues i përhershëm – dhe kritikë – ndaj Federatës Ruse në sklerozë ekonomike të udhëhequr nga autokrati Vladimir Putin. Në mënyrë që të shmanget një rezultat i tillë, Putini po përpiqet që të destabilizojë Ukrainën duke pushtuar Krimenë dhe duke krijuar një konflik etnik në pjesën lindore të vendit.

Në të njëjtën kohë, Putini po përpiqet të fuqizojë joshjen për Rusinë duke dyfishuar pensionet e Krimesë, duke rritur rrogat e 200 mijë punonjësve të sektorit publik në gadishull si dhe duke ndërtuar një infrastrukturë të stërmadhe të stilit të Soçit, përfshirë një urë 3 miliardë dollarëshe për të lidhur Rusinë me Gadishullin në Ngushticën Kerç. Qëndrueshmëria afatgjatë e kësaj strategjie është e dyshimtë, duke marrë parasysh barrën që do të vendosë ajo mbi financat publike të Rusisë. Por gjithsesi ajo do t’i shërbejë objektivave të Putinit për të projektuar ndikimin e Rusisë.

Nga ana e tyre, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë dëshirë për ndërhyrje ushtarake për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Por protestat verbale do ta bëjnë Perëndimin të duket qesharak dhe inefektiv përballë pjesës tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, gjë që në fund do të sjellin krijimin dhe rritjen e shumëllojshme të sfidave të sigurisë. Kjo i lë fuqitë Perëndimore me vetëm një opsion: të nisin një luftë financiare kundër Rusisë.

Siç e zbuloi një ish-zyrtar i Thesarit të SHBA-ve, Juan Zarate, në librin e vet me kujtime Lufta e Thesarit, SHBA-të kanë kaluar dekadën pas 11 shtatorit 2001 duke zhvilluar një set të ri armësh financiare për t’i përdorur kundër armiqve të Amerikës – fillimisht Al Kaedës e pastaj, Koresë së Veriut e Iranit ndërsa tani, kundër Rusisë. Këto armë përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe bllokimin e bankave të batakçinjve nga aksesi te financat ndërkombëtare.

Kur revolucioni i Ukrainës filloi, sistemi bankar Rus sakaq qe tepër i zgjeruar dhe i dobët. Por situata u bë shumë më keq me rrëzimin e presidentit të Ukrainës Viktor Janukoviç dhe aneksimin e Krimesë, gjë që solli një panik në tregjet e aksioneve që dobësuan ekonominë e Rusisë në mënyrë të konsiderueshme dhe shterruan asetet e oligarkëve të fuqishëm rusë.

Në një sistem të kapitalizmit klientelist, kërcënimi i pasurisë së elitës qeverisëse gërryen me shpejtësi besnikërinë ndaj regjimit. Për elitën e korrupsuar, ka një pikë kthese përtej së cilës opozita siguron një mbrojtje më të mirë për pasurinë dhe pushtetin e tyre – një pikë që u arrit në Ukrainë në kohën kur protesta në Maidan fitoi fuqinë.

Fjalimet publike të Putinit zbuluan bindjen e tij se BE dhe SHBA nuk mundet të jenë seriozë në kërcënimet e tyre me luftë financiare, e cila, në këndvështrimin e tij, do të dëmtojë në fund tregjet e tyre shumë komplekse dhe të ndërlidhura financiare, më shumë se sa sistemin financiar rus, i cili është relativisht i izoluar. Në fund të fundit, lidhja mes integrimin financiar dhe vulnerabilitetit qe leksioni kryesor që u mësua nga kolapsi i bankës amerikane të investimeve Lehman Brothers më 2008.

Në fakt, Lehman qe një institucion i vogël në krahasim me bankat austriake, franceze e gjermane që janë bërë shumë të ekspozuara ndaj sistemit financiar të Rusisë përmes praktikës së përdorimit të depozitave nga kompanitë dhe individët rusë për të kredituar borxhmarrësit rusë. Duke parë këtë, ngrirja e aseteve të Rusisë mund të jetë katastrofike për Europën, madje edhe për tregjet financiare botërore.

Plani i Putinit për destabilizimin e Ukrainës për rrjedhojë është dydegësh: kalitalizim i armiqësive gjuhësore apo nacionale në Ukrainë për të përshkallëzuar fragmentarizimin shoqëror ndërsa përfiton nga avantazhet e krijuara nga dobësitë financiare Perëndimore dhe veçanërisht Europiane. Në të vërtetë, Putin në disa raste ka parapëlqyer ta paraqisë veten si një njeri për të ardhur keq kundër fuqive të tregjeve financiare.

Gara e armatimeve që i parapritu Luftës së Parë Botërore u shoqërua ekzaktësisht me të njëjtën përzjerje të ngurimit të përdorimit të ushtrisë me urinë për të eksperimentuar me fuqinë e tregjeve. Më 1911, një tekst shkolle i rëndësishëm mbi sistemin financiar të Gjermanisë, nga bankieri veteran Jacob Riesser, paralajmëroi se, “armiku, gjithsesi, mund të përpiqet të përkeqësojë një panik… nga mbledhja e papritur e pretendimeve, përmes një shitjeje të pakufizuar të titujve tonë të brendshëm dhe nga përpjekje të tjera për të ndaluar furnizimin e Gjermanisë me ar. Përpjekjet mund të bëhen gjithashtu për të zhvendosur tregjet tona të kapitalit, të kartëmonedhës dhe titujve dhe për të kërcënuar bazën e sistemit tonë të kreditit dhe pagesave.”

Politikanët filluan të kuptojnë pasojat potenciale të vulnerabilitetit financiar vetëm më 1907, kur ata u përballën me një panik financiar që e pati origjinën në SHBA por që pati pasoja serioze për Europën kontinentale (dhe në disa mënyra, i parapriu Depresionit të Madh). Ajo eksperiencë i mësoi çdo vendi ta bëjë sistemin e vet financiar më të qëndrueshëm për t’u përballur me sulmet potenciale dhe se këto sulme mund të qenë një përgjigje shkatërruese ndaj presionit diplomatik.

Kjo është ekzaktësisht çfarë ndodhi më 1911,  kur një mosmarrëvesëhje mbi kontrollin e Marokut shtyu Francën të organizojë tërheqjen e 200 milionë markave të investuara në Gjermani. Por Gjermania qe e përgatitur dhe ia doli të shmangë sulmin. Në të vërtetë, bankierët gjermanë me krenari vërejtën se kriza e besimit goditi tregun e Parisit shumë më ashpër nga sa u goditën tregjet e Berlinit apo Hamburgut.

Përpjekjet e vendeve për të mbrojtur sistemet e veta financiare shpesh u përqendruan në rritjen e mbikëqurjes bankare dhe, në shumë raste, duke zgjeruar autoritetin e bankave qëndrore duke shtuar funksionin e sigurimit të likujditetit në situata emergjente për institucionet vendëse. Debatet e mëvona mbi reformën financiare në SHBA reflektuan këtë nevojë të domosdoshme, ku disa nga themeluesit e Rezervës Federale theksuan aplikimin ushtarak dhe financiar të termit “rezervë”.

Në të njëjtën kohë, përpjekjet për reformën financiare udhëhiqen nga nocioni se ndërtimi i jastëkëve financiarë do ta bëjë botën më të sigurtë. Ppor ky koncept nxiti besim të tepruar mes atyre përgjegjës për reforma, duke i ndaluar ata të parashikojnë se masat ushtarake do të nevojiteshin së shpejti për të mbrojtur ekonominë. Në të vërtetë, në vend që të bëhej një alternativë ndaj luftës, gara për armatosje financiare e afroi luftën  – siç mund të jetë duke bërë aktualisht me Rusinë.

Read more at http://www.project-syndicate.org/commentary/harold-james-warns-that-eu-and-us-financial-warfare-against-russia-could-lead-to-the-real-thing#PxcB3S0RyyREuz17.99

You may also like...