Autoritarizmi I Ramës

Xhabyni

Në një shkrim të mëparshëm, atë që fliste për raportin e Opozitës me mazhorancën aktuale, ngrita një hipotezë mbi një kryeministër autoritar dhe nuk e vazhdova më tej qëmtimin e këtij supozimi, duke e marrë për të vërtetë për hir të temës. Në këtë shkrim do përpiqem të argumentoj dy çështje kryesore; së pari përse Rama është autoritar dhe së dyti përse ky autoritarizëm i tij nuk na bën përshtypje.

Për të analizuar autoritarizmin e Ramës në pushtet do të mjaftonte edhe një vështrim i shpejtë i manaxhimit të tij në Bashkinë e Tiranës. Megjithëse kjo analizë, e zhveshur nga efektet pompoze të mediatizimit e gjithaq edhe nga stanjacioni i stafit aktual të bashkisë, mund të na paraqesë një kryetar bashkie më autoritar. Por, ajo që është e shkuar vështirë se mund të ndjellë një arsyetim të qetë dhe të paanshëm mbi figurën politike të kryeministrit, nëse këndvështrimi ama është për veprimet e tij në këto tetë muaj qeverisje atëherë kjo është tjetër gjë. Prandaj, le ta shohim qasjen e tij qeverisëse në këto muajt e tij si kryeministër.

Ajo që të bën përshtypje në këto muaj qeverisje është dëshira e tij për të “ndryshuar” sistemin sipas rregullave të tij. Shembullin më të mirë në këtë mes e jep edhe reforma territoriale ku mundësia për të krijuar një Rama(Meta)mandër është gjithnjë e më shumë probabël (shihni këtë shkrim) kjo për shkak të pushtetit absolut që ato kanë fituar. Këtu në mes mund të lindë një pyetje: “Përse duhet paragjykuar dyshja Rama-Meta në dëshirën e tyre për të krijuar një reformë territoriale që është shumë e rëndësishme për vendin?” Përgjigjen e kësaj pyetjeje të drejtë, por deri diku naive, na e japin 23 vite demokraci ku reformat territoriale janë përkthyer gjithnjë në reforma elektorale (pra në reforma që nxjerrin fitues një parti ndaj një tjetre). E z. Rama është ndër ato politikanë që për pushtetin e tij është ulur në tavolinë edhe me Berishën që të ndërtojë një reformë elektorale në kurriz edhe të kushtetutës. Pra, të mendojmë se tani kjo qeveri po përpiqet që të krijojë një reformë territoriale ku nuk do pret të përfitojë asnjë plus elektoral është një naivitet që së paku historia nuk të lë ta besosh.

Një tjetër element që opozita akuzon mazhorancën është tentativa e saj për të kontrolluar gjykatën (a thua se politika se ka kontrolluar ndonjëherë këtë të fundit). Një shqetësim real, megjithëse e lëshuar nga opozita që nuk është edhe aq e besueshme, i cili gjithashtu ballafaqohet me një tjetër shqetësim real por nga mazhoranca. E cila nge pretendimin se ky sistem aktual ka defekte të mëdha, që nuk mundësojnë ndërtimin e një shteti ligjor, një pretendim që sipas meje është krejtësisht i vërtetë por që ngre një sërë pikëpyetjesh: Nëse këto probleme ishin kaq kardinale atëherë përse ministri Naço edhe LSI-ja nuk i ngritën këto probleme që në kohën kur qenë në mazhorancë me opozitën e sotme? Sa reale do të jetë kjo reformë kur e dimë që z. Meta ka një precedent penal (i akuzuar për abuzim me detyrën) dhe se ishin pikërisht këto gjygjtar edhe ajo gjykatë që e nxorën atë të pafajshëm? Nga ana tjetër, opozita sa e sinqertë është në ankesën e saj ku kryetari i saj aktual ka qenë gjithashtu i akuzuar për abuzim me fondet publike? Një nga përgjigjet për këto pyetje mund të jepet përmes ligjit të Anti-Mafias, i cili përmes disa modifikimeve të rastit mundëson mos hetimin e parlamentarëve.

Të dyja këto më sipër, do i kishin futur tartakutin në palcë, nëse do t’i kishte kryer Berisha (i cili jo pak herë i ka dashur këto të zotëruara) por që kësaj here kur Rama ka dhe mundësinë t’i zotërojë (mundësinë e numrave) e po bën përpjekjet për t’i zotëruar askush nuk flet dhe nuk shqetësohet. Problemi qëndron që reagimi ndaj Berishës autoritar dhe pushtetdashës, jo pak herë nga analistët është shpjeguar në raportin e Berishës me prejardhjen e tij dhe nuk është konceptuar dhe shpjeguar si një problem i sistemit. I mënyrës se si ne jemi përpjekur të ndërtojmë shtet në këto vite demokraci, e akuza ndaj sistemit (ndryshe nga sa mund të mendohet) nuk do të nxjerrë të palarë figurat që e kanë mbështetur dhe ndihmuar ndërtimin e tij. përkundrazi akuza ndaj sistemit do të ndihmojë që të shmangim një degjenerim të mëtejshëm të shtetit dhe shoqërisë. Kështu që, nën frymën e këtij sistemi që është i njëjtë me atë të Berishës, Rama po përpiqet që të uzurpojë me të gjithë mënyrat pushtetet për të krijuar kështu një perandori të tijën që do ta ndajë natyrisht me rivalin dhe aleatin e tij. Megjithëse gjatë intervistës së tij në Hard Talk, kryeministri u përshfaq si dikush që e kuptonte që sistemi ishte problemi themelor armiqësia e tij me të nisi dhe mbeti brenda studiove të emisionit.

Gjatë fjalimit të parë në parlament z. Rama deklaroi se qeveria e tij ishte ajo e detyrave, fjalimi qe në përputhje me deklaratat e tij se Berisha kishte zaptuar televizionet se qeveria e tij qe bërë qeveri makijazhi dhe jo pune. Sot, po ndodh e njëjta situatë, Rama po përpiqet të fshijë ngërçin e shtetit dhe mazhorancës së tij përmes oratorisë dhe retorikës duke mos u qasur fare argumenteve kokëfortë që tregojnë për një vend që është në zgrip të greminës kësaj radhe edhe për faj të mazhorancës aktuale.

Nga ana tjetër fjalimet apologjetë të kryeministrit ndërthuren mjaft mirë me akuzën ndaj të shkuarës dhe ndaj rrezikut eminent që ka qeveria nga e shkuara që sapo u largua por që ama nuk do të largohet. Me ndihmën (e pavetëdijshme mbase?) personazhet e të djeshmes i vijnë në ndihmë pikërisht kësaj akuze duke i dhënë mundësi retorikës së kryeministrit të gjej një aleat të qenësishëm në propagandën e tij se është së paku e keqja më e vogël por ama e domosdoshme. Duke shuar në këtë mënyrë akuzat për sistemin dhe përfshirjen dalë nga dalë të tij në të, e në këtë mënyrë duke na fshehur nën moton e Demostenit se në oratori nuk duhen faktet por vetëm fjalët.

Qeveria e re po përpiqet me mish e me shpirt të shesë detyrat e shtëpisë si lexime jashtë klase. Kështu edhe ajo pamja e Ramës, e kuruar mjaft mirë nga kuratorët dhe e përpunuar mjaft mirë nga retorika gënjeshtare, përshfaqet po njësoj si Berisha nuk tregon gjë tjetër se thjesht kemi ndërruar prezantuesin por ama është e njëjta gjendje. Sikundër dhe deklaratat e tij populiste ku konsumi i vendit është rritur 14% e kështu me radhë, janë tregues se kemi të bëjmë me të njëjtën frymë qeverisjeje.

Kështu që cilido që mendonte se Rama do të ishte kryetari i një qeverie që do të ndryshonte sistemin duhet të kuptojë se ai është thjesht një pjellë e politikan i këtij sistemi. I cili përmes qasjeve sofiste, oratore krijon një makijazh që mbulon thëngjillin e autoritarizmit dhe vazhdimit të rrënimit që ky sistem po i bën të mirës publike dhe private.

You may also like...