Basha, një kryebashkiak fatkeq

Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, duhet të jetë goxha i mërzitur këto kohë. Që nga dita kur mori postin dikur lukrativ të të parit të qytetit më të rëndësishëm të vendit, ka bërë shumë përpjekje për të bërë diçka të madhe, diçka që të mund të zërë hapjen e lajmeve televizive apo titujt e parë të gazetave. Duket se po vuan në këtë drejtim. Lajmet më të bujshme të prodhuara prej dikasterit të tij lidheshin me sistemimin e qendrës së Tiranës në formë linesi, (që pavarësisht formës, qe një punë me të vërtetë për t’u lavdëruar e që na hoqi shumë telashe nga jeta e përditshme pavarësisht mungesës së estetikës), qe lajmi i ndalimit të katundarëve të Baldushkut që t’i shisnin lirshëm gjelat e detit për vit të ri, lajmi që të ndalohen fukarenjtë e hallexhinjtë që shesin rrugëve për bukën e gojës apo disa premtime postelektorale të llojit të hipotekimit të banesave.

Të gjitha këto lajme duken shumë larg bujës së hetimit për rrugën Rëshen-Kalimash, akuzimit të prokurorisë për komplot antikombëtar apo takimet plot insinuata me diplomatë të huaj.

Shkurt, kryebashkiaku ka zënë një post shumë të vockël për të. Në vend që të konsiderohet e ardhmja e ndritur e së djathtës, duhet të merret me gjëra të vogla, të cilat akshe-akshe nuk vlejnë as për njoftim për media.

Tirana këto ditë ka probleme të rënda me rrugët që po mbushen me gropa, kanalizimet e ujërave të zeza etj. Janë punë të rëndomta që nuk kanë duk. Nuk ka më leje ndërtimi të bujshme e të debatueshme si në kohën e Ramës pasi ndërtimi ka marrë fund. Zhvillimet e mëdha të mundshme, si: zgjerimi i rrugëve atje ku kishte hapësirë përmes zvogëlimit të trotuareve, lyerja e fasadave të qytetit, licencimi i kompanive të transportit urban apo shembja spektakolare e ndonjë megakioske, janë të gjitha punë të kryera më parë.

Kryebashkiakut të ri i mbeten shumë pak gjëra të bëjë dhe jo për faj të tij. Por ndërkohë, përpjekjet e tij për të kapur vëmendjen e medias me vogëlsira rrezikojnë ta kthejnë në një figurë qesharake. Dy-tri veprimet e para që bëri, ridizenjimi i sheshit në momentin e fundit sipas qejfit të vet dhe ndryshimi i arredimit të zyrës së kryebashkiakut, mbartin kompleksin Rozafës, i njohur gjerësisht si sindromë kombëtare.

Paraardhësi i tij kishte shansin të bënte diçka të bujshme si dhe shijen e piktorit për të provokuar debat edhe me gjëra të vogla si lyerja e fasadave me ngjyra të ndezura. Kryebashkiaku i ri duhet të hedhë ndonjë grusht asfalt në rrugët që po degradojnë përditë, të gjejë ndonjë strehë për romët e ngujuar te Avokati i Popullit, të mos angazhojë policët të përzënë hallexhinjtë që shesin rrugëve sepse na pëlqen apo jo, nuk ka asnjë mënyrë të heqësh na sytë tanë skamjen e vendit. Kryebashkiakut i ka mbetur në dorë të shkojë me biçikletë në punë për të na dhënë shembullin, por kjo mbetet në varësi të guximit që ai ka. Më e mira që mund të bëjë është të shmangë kompleksin e Rozafës, jo se ajo që bëri Rama është e shkëlqyer, por se zhbërja për inat të tij shkakton asgjë më shumë se përqeshje.

You may also like...