Beni në botën e çudirave

Ngaqë nuk e besoj asfare që Ben Blushi e ka kuptuar sot që nuk jeton në një vend jo të varfër, ndaj edhe më vjen të qesh me mënyrën se si ai përshkruan në formë romantike këto qytetarë të vendit që jetojnë në varfëri. Që kjo varfëri nuk po u jep atyre mundësinë të luftojnë për çështje edhe më të larta në ideale si Liria e Fjalës apo ku e di unë se çfarë.

Xhabyni

Ben Blushi, është një nga ato politikanë që i ka hyrë politikës aktive pasi bëri një farë stazhi në fushën e gazetarisë. Fakti që ai ka një aftësi për të shkruar, e ka shndërruar atë në një politikan me shumë epitete si (Ben): shkrimtari, politikani, politologu, publicisti, analisti, gazetari, mendimtari, kundër pedali në partinë e tij, opozita e mazhorancës e kështu me radhë.

Siç edhe dihet, Blushi është ndër ato deputetë që marrëdhënien me Ramën nuk e ka aspak të mirë, madje nuk e ka patur edhe aq fort të mirë që pas vitit 2009. Vit në të cilin Rama u shkërmoq, nga humbja e zgjedhjeve parlamentare (natyrisht me rregullat që vetë kish pranuar të luante). Që prej asaj kohe, raporti i tij me kreun e qeverisë aktuale është as mish edhe as peshk. Kjo duket edhe në ato fjalime me pikatore (që për besë gazeta i trajton sikur janë fjalime me pesë yje) që ai mban në parlament.

Sot, Ben Blushi i librave të shumtë në formë romani, kish vendosur të ndante me shqiptarët një shkrim mbi varfërinë. Deri më këtu nuk ka asgjë të keqe sepse i takon cilitdo të shkruaj mbi çfarë mendon më të drejtë e të udhës. Por, të shkruaj një deputet e politikan si Blushi një shkrim ku të na cilësohet se “nuk kisha parë Shqipëri më të mjerë, më të varfër, më të pashpresë dhe më depresive.” është qesharake. Sikur autori i radhëve të cituara më lart, të kishte pasur përpjekjen më të vogël (që kam përshtypjen se e ka meqë ka një të shkuar gazetari) të lexojë disa nga shkrimet apo opinionet që qarkullojnë në gazetat periodike të shtypura dhe online, nuk do t’i duhej shumë kohë për të kuptuar se në çfarë Shqipërie të varfër jeton ai dhe kolegët e tij të luksit.

Ngaqë nuk e besoj asfare që Ben Blushi e ka kuptuar sot që nuk jeton në një vend jo të varfër, ndaj edhe më vjen të qesh me mënyrën se si ai përshkruan në formë romantike këto qytetarë të vendit që jetojnë në varfëri. Që kjo varfëri nuk po u jep atyre mundësinë të luftojnë për çështje edhe më të larta në ideale si Liria e Fjalës apo ku e di unë se çfarë.

Gjithashtu, më bëri habi që në rrjetet sociale, shkrimi i tij u shpërnda si një ndriçim masiv. A thua se ne e kuptuam sot se jetojmë në një varfëri?! Jo, kjo më duket një blerje masive e mendimit publik përmes disa aftësive të një të shkuare gazetareske për të shitur një të vërtetë që fare mirë Blushi dhe shumë të tjerë deputetë e dinë. Sepse, në mos gabohem, ka qenë po z. Blushi i cili në emisionet e ndryshme televizive gjatë debateve të fushatës elektorale të vitit 2013 ka shpalosur tezën që “Shqipëria e Saliut qenka e varfër”. A mos vallë e harroi këtë? Të hiqesh sikur sot përballesh me realitetin e një vendi të varfër që është në zgrip të mbijetesës është butaforike.

Përpara disa muajve, shumë të rinj nga vendi jonë iu drejtuan Vlorës sepse qe hapur fjala që Gjermania pranonte për azil politik, qytetarët e vendit tonë. U turrën sa e sa pwr t’ia mbathur nga ky vend… a nuk duhet të ishte kjo një kambanë alarmi për këtë politikan që tani po sheh me sytë e tij varfërinë e tejskajshme të këtij vendi?!

Por,  qoftë e vërtetë kjo që ai nuk e paska ditur se vendi qenka në skamje. Përpara Blushit, që zbuloi këtë varfëri të tejskajshme të vendit tonë, shtrihen dy përgjegjësi. Së pari, ai ose duhet të japë dorëheqjen nga posti i deputetit. Kjo sepse ky varfërim i shqiptarëve nuk ka ardhur as vetëm nga 2 vjeçari i qeverisë Rama edhe madje as vetëm nga 8 vjeçari i qeverisë Berisha. E gjitha kjo ka ardhur nga një sistem grabitqar i ndërtuar vetëm për të përfituar disa politikanë në kurriz të qytetarëve të vendit. Politikanë, që z. Blushi i mbështet në mos me veprime por me heshtjen e tij.

Veprimi i dytë që mund të kryejë, sipas meje, është të tërheqë disa fjalë që kohë më parë Blushi ka drejtuar ndaj Albin Kurtit. Përpara se të vazhdoj me shtjellim e arsyetimit më duhet të sqaroj se unë personalisht nuk jam një fans i madh i Albin Kurtit. Por ama, vlerësoj përpjekjen e tij për t’i qëndruar pranë halleve të atyre qytetarëve të Kosovës, sa do dhe si do jam kundër politikave të Vetëvendosjes.

Tani, javë më parë Ben Blushi ishte ai i cili kundërshtonte protestën e Albin Kurtit në Kosovë. Ndonëse Albini, u doli në ballë protestuesve dhe kërkoi bashkë me to largimin e një qeverie që po i varfëron dhe po i largon kosovarët nga vendi i tyre. Më së paku, z. Blushi duhet të bënte atë që bën Albini. Të dalë aty e të përpiqet të fitojë besimin e qytetarëve për këtë varfëri që politika që ai përfaqëson (flas si parti politike më së shumti) i ka shkaktuar vendit. Por, a po e bën Blushi këtë?!

Po mirë, mund të thotë ndokush nga ato që po e lexojnë këtë shkrim, përse ne gjejmë shumë të vërteta në shkrimin e Blushit dhe nuk duhet ta besojmë atë?! Përgjigja e kësaj pyetje, mendoj, se shtrihet në gjithë këto vite demokraci. Po të vërejmë me kujdes, partitë tona opozitare dhe deputetët e tyre kur janë në opozitë janë gjithnjë të gatshëm të dalin kundër vetë sistemit dhe të thonë disa të vërteta apo edhe shumë të vërteta. Por sapo hipin në pushtet këto të vërteta nuk thuhen më, sistemi vazhdon të kalërohet dhe po kështu të njëjtët personazhe bëjnë sikur nuk i kanë thënë këto fjalë apo i transformojnë ato.

Thënë më shkurt, këtyre personave kjo e vërtetë u duhet për të përfituar pushtetin politik dhe jo për të ndërtuar një shtet ku e vërteta të triumfojë. Ndaj edhe Benit, që deri më dje jetonte në botën e çudirave, kjo e vërtetë që ai pa me sytë e tij nga kjo përmbytje i duhet për të përfituar politikisht nesër. Sidomos kur e nesërmja është ajo e një zgjedhje vendore apo ku i dihet parlamentare.

E nëse këto dy alternativa të mësipërme nuk ju ngjisin, ajo që mendoj se do ishte më e volitshme për ju është që t’i riktheheni letërsisë. Mos shkruani më për Arapët e Vlorës, për Otellot e Kostandionopojës, për besimin fetar, për Skëndërbeun, Voskopojën, për Hënë blu apo Hënën e plotë, për xhihadin….tani që zbuluat se shqipëtarët në shumicë janë të varfër shkruani më mirë për varfërinë e tyre. Shkruani fjala vjen për një të varfër që i besoi Saliut pasi i kish besuar Merhumit, pastaj u zhgënjye e i besoi Nanos që do i kthente lekët e Piramidave, pastaj u zhgënjye e i besoi Doktorit me duar të pastra edhe u zhgënjye pastaj i besoi Ilirit të Vërtetës dhe u zhgënjye, që doli më 21 Janar sepse i besoi Ramës dhe u zhgënjye….ja shkruani për këto, ndoshta do t’ju marrim më seriozisht!

You may also like...