Çfarë është Ekonomiksi Kejsianist?

Argumenti themelor i kësaj shkolle mendimi është që ndërhyrja e qeverisë mund ta stabilizojë ekonominë.

Economist John Maynard KeynesMarrë nga FINANCE & DEVELOPMENT, Shtator 2014, Vol. 51, No. 3

Sarwat Jahan, Ahmed Saber Mahmud, dhe Chris Papageorgiou

Sa e rëndësishme është paraja? Shumë pak njerëz sot e mohojnë argumentin se paraja ka një rol kyç në ekonomi.

Gjatë Depresionit të Madh të viteve 1930, teoria ekonomike e asaj kohe nuk qe në gjendje të shpjegojë as shkaqet e kolapsit të rëndë mbarëbotëror të ekonomisë dhe nuk qe as në gjendje të ofrojë zgjidhje të përshtatshme në ndërhyrje politike për të rinisur prodhimin dhe punësimin.

Ekonomisti britanik John Maynard Keynes udhëhoqi një revolucion në të menduarit ekonomik që rrëzoi idenë dominuese të asaj kohe që thoshte se tregjet e lira ofrojnë automatikisht punësim të plotë, gjë që do të thotë se kushdo që kërkon punë, do ta ketë një të tillë për sa kohë punëmarrësit janë fleksibël në kërkesat e tyre për pagë. Themeli kryesor i teorisë së Keynes, teori që mban emrin e tij, është konkluzioni se kërkesa e agreguar – e matur si totali i shpenzimeve të familjeve, bizneseve dhe e qeverisë – është faktori më i rëndësishëm në ekonomi. Keynes doli gjithashtu në konkluzionin se tregjet e lira nuk kanë mekanizma vetë-balancuese që të sjellin punësim të plotë. Ekonomistët kejsianistë për rrjedhojë e justifikojnë ndërhyrjen e qeverisë përmes politikave publike që synojnë të realizojnë punësim të plotë dhe stabilitet çmimesh.

Një ide revolucionare

Keynes argumentoi se kërkesa e përgjithshme e pamjaftueshme mund të sjellë periudha të gjata papunësie të lartë. Prodhimi i mallrave dhe shërbimeve të një ekonomie është shumatore e katër komponentëve: konsum, investim, blerjet e qeverisë dhe eksportet neto (diferenca mes importit dhe eksportit). Çdo rritje në kërkesë duhet të vijë nga njëri nga këto katër komponentë. Por gjatë një recesioni, forca të fuqishme shpesh pakësojnë kërkesën dhe shpenzimet ulen. Për shembull, gjatë një situate të vështirë ekonomike, pasiguria shpesh gërryen besimin e konsumatorëve, duke i shtyrë ato të reduktojnë shpenzimet, veçanërisht shpenzimet për blerje të mëdha si një shtëpi apo një makinë. Ky reduktim në shpenzime nga konsumatorët mund të sjellë më pak shpenzime për investime nga bizneset, për shkak se kompanitë i përgjigjen kërkesës së dobësuar për produktet e tyre. Kjo ia ngarkon detyrën e rritjes së prodhimit, qeverisë. Sipas ekonomiksit të Keynes, ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme për të moderuar si periudhat e bumit ashtu edhe ato të rrëzimit të ekonomisë, të njohura përndryshe si cikli i biznesit.

Ka tri themele kryesore në përshkrimin kejnesianist të mënyrës se si funksionon ekonomia:

  • Kërkesa agregate ndikohet nga shumë vendime ekonomike – publike dhe private. Vendimet e sektorit privat në disa raste mund të kenë pasoja negative, të tilla si reduktim në shpenzimet konsumatore gjatë një recesioni. Këto dështime të tregut në disa raste kërkojnë ndërhyrje aktive nga qeveria, të tilla si paketa të stimujve fiskalë (shpjeguar më poshtë). Për rrjedhojë, ekonomiksi kejsianist mbështet ekonominë mikse të udhëhequr më së shumti nga sektori privat por pjesërisht të drejtuar edhe nga qeveria.
  • Çmimet, dhe në veçanti, pagat, i përgjigjen ngadalë ndryshimeve në kërkesë dhe ofertë, duke sjellë mungesë periodike apo tepri periodike, veçanërisht për punën.
  • Ndryshimet nnë kërkesën agregate, pavarësisht nëse janë të parashikuara apo të paparashikuara, kanë efektin e tyre më të madh të menjëhershëm në prodhimin real dhe punësim, jo mbi çmimet. Kejsianistët besojnë se, për shkak se çmimet janë në një farë mase të ngurta, luhatshmëritë në çdo komponent të shpenzimeve – konsumit, investimit apo shpenzimit të qeverisë – do të sjellë ndryshim në prodhim. Nëse shpenzimet e qeverisë rriten, për shembull, ndërsa komponentët e tjerë të shpenzimeve mbeten konstante, atëherë prodhimi do të rritet. Modelet kejsianiste të aktivitetit ekonomik përfshijnë gjithashtu një efekt multiplikativ; kjo do të thotë se prodhimi rritet ose ulet në një masë më të madhe se sa ndryshimi fillestar në shpenzim. Nëse multiplikatori fiskal është më i madh se 1, atëherë një dollar rritje në shpenzimet e qeverisë do të sjellë një rritje në prodhim më të madhe se një.

 

Keynes, kryemjeshtri

Ekonomiksi Kejsianist e ka marrë emrin, teoritë dhe parimet nga ekonomisti britanik John Maynard Keynes (1883–1946), i cili konsiderohet si themeluesi i makroekonomiksit modern. Vepra e tij më e famshme, Teoria e Përgjithshme e Punësimit, Interesit dhe Parasë, u publikua më 1936. Paraardhësja e kësaj vepre, Një Traktat mbi Paranë, i vitit 1930, shpesh shihet si më e rëndësishme për të menduarit ekonomik. Deri në atë kohë, ekonomiksi analizonte vetëm kushte statike – në thelb, duke ekzaminuar në detaje një panoramë nga një proces që në të vërtetë ndryshonte me shpejtësi. Te Traktati, Keynes krijoi një përqasje dinamike që konvertoi ekonomiksin në studimin e flukseve të të ardhurave dhe shpenzimeve. Ai hapi horizonte të reja për analizën ekonomike.

Te Pasojat Ekonomike të Paqes më 1919, Keynes parashikoi se kushtet shtypëse që traktati i paqes së Versajës vendosui mbi Gjermaninë në fund të Luftës së Parë Botërore, do të sillnin një luftë tjetër Europiane.

Ai i rikujtoi mësimet e Versajës dhe të Depresionit të Madh në vitin 1944, kur ai udhëhoqi delegacionin britanik në konferencën e Breton Udsit – e cila përcaktoi rregullat që synonin të garantonin stabilitetin e sistemit financiar ndërkombëtar dhe lehtësoi rindërtimin e kombeve të shkatërruara nga Lufta e Dytë Botërore. Krahas zyrtarit të Thesarit të SHBA-ve Harry Dexter White, Keynes konsiderohet si babai themelues i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të cilat u krijuan në të njëjtën konferencë.

Stabilizimi i eknomisë

Asnjë politikë ekonomike sot nuk bazohet vetëm në këto tre parime të Keynes. Por ajo që dallon Kejsianizmin nga ekonomistët e tjerë është besimi se politikat aktive të qeverisë mund të ndihmojnë në reduktimin e amplitudës së një cikli biznesi, të cilin ata e konsiderojnë si një nga problemet më të mëdha ekonomike.

Në vend që t’i shohin buxhetet e qeverive me deficite të larta si të gabuara, Keynes mbron idenë e njohur si politika fiskale kundërciklike, në të cilat, ndërhyrja e qeverisë është në krah të kundërt me drejtimin e ciklit të biznesit. Për shembull, ekonomistët Kejsianistë mbrojnë idenë e shpenzimeve përmes deficitit në projekte të kanë intensitet të lartë pune për të stimuluar punësimin dhe stabilizuar pagat gjatë periudhave me dobësi ekonomike. Ata mund të rrisin taksat për të ftohur ekonominë dhe parandaluar inflacionin nuk ka rritje të tepërt nga ana e kërkesës. Politika monetare mund të përdoret gjithashtu për të stimuluar ekonominë – për shembull, duke reduktuar normat e interesit për të nxitur investimet. Përjashtimi ndodh vetëm kur gjendemi në situatën e kurthit të likujditetit, kur rritja e stokut të parasë nuk i ul normat e interesit dhe për rrjedhojë, nuk e rrit prodhimin dhe punësimin.

Keynes argumenton se qeveritë duhet të zgjidhin problemet në terma afatshkurtër në vend që të presin forcat e tregut që të zgjidhin disbalancat në terma afatgjatë, për shkak se, siç e shkroi ai, “në terma afatgjatë, ne të gjithë jemi të vdekur.” Kjo nuk do të thotë se kejsianistët mbrojnë idenë e ndryshimit të politikës çdo muaj për ta mbajtur ekonominë në punësim të plotë. Në fakt, ata besojnë se qeveritë nuk mund të dijnë mjaftueshëm sa të jenë të suksesshme gjithmonë.

Kejsianizmi evoluon

Edhe pse idetë e tij qenë gjerësisht të pranuara ndërsa Keynes qe ende gjallë, ato u analizuan dhe u hodhën poshtë nga shumë mendimtarë bashkëkohorë. Veçanërisht të vlefshme për t’u pasur parasysh qenë argumentet e dhëna nga Shkolla Austriake e Ekonomiksit, mbështetësit e të cilës mendonin se recesionet dhe bumet ekonomike janë pjesë e rendit natyror ndërsa ndërhyrjet e qeverisë me gjasë thjeshtë sa do t’i bëjnë gjërat më keq.

Ekonomiksi kejsianist e dominoi teorinë ekonomike dhe politikën ekonomike pas luftës së Dytë Botërore deri në vitet 1970, kur shumë ekonomi të përparuara vuajtën njëkohësisht inflacion dhe rritje ekonomike të ngadaltë, të njohur si “stagflacion.” Popullariteti i teorisë së Keynes u dobësua pas kësaj kohe për shkak se ajo nuk kishte konceptuar përgjigje të përshtashme politike ndaj stagflacionit. Ekonomistët monetaristë vunë në dyshim aftësinë e qeverisë për të rregulluar ciklin e biznesit me politikë fiskale dhe argumentuan se përdorimi i matur i politikës monetare (në thelb, kontrollimi i furnizimit me para për të ndikuar normat e interesit) mund ta lehtësojë një krizë (shiko Çfarë është Monetarizmi?” në F&D të Marsit 2014). Anëtarët e shkollës monetariste besojnë gjithashtu se paraja mund të ketë ndikim mbi prodhimin në terma afatshkurtër por besojnë se në terma afathgjatë, politika monetare ekspansioniste krijon vetëm inflacion. Ekonomiksi kejsianist në përgjithësi i pranoi këto kritika, duke i shtuar në teorinë origjinale pikëpamjet afatshkurtra dhe afatgjata dhe të kuptuarit të parasë si një fenomen neutral në terma afatgjatë – ideja se ndryshimi në stokun e parasë prek vetëm variablat nominale në ekonomi, të tilla si çmimet dhe pagat dhe nuk ka ndikim te variablat reale, të tilla si punësimi dhe prodhimi.

Si Kejsianistët ashtu edhe monetaristët u vunë nën kritika nga ngritja e shkollës së re klasike gjatë mesit të viteve 1970. Shkolla e re klasike i konsideroi politikëbërësit si inefektivë për shkak se pjesëmarrësit në treg mund të parashikojnë ndryshimet nga një politikë dhe të veprojnë paraprakisht për t’u përgatitur për to. Një gjeneratë e re kejsianistësh u ngrit në vitet 1970 dhe 1980 dhe argumentoi se edhe pse individët mund të parashikojnë me saktësi, tregjet në përgjithësi mund të mos jenë racionale menjëherë; për rrjedhojë, politika fiskale mund të jetë ende efikase në terma afarshkurtra.

Kriza e viteve 2007 dhe 2008 solli një ringritje të mendimit kejsianist. Këtu u bazuan themelet teorike të politikave ekonomike në përgjigje të krizës nga shumë qeveri, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa recesioni botëror qe i gjithëanshëm në fund të vitit 2008, profesori i Harvardit N. Gregory Mankiw shkroi te New York Times, “Nëse do të kthehesh te vetëm një ekonomist për të kuptuar problemet me të cilat përballet ekonomia, ka pak dyshim se ky ekonomist është John Maynard Keynes. Megjithëse Keynes vdiq më shumë se gjysmë shekulli më parë, diagnoza e tij e recesioneve dhe depresioneve mbetet themeli i makroekonomiksit modern. Keynes shkroi, “njerëzit praktikë, të cilët besojnë se janë shumë të përjashtuar nga çfarëdolloj ndikimi intelektual, zakonisht janë skllevër të ndonjë ekonomisti të vdekur.” Në vitin 2008, nuk kishte asnjë ekonomist tjetër të vdekur me më shumë ndikim se sa vetë Keynes.”

Por kriza e viteve 2007 dhe 2008 tregoi gjithashtu se teoria kejsianiste do të duhej të bënte mirë të përfshinte edhe rolin e sistemit financiar. Ekonomistët kejsianistë janë duke e bërë këtë përmes integrimit të sektorëve realë dhe financiarë në ekonomi.

Sarëat Jahan është një Economist dhe Chris Papageorgiou është zëvendësdrejtor divizioni në Departamentin e Strategjisë, Politikave dhe Rishikimit të FMN-së. Ahmed Saber Mahmud është Drejtor i Asociuar në Ekonomiksin e Aplikuar në Universitetin Johns Hopkins.

You may also like...