Çfarë aritmetike, shpjegimi i kryeministrit për deficitin buxhetor është mbresëlënës…

Undercover Economist

rama-shehaj-sot-me-tatimor-1024x675Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përsëriti argumentet e ministrit të tij të financave Shkëlqim Cani për arsyet e deficitit të stërmadh buxhetor të shënuar në të ardhurat tatimore gjatë këtij viti.

Sipas Ramës, deficiti prej 15.5 miliardë lekësh është shkaktuar nga: a) rënia e çmimit të naftës; b) rënia e importit të energjisë për shkak të rritjes së prodhimit. c) ulja e interesave të depozitave. d) ulja e konsumit dhe rritja e prodhimit vendës të duhanit.

Sipas ramës, ulja e importit të energjisë elektrike ka shkaktuar 1.3 miliardë lekë deficit, ulja e interesave monetare në ekonomi ka shkaktuar 1.2 miliardë të tjera, 2.2 miliardë për shkak të rimbursimit automatik të TVSH-së.

Të gjitha këto, sipas Ramës përbëjnë plot 15 miliardë lekë, aq sa është edhe deficiti fiskal.

Jo vetëm kaq, por Rama sheh edhe nga një të mirë pas çdo deficiti. Kur flet për rënien e importit të energjisë elektrike, thotë se “Jemi të lumtur që ne synojmë të prodhojmë në vend energji”.

Dhe kur flet për rënien e interesave të depozitave, thotë se kjo gjë është e mirë dhe nxit ekonominë.

Fjalia më trullosëse në këtë argumentim analfabetësh është në shpjegimin për inflacionin:

“2 miliardë lekë mungojnë për shkak të rritjes më të ulët të inflacionit, rritjes së çmimeve që edhe pse e parashikuam, nuk u vërtetua. Ne kishim parashikuar 2.5 % por u rritëm vetëm 1.3 %. Nëse do kishim 100 lekë rritje çmimi, 20 lekë do shkonin të ardhurat, por rritja është 50 lekë, çka solli në arkën e shtetit vetëm 10 lekë” tha Rama në parlament sot (23 shtator).

Në tërësi, Rama në argumentimin e tij thotë se kur ke më pak para, kjo është doemos lajm i mirë, sepse kështu nxitet ekonomie. Kur je keq, natyrisht që nuk je i aftë ta kuptosh sepse kështu është më mirë.

Argumentet e dhëna prej tij natyrisht që nuk bëjnë sens aritmetik, e aq më pak, ekonomik. Rënia e importit të energjisë elektrike dhe zëvendësimi i këtyre importeve me prodhim vendës nuk duket në asnjë lloj mënyre të ketë lidhje me rënien e të ardhurave. Energjia elektrike i nënshtrohet tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 20 për qind. Pavarësisht nëse importohet apo prodhohet në vend, tatimi mbetet 20 për qind. Vetëm në rast se Rama sugjeron se prodhuesit vendës të energjisë nuk paguajnë TVSH, gjë që do të qe një evazion fiskal në shkallë të gjerë, atëherë logjika e rënies së importeve mund edhe të funksionojë.

Rënia e interesave të depozitave si dhe inflacioni i ulët janë argumente që çoku funksionojnë, sido që jo në përmasat e sugjeruara nga Rama. Dhe më e rëndësishmja, si interesat e ulëta ashtu edhe inflacioni i ulët janë pasoja të stanjacionit ekonomik ku ka rënë vendi dhe kurrsesi shkaqe. Shkaku është pikërisht mosmbledhja e të ardhurave nga qeveria. Për shkak se qeveria ka deficit, ajo nuk shpenzon, rrjedhimisht vendi nuk ka konsum dhe inflacion dhe jo anasjelltas.

Më shumë se sa funksionimi apo jo i logjikës aritmetike, ajo që duhet të na shqetësojë është mentaliteti i pagabueshmërisë së qeverisë, modeli i saj i propagandës, i cili, përveçse ia hedh fajin të tjerëve për çdo problem, arrin të gjejë edhe anë “pozitive” dhe “përfitime” për vendin edhe te të këqijat që shkaktojnë “të tjerët”.

You may also like...