Çfarë problemi ka qeveria me furgonët?

Krediti pë foton: http://www.offexploring.com/paulandisaac/albums/trip-photos/8979253

Krediti pë foton: http://www.offexploring.com/paulandisaac/albums/trip-photos/8979253

Rrallë herë mund të ndodhë që një qeveri në një vend në krizë të vazhdueshme, të merret me fatin e disa dhjetëra hallexhinjve që punojnë furgonistë. Megjithatë, legjenda e furgonëve po na bëhet një histori e përditshme. Protesta, deklarata të bollshme nga qeveritarë që herë duket sikur lëshojnë pe e herë sikur janë të virgjër kur vjen puna e zbatimit të ligjeve ekzistuese…

Në sytë e opinionit publik duket se të dyja palët nuk legjitimohen. Qeveritarët, e etur për ryshfet në çdo rast, nuk ia mbushin mendjen dot askujt se “po zbatojnë ligjin”. Ata janë simbol i miliarderit që i sheh njerëzit si miza. Buka e furgonistëve apo shqiptarëve të tjerë për ta ka po aq rëndësi sa jeta e një mushkonje të bezdisshme që të fut ndonjë të pickuar për të mbijetuar.

 

Një i ashtuquajtur sindikalist, me emrin Gëzim Kalaja, i cili nuk e ka hapur gojën kur minatorët kanë vdekur nëpër minierat kaotike të vendit, na është bërë protestues par excellence. Disa deputetë të opozitës, që nuk i kemi dëgjuar kurrë përgjatë tetë viteve qeverisje të shqetësohen ndonjëherë për jetën e shqiptarit të zakonshëm, na janë bërë mbështetës të kauzës së furgonistëve.

Këto të fundit janë simbol i kaosit dhe i çmendurisë në Shqipëri. Çdokush që ka hipur në to, vështirë të mos jetë tmerruar nga shpejtësia me të cilën janë të gatshëm të ecin, ndalimet pa kurrfarë kriteresh në mes të autostradës për të kapur klientin e rradhës, cilësinë e mjerë të makinave që kanë nën përdorim, aksidentet e panumërta.

Por çfarë ka te furgonët kaq të rëndësishme sa të bëhen betejë kryesore e qeverisë për ditë dhe javë të tëra?

Le ta nisim nga e para: Në Shqipëri ka shumë furgonë dhe jashtëzakonisht shumë taksi sepse nuk ka vende pune. Nëse je 30 apo 40 vjeç në Shqipëri dhe i vetmi kualifikim që ke është një patentë dhe jeton nëpër qytete të tilla si Elbasani, Shkodra, Kukësi, apo Gramshi, ku fjala fabrikë apo punësim me pagë është sinonim i kohës së Komunizmit sepse që nga ajo kohë, nuk kanë ekzistuar kurrë, vështirë se mund të bësh ndonjë gjë tjetër veç shoferit.

Makinat e tyre janë të vjetra në masën dërrmuese për shkak të një takse të vendosur nga qeveria socialiste më 2004 dhe të dyfishuar nga qeveria demokratike më 2008 mbi importin e makinave të përdorura.

Shqipëria është ndoshta vendi me numrin më të madh të policëve rrugorë në Europë. Çdo 20 kilometra ka nga një postbllok të policisë rrugore, megjithatë rregull në rrugë nuk ka. Kuptohet, në një shtet ku korrupsioni është sistemik, polici rrugor nuk është për të ruajtur zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Ai zotëron një farë licence për të zhvatur kalimtarët. Sakaq ata që kanë një makinë kanë krijuar një fjalor të posaçëm në këto raste. Frilancer psh, (nga anglishtja Freelancer), nënkupton një polic rrugor që ka dalë jashtë turnit të vet për të kontrolluar kalimtarët, zakonisht natën, për të gjetur se mos ka ndonjë defekt në dokumente për t’i grabitur disa para.

Më qëlloi pak javë më parë të shkoja në Elbasan me furgon. Furgonisti ynë, në tunelin e Krrabës, ia preu për shkurt dhe kaloi në korsinë e emergjencës në vend që të ecte ngadalë në rradhë pas makinave të tjera. Kushdo që ka dëgjuar për aksidentin e tunelit të Malit të Bardhë në kufirin franko-italian, e di se pse tunelet sot ndërtohen me dy korsi, ku njëra duhet me doemos të qëndrojë e lirë për raste emergjence. Unë për vete mendoja se tuneli është një objekt i rëndësisë së veçantë, i monitoruar me kamera 24 orë dhe me një staf të përhershëm sigurie. Mendova se furgoni do të ndalej shpejt për t’u gjobitur. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Furgoni vijoi rrugën i qetë. Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit u mburr se i kishte vënë gjoba disa ministrave duke ngritur argumentin e zbatimit simetrik të ligjit si i barabartë për të gjithë. Mendova se ky qe një rast përjashtimor. Por dy orë më vonë u ktheva me një furgon tjetër dhe edhe ky i dyti hyri te korsia e emergjencës në tunel.

Shembulli i furgonit që shkel rregullat e qarkullimit në një vend të tillë si një nga dy tunelet e mirëfillta të Shqipërisë, tregon se shteti nuk bëhet me shembuj propagandistikë si gjobat për ministrat. Ai bëhet me një kontroll sistematik. Kjo nuk mund të ndodhë për sa kohë shteti është një plaçkë lufte. Rregulli dhe ligji nuk kanë kurrfarë kuptimi në një situatë të tillë.

Kjo është arsyeja se pse deklarimi i ministrit të transporteve Haxhinasto se po kërkon të zbatojë ligjin e vitit 1998, apo t’i pajisë furgonët me taksimetër, janë argumente që nuk ia mbushin dot mendjen askujt. Një ministër që nuk është në gjendje të kontrollojë një nga dy tunelet e vetme të gjata në vend, vështirë se mund të na mbushë mendjen se po kërkon të zbatojë ligjet.

Tani, vijmë te këto ligjet që duket sikur kanë dalë nga bota e Procesit të Kafkës. Furgonët, thotë Haxhinasto, janë taksi. Ata duhet të shërbejnë vetëm në një drejtim. Nëse nisen nga Tirana për në Sarandë, duhet të kthehen bosh. Tani pyetja është se nëse e zbatojmë këtë ligj, si do t’ia bëjmë për të ofruar shërbim transporti publik për fshatrat e largëta të Shqipërisë, fjala vjen, Theth, Shistavec, Kastriot apo Zallbastar, ku furgoni Bedford me moshë minimale 20 vjeçare është mjeti i vetëm dhe i përballueshëm nga fshatarët?! A garanton dot ai me rregullat e tij që shfatarët do të vijojnë të udhëtojnë me makinë, apo ka ndonjë plan për të vendosur shërbim transporti me gomerë apo mushka?!

Detaje të tilla nuk ka pse ta shqetësojnë ministrin. Ai duket aq korrekt me ligjin sa vështirë të imagjinojë se ky ligj do t’i kërkojë të punojnë si taksi me taksimetër çdo furgoni fshati. Imagjinoni psh tri furgonët që bëjnë rrugën e Thethit, të cilët ligjërisht nuk ekzistojnë sepse nuk kanë asnjë dokument, të trahllisin taksimetrin që kushton më shtrenjtë se i gjithë furgoni, nëpër gropat e Qafës së Thores. Apo që katundarët e Zallbastarit të përdorin të njëjtin furgon si në ardhje ashtu edhe në kthim. Dhe kjo puna e taksimetrit kërkohet në një vend ku taksitë zyrtare të aeroportit ndërkombëtar të vendit nuk kanë taksimetër.

Ky që po bën qeveria e sotme mund të përkufizohet si “modeli i socializmit nën pronësinë private të kryetarit të kooperativës apo të sekretarit të partisë”. Ky është modeli i zbatuar përgjatë njëzet viteve të fundit. Monopole publike janë privatizuar nga kryetarët e kooperativave në emër të liberalizmit dhe ekonomisë private. Shikoni psh se si janë ndarë tregjet e importit të inputeve bujqësore.

Qeveria ka vetëm një problem me një pjesë të furgonëve, atë pjesë që ofron shërbim mes qyteteve kryesore. Disa qeveritarë dëshirojnë që këtë shërbim ta bëjnë monopol privat nën pronësinë e ndonjë sekretari partie. Ajo nuk ka ndonjë problem me furgonët e shumicës së fshatrave sepse aty nuk mund të nxirret para me autobuz privat. Këto teoritë e ligjit me taksimetër (që shitet gjithashtu privatisht dhe me monopol apo oligopol), janë vetëm për furgonët e linjave ndërqytetëse. Kjo shpjegon edhe arsyen se pse furgonistët e fshatrave nuk kanë dalë në protestë.

Problemi që ka qeveria e sotme me furgonët është shumë i ngjashëm me problemin që kishte udhëheqësia komuniste me pronësinë private mbi lopët para tufëzimit. Në atë kohë, u tha se qeveria po punonte për të qytetëruar jetën e fshatarëve. Duke i hequr lopën, fshatarët do të bëheshin njerëz, nuk do të mbanin kafshë në dhomën e gjumit, do t’u përmirësohej higjena dhe shëndeti. Kuptohet se kjo logjikë nuk mori parasysh elementin e nevojës fiziologjike të çdo shqiptari për të ngrënë dhe për të dhjerë.

You may also like...