Broçkullat e Ramës dhe klounëve të tij mbi plehrat

Shumë kanë qenë duke folur mbroçkulla gjatë këtyre ditëve, si nga mbrojtësit, ashtu edhe nga kundërshtarët e importit të plehrave në Shqipëri. Megjithatë, mbroçkullat më të mëdha duket se po i thotë vetë Rama, ai që pretendon se i di të gjitha dhe se të gjithë kritikët e tij e kanë gjithmonë gabim. Sepse ai është i pakorruptuar, i pashitshëm dhe i pagabueshëm. Ja disa nga mbroçkullat e tij (dhe klounëve të tij) mbi importin e plehrave.

14440948_983991375059715_8787660167372716834_nBroçkulla 1.

Jo plehra por mbetje!

Është një debat i gjatë gjuhësor i artikuluar fillimisht nga Sali Berisha në vitin 2011. Kur po mblidhnim firmat për referendumin e mbështetur me bujari, por vetëm për interesin e vet elektoral, nga vetë Rama, njëri nga të paktët refuzues na tha: mos thoni plehra, por mbetje.

Plehrat, për nga përkufizimi i Direktivës së BE-së për Plehrat, (Ëaste) konsistojnë nga lëndë që nuk i do askush, pronari i të cilave është i gatshëm t’i lërë diku larg shtëpisë dhe mjedisit ku jeton. Italia është një nga ato vende që plehra të tilla nuk i dëshiron në shtëpi. Po të kishin vlerë ekonomike, natyrisht që do t’i mbante vetë. “Mbetjet”, ky është një term i shpikur nga Berisha si një mënyrë për të fshehur sado pak atë që po bënte.

Broçkulla 2

Mbetjet nuk janë mbetje por materjal për riciklim

Pretendimi që i gjithë materjali i importuar për riciklim do të riciklohet dhe asgjë nuk do të mbetet pas është një gënjeshtër. Ka një rregullore të BE-së dhe një vendim qeverie (të Berishës) që u mor në vitin 2013 për të shpëtuar Kurum nga ndalimi i importit të plehrave, ku qartësisht shkruhet se skrapi i metaleve, që të konsiderohet i tillë në Republikën e Shqipërisë, duhet të ketë materjale të huaja (plehra) jo më shumë se 2 për qind të peshës së vet. (shiko këtu) D.m.th, nëse importohet një ton skrap, deri në 2 për qind të tij ose 20 kilogramë janë lëndë që nuk riciklohen. Këto lëndë do të mbeten në tokën tonë përgjithmonë. Problemi është se Kurum ka importuar mbi 200 mijë dhe 300 mijë tonë hekur në vit. 2 përqindëshi i 300 mijë tonëve është i barabartë me 6 mijë tonë. Ka një mal me mbetje të tilla në brigjet e Shkumbinit, të cilin, Rama dhe mbroçkullitësit e tjerë parapëlqejnë të mos e shohin, as të mos flasin për të. Përpiqen thjeshtë ta injorojnë.

Tani, plehrat që do të importohen, nëse supozohet se të gjitha kontrollet do të funksionojnë më së miri dhe që doganierët nuk do të korruptohen, sërish 2 për qind e tyre do të mbeten në tokën tonë. Nëse kryembroçkullitësi i Shqipërisë është serioz, do të duhet të shpjegojë se sa mijë tonë plehra do të importohen, se sa prej tyre do të jenë të pariciklueshme, se sa të dëmshme apo të padëmshme do të jenë këto plehra dhe se çfarë do të bëhet me to. Por kryembroçkullitësi nuk ka përgjigje për këtë pyetje të thjeshtë, ashtu siç nuk ka përgjigje për malin me plehra të Kurum. Ai ka vetëm batuta që nuk bëjnë askënd të qeshë, (me përjashtim të lakejve që qeshin nga zorri).

Broçkulla 3

Industria e Riciklimit nuk shkakton ndotje

Deri tani kemi folur vetëm për mbetjet fizike, d.m.th, nga ato lloj mbetjesh që, nëse ka shtet, (që në fakt nuk ka), mund të menaxhohen siç duhet dhe të mos e ndosin mjedisin. Por ka një broçkull tjetër të të madhe. Këto plehra, si plastikë, skrap hekuri, alumini etj, kartona e copa druri, para se të bëhen produkt i gatshëm për përdorim në paketim, do të duhet të përpunohen. Plastika, pasi të vijë në formë shisheje të shtypur apo të prerë në copa, do të duhet pastrohet, të shkrihet e të vullkanizohet para se të kthehet prapë shishe. Vetëm një idiot mund të pretendojë se shkrirja e plastikës nuk shkakton ndotje të ajrit. Çdokush që ka qenë, fjala vjen, te zyrat e Top Channel në Kashar, e ka ndjerë atë aromën e qelbur të fabrikës së plastmasit aty pranë, aromë që duket se shtohet gjatë orëve të natës ose në fundjavë. Kryebroçkullitësi bën mirë të shkojë atje, të pyesë banorët nëse i pëlqen të kenë më shumë apo më pak aromë të tillë, para se të prentendojë se ndotje nuk ka. Hekuri, çeliku apo alumini, sado të pastra të jenë kur të vijnë, sërish do të shkrihen, do të harxhojnë një sasi të stërmadhe energjie (ndotje në vetvete) për t’u shkrirë, para se të bëhen produkt i gatshëm. Pyesni në Elbasan nëse duan më shumë Kurum apo duan më pak. Pyesni në Fier nëse duan më shumë rafineri naftë apo më pak.

Do të qe e pranueshme si formë diskutimi, nëse do të thuhej se ndotja e ajrit për çdo kilogram plehra të importuar është kaq e aq dhe se kjo ndotje do të sjellë kaq e aq fitime. Por jo, mbroçkullitësit nuk janë të hapur për diskutime të tilla, ata pretendojnë se ndotje nuk do të ketë. Edhe industria e kartonit, e cila duket sikur është e padëmshme, shkakton nga ndotjet më të këqija dhe të rrezikshme të mundshme. E vërtetë, riciklimi i letrës kursen prerjen e pyjeve dhe përdorimin e energjisë. Por kur riciklohet, një numër kimikatesh përdoren për të hequr bojën, të tilla si soda kaustrike. Boja e të shkruarit në letër të riciklueshme mbart gjithashtu metale të rënda, të cilat ndosin më tutje.

Broçkulla 4

Duhet të importojmë plehra që të menaxhojmë plehra

Ky është një argument që teorikisht funksionon ndërsa praktikisht është një supermbroçkull. Teorikisht, teknologji të caktuara kanë përmasa minimale të caktuara. Fjala vjen, një linjë për përpunimin e një lloji të caktuar plastike, fjala vjen, plastika PET, (më e zakonshmja e përdorur për shishet e ujit), ka një kapacitet minimal prej, fjala vjen, 10 tonë në ditë. Nëse vendi nuk ka 10 tonë plehra në ditë, por prodhon, fjala vjen, 8 tonë, atëherë është teorikisht e logjikshme që diferenca prej 2 ton të duhet të importohet për të mbajtur në punë këtë linjë teknologjike me kapacitet 10 ton. Në kushte teorike, prodhuesi nuk do ta ketë të mundur të krijojë kapacitet teknologjik më të vogël sepse fabrika që prodhon pajisjet që realizojnë riciklimin e plastikës nuk prodhon pajisje me kapacitet më të vogël. Por ky nuk duket se është rasti i Shqipërisë dhe, përveç argumentit kundërintuitiv, ata që po thonë broçkulla me shumicë nuk japin asnjë shpjegim teknik. Mbroçkullitësit nuk thonë p.sh., Shqipëria prodhon kaq tonë plehra ndërsa kapacitetet minimale janë aq tonë. Nuk thonë se sa tonë plehra mendojnë se duhet të importojnë për të plotësuar kapacitetin minimal. Ata thjeshtë duan të importojnë plehra, sa më shumë aq më mirë, pa e vrarë mendjen as për mbetjet e plehrave të riciklueshme dhe as për ndotjen e ajrit e as për energjinë ndotëse të konsumuar për riciklimin e këtyre plehrave të botës.

Broçkulla 5

Ricikluesve po u mohohet e drejta parimore e të bërit biznes

Sikur të bëhej fjalë për ndonjë biznes që nuk ndot, ky do të qe një parim i shenjtë që ne, kundërshtarët e importit të plehrave, po e shkelim në mënyrën më të padrejtë dhe të turpshme të mundshme. Por në fakt nuk është kështu: industria ndot ajrin dhe tokën. Ajri dhe toka nuk janë pronë private e broçkullitësve. Ajri i përket si ricikluesit, ashtu edhe ne të tjerëve. E drejta e tij e të bërit biznes bie ndesh me të drejtën e pjesës tjetër të shqiptarëve për të thithur ajër të pastër, për të pasur sa më pak ndotje që të jetë e mundshme dhe për të pasur sa më pak sëmundje të shkaktuara nga ajri i papastër. Kështu që, kur pjesa tjetër e shqiptarëve i thotë atyre pak kompanive të riciklimit se nuk kanë të drejtë të ndosin pa limit, ata thjeshtë po marrin atë që i takon dhe po i mohojnë ricikluesve atë që nuk i takon.

Broçkulla 6

Ricikluesit rrezikojnë të falimentojnë

Kryembroçkullitësi na tha ne injorantëve kokëtrashë se nëse ricikluesit falimentojnë, Shqipëria nuk do të mund të pastrohet. Por përveç kësaj klithmës qaramane, nuk na tha asgjë tjetër. Nuk e mori mundimin që, fjala vjen, të shohë bilancet e ricikluesve për të parë nëse këto biznese kanë dalë me humbje apo kanë dalë me fitime gjatë viteve të fundit. Dy tre prej tyre, së paku sa i përket bilanceve që kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, nuk rezultojnë me humbje. Në fund të fundit, a ka dëgjuar ndonjë gjë kryembroçkullitësi ynë për ndonjë fabrikë që të ketë falimentuar këto dy vitet e fundit? Nëse po, a ka bërë ndonjë analizë se cilat qenë shkaqet e falimentimit?

Dukshëm broçkullitësit nuk kanë përgjigje për çështje praktike. Ata na shfaqen veçanërisht parimorë dhe arsyetues, pavarësisht se në thelb, flasin thjeshtë broçkulla.

You may also like...