Banaliteti i të Keqes më të Vogël

Xhabyni

Ardian Bitraj i futi paratë në mbathjet e tij ndërsa dilte serbes nga vendi më i sigurtë i Shqipërisë (të paktën zyrtarisht) ndërkohë që pak më tej një sekretar i deputetit Kokëdhima kërkonte mbathjet e një 14 vjeçare në këmbim të punësimit të nënës së saj.

Sikur të kufizohej e keqja e këtyre veprimeve vetëm tek vjedhja dhe pedofilia atëherë ngjarjet do të ishin shumë të izoluara. Bitraj do të deklaronte që ka filluar të varet nga lojrat e fatit shumë vonë, do kërkonte mëshirë (që me siguri do ta fitonte) ndërkohë që sekretari pedofil do të na lexonte pak Lolitën e Nabokovit.

Por e keqja është më thellë se sa këto veprime që janë të dënueshme natyrisht. E keqja lëvrohet në të dyja rastet në mendësinë tonë por edhe në logjikën e funksionimit të sendeve dhe sjelljeve në vendin tonë.

Fullanit, nuk duhet të japë dorëheqjen vetëm e vetëm sepse një bastexhi (sipas asaj që dimë gjithnjë) i ka dalë për katër vjet rresh me lekë në brekë nga arka e thesarit. Ai duhet të ndihet fajtor që së paku 10 individë (mes tyre dhe një drejtor që është emëruar prej tij) ishin në dijeni (në një farë mënyre) por nuk reaguan.

Nga ana tjetër Kokdhima nuk është se duhet të largohet nga posti i tij sepse një nga sekretarët e tij ka kërkuar të ulë mbathjet e një minoreneje për ta punësuar. Jo, ai duhet të largohet sepse në dijeninë e tij të plotë (e me bekimin e tij) ky sekretar ka hapur një zyrë pune që emëron në punë shteti personat që heqin brekët.

Pra, një zyrë pune personale. Ku socialistët apo të tjerë duhet të vijnë për tu vëzhguar imtësisht e më pas për tu emëruar në ndonjë dikaster të caktuar. Një deputet i cili ka një zyrë punësimi personal, një sekretar i plotfuqishëm që përdor fjalën e tij për të dërguar emra në Tiranë e kështu për të kryer emërimet e duhura.

E gjithë kjo skemë është banaliteti i të keqes, është thelbi i saj, thelbi i abuzimit dhe ndërtimit të një platforme punësimi që për të thënë të vërtetën nuk është e re në vendin tonë. Siç nuk qe e re pangizmi i Pangos që sot bën leksione morali dhe psikologjie në gazetë fundja.

Kështu, brekët janë vetëm justifikimi i thjeshtë për ta banalizuar të keqen deri në një send apo objekt. Ndaj po të vërenit edhe konferencat për shtyp të Fullanit dhe Kokdhimës, të cilët i bashkojnë brekët, ato u përkujdesën që t’i theksojnë këto tema gjithnjë e më shumë. Por, problemi siç vërejtëm më sipër qëndron diku gjetkë.

E për të hulumtuar deri në fund origjinën e këtij faktori duhet të shkojmë tek refreni i shoqërisë sonë në këto vite tranzicioni (përjashto zgjedhjet e para). Pra, duhet të kthehemi tek e “Keqja më e vogël” e cila i ngjason gjithnjë e më shumë matrioashkave ruse. Kurse ne jemi zbuluesi i tyre plot habi, neveri dhe pështjellim.

You may also like...