Betje për Rilindjen, Timonin dhe Tepsinë

Timonieri ka marrë timonin

Por nuk di nga të drejtojë anijen.

Me bark të fryrë nga tepsia,

as i ngopur dhe as i uritur,

as me shije dhe as pa shije,

timonieri është shumë i mërzitur.

 

Vendosi një mëngjes të pyesë pasagjerët,

A ta kthejë majtas a ta kthejë djathtas?

A ta çojë përpara a ta mbajë në vend?

Pasagjerët iu përgjigjën njëzëri:

O Timonier, o Kapedan,

bëj ç’të duash me anijen,

veç na lër ne të zbresim!

Na u gjind o Kapidan, i gjithëditur dhe i kudogjindur,

na ndihmo, të marrim azil në Gjermani!

 

U thotë timonieri: Unë nuk jam për t’ju zbritur,

kam për detyrë të drejtoj anijen,

para më pret historia,

ju po të doni hidhuni vetë.

 

I thonë pasagjerët, aman o Timonier,

ne popull jemi, nuk na pret historia e nuk na e mban të të ndjekim

ha çfarë të duash, le çfarë të duash,

vetëm na lë ne në azil!

 

Nxehet Timonieri,

thotë: ç’më çani kokën,

unë dua tju bëj njerëz,

kam vizion të madh

me shpatë do ta çaj historinë…

 

I thotë populli: të priftë e mbara o Timonier,

në daç çaje, në daç mbaje,

në daç shpoje ne daç shtyje,

veç na lër ne që të zbresim!

You may also like...