At Zef Pllumi, Histori Kurrë e Shkrueme

“Atdheu nuk janë malet, fushat e prrojet kot: atdheu asht e drejta jote, familja, nderi yt, puna e djersa jote. Kush nuk des për kto nuk des për kurgja tjetër…”.

 

Tregtari elbasanas Sul Domi i tha këto fjalë kur

komunistët shkuan t’i grabisnin florinjtë më 1945.

Cituar nga At Zef Pllumi, “Histori Kurrë e Shkrueme”

 

Gjergj Erebara

histori-kurre-e-shkrueme-at-zef-pllumiAt Zef Pllumi është para së gjithash i njohur për jetëshkrimin e tij “Rrno vetëm për me tregue”, ku syri dhe veshi i një vëzhguesi të kualifikuar përmbledh më shumë se 70 vjet ngjarje nga historia e Shqipërisë, parë nga këndvështrimi i një njeriu të zakonshëm.

Qe pikërisht kombinimi i cilësisë së vëzhguesit me këndvështrimin modest, atë të djalit të fshatarit që hyn në shkollë për prift, futet në burg për dekada të tëra, bëhet në fund prift i nivelit të ulët dhe raporton për gjithçka pa, që i bën të domosdoshme për t’u lexuar këto kujtime. Kujtimet e vuajtjeve nuk janë gjithmonë të këndshme për t’u lexuar. Por në këtë rast, është një ironi therëse që përshkruan të gjithë historinë, që e bën shumë të lexueshëm këtë libër.

Shqipëria ka histori kujtimesh me bollëk, qoftë cilësore, qoftë dekadente, por këto kujtime janë në shumicën dërrmuese të rasteve nga e ashtuquajtura elitë. Rrjedhimisht në këto kujtime pothuajse gjithmonë mungon ndershmëria. Ky nuk është rasti i At Zef Pllumit.

Pavarësisht se “Rrno vetëm për me tregue” është një kryevepër, mua personalisht më pëlqen më shumë libri i dytë, “Histori kurrë e shkrueme”.

rrno vetem per me tregue at zef pllumi vol 1 3Është një libër më pak i njohur ku përmblidhet pak a shumë, pjesa tjetër e veprës letrare të Af Zef Pllumit. Libri përbëhet nga një kronikë për historinë e Bushatllinjve, familjes së pashallarëve të Shkodrës që qeverisën qytetin për një gjysmë shekulli, dy tregime mbi jetët e shqiptarëve të zakonshëm nën komunizëm, disa intervista dhe disa kujtime për ngjarjet e pas viteve ’90, përfshirë kërkimin për varrin e At Gjergj Fishtës dhe vizitën e Nënë Terezës.

Historia e Bushatllinjve është marrë nga një kronikë që At Zef Pllumi pati gjetur në arkivën e françeskanëve në rininë e vet. Kronika qe shkruar nga një prift katolik italian që shërbeu si mjek pranë Bushatllinjve. Pllumi thotë se e kërkoi kronikën origjinale gjithkund pas viteve ’90, përfshirë edhe Arkivën e Shtetit, por pa sukses. Rrjedhimisht, ai e shkroi kronikën me aq sa mbante mend nga leximi që i kishte bërë origjinalit gjysmë shekulli më parë. Në atë kronikë (ashtu si edhe në pjesën tjetër të veprës së tij) dallohet fryma pozitive ndaj bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjelltë mes katolikëve dhe muslimanëve. Por ajo përmban një histori të përmbledhur të Bushatllinjve shumë të këndshme.

Janë edhe dy tregime në këtë vepër: njëri flet për historinë personale të një pinjolli të familjes Toptani, i cili pati shkuar për studime në Zvicër ku qe njohur me një vajzë dhe qe bërë gati të martohej para se të kthehej në atdhe, ku e zuri ardhja e komunistëve në pushtet. Ai ndërroi mbiemrin, u përpoq të harronte origjinën familjare, punoi si bojaxhi të gjithë jetën dhe pas viteve ’90, në moshë të thyer, arriti të lidhej sërish me shoqen e tij të rinisë.

Tregimi tjetër flet për një vajzë mirditore, të cilën familja e marton me një të çmendur. Arratiset nga familja dhe vjen në Tiranë, ku hyn shërbyese në familjen e një tregtari të pasur. Tregari humbet të gjithë pasurinë me ardhjen e komunistëve dhe i mbylli sytë në një barrakë.

Janë edhe më interesante përshkrimet e At Zef Pllumit mbi vizitat e Nënë Terezës në Tiranë, pak para rënies së komunizmit dhe pas. Mbi jetën e Nënë Terezës janë shkruar shumë gjëra, por janë disa gjëra të pakëndshme, për të cilat ne kemi dëgjuar pak. Marrëdhëniet e saj me Nexhmije Hoxhën përshembull. At Zef Pllumi i përshkruan me detaje të gjitha këto. Nuk është çudi që ai mbeti një prift i nivelit të ulët, pavarësisht se kishte kapacitetin e një kardinali. Duket qartë se ai nuk qe njeri i kompromiseve.

Në muajt e fundit para rënies së komunizmit, ai tregon se si kishte ardhur në Tiranë për të hapur shërbimin kishtar në kishën katolike në lagjen e vjetër të Tiranës. Aty flinte si të mundte dhe hante çfarë të mundte dhe mbante meshë. Një mëngjes, tregon ai, dy gra trokitën në derë. Ai u tha se për meshë duhej të ktheheshin më vonë. Por dy gratë i thanë se ai nuk mund të banonte aty, sepse shtëpinë, Ramiz Alia ia kishte dhuruar Nënës Terezë.

“Ramiz Alia mund t’i dhurojë Nënës Terezë shtëpinë e vet, jo shtëpinë time,” qe përgjigjja e At Zef Pllumit. Dy gratë e pyesin nëse ai e dinte se cila qe Nëna Terezë dhe ai përgjigjet: “Nëna Terezë deri tani është takuar vetëm me komunistët me të gjithë armiqtë e Zotit, nuk ka pyetur kurrë për ne antikomunistët.”

At Zef Pllumi nuk e fsheh as faktin që Nëna Terezë vendosi një tufë me lule në varrin e Enver Hoxhës dhe as një aksident të pakëndshëm politik. Ai tregon se si shqiptarët komentuan pasi panë pamjet e TVSH-së me Nënë Terezën mbi varrin e Enver Hoxhës se Nexhmija ia pati kërkuar për nder Nënës Terezë të vulosë varrin e bashkëshortit sepse ai ngrihej gjatë natës dhe e shqetësonte dhe Nëna Terezë vendosi një medaljon te tufa e luleve. “Natyrisht asgjë e tillë nuk është e vërtetë,” thotë At Zef Pllumi, dukshëm me shqetësimin e një njeriu që kërkon të mos lejojë krijimin e miteve.

Pak më vonë, ai tregon se si para vizitës së Nënës Terezë në Shkodër, prania e tij si ish- i burgosur politik u pa si problem nga regjimi komunist. Dhe Nëna Terezë dukej se nuk e pati problem t’i thotë At Zef Pllumit se ai nuk duhej ta shoqëronte më, sepse “misioni i saj qe për paqen”. At Zef Pllumi ia doli ta bindë që ta shoqëronte, por detaji i shtohet listës së gjatë me kritika që i janë bërë Nënës Terezë si një njeri me nuhatje të fortë të real politikës dhe që për të arritur synimet e saj, nuk e kishte problem të bashkëpunonte me vrasësit, pavarësisht se kjo që mund të kërkonte t’i kthente kurrizin viktimave të komunizmit.

 

Libra të tjerë nga At Zef Pllumi:

Saga e femijnise, Dhete vjet liri

Ut heri dicebamus

You may also like...