(Ç)Ne Tirana!

Në pranverën e këtij viti, në skenën politike të vendit doli një forcë e re politike apo më saktë një lëvizje politike e kryesuar nga Gjergj Bojaxhi. Një figurë që në mandatin e parë të qeverisë Berisha ishte një nga emrat më të spikatur dhe që iu besuan pozicione strategjike dhe të rëndësishme.

Në syrin e qytetarëve të vendit Gjergji gjithmonë ka qenë individi me mendime të djathta që asnjëherë nuk iu dha shansi apo mundësia që të ishte një person i rëndësishëm në forcën më të madhe të djathtë në vend.11065876_10155555143240361_6955273433252554091_n

Ndonëse me gjithë këto cilësi, kam qenë skeptik ndaj kësaj lëvizje dhe mbi këtë lëvizje kam folur këtu. Për këdo që ka lexuar me vëmendje dhe ka një kujtesë të fortë, i kujtohet se një nga argumentet që kam përdorur është zhdukja e Bojaxhiut nga problemet e vendit dhe sjellja e tij me politikën si një person i huaj.

Mirëpo, për shumë nga kritikët e atij shkrimi, rezultati që lëvizja “Ne Tirana” me në krye Bojaxhiun morën në zgjedhjet vendore ishte një sinjal që do të sillte si pasojë shndërrimin e kësaj në një parti politike. Po çfarë ndodhi?!

Personalisht, nuk marr guximin të pohoj me saktësi se çfarë ndodhi. Nuk mund të them që ideali u zbeh, që lista e anëtarëve u prish apo ndonjë gjë të tillë. Ajo që më shqetëson mua, në emër të një demokracie sa më reale në këtë vend, është kjo zhdukja pa nam e pa nishan e Bojaxhiut nga skena politike. E të mendosh që deri më sot në këtë vend kanë ndodhur aq shumë ngjarje e ndodhi sa që edhe një “fant spathi” është kthyer në protagonist politik.

Tani, nuk e kam fjalën që Gjergj Bojaxhi të dilte në skenë për të folur për meritat e kombëtares në kualifikimin e Euro 2016, por besoj se i takon të dalë e të flasë për të ditur mendimin e tij le të themi për zgjedhjet vendore.

Mendoj që të gjithë jemi të interesuar për të ditur mendimin e “Ne Tirana” për largimin e Shqiptarëve, për raprezaljen gjoja ligjore të një qeverie të kapur nga oligarkë.

Na intereson të dijmë, qoftë edhe si votues të Tiranës se çfarë mendimi ka Bojaxhiu për hyrjen e Parkut të Liqenit, për kthimin e planit Rama në qendër të Tiranës, për shpërnguljen me dhunë të romëve nga Parku i Liqenit, për lejet e ndërtimit që po jep Veliaj.

11393114_10155614632710361_3831943198722054060_n

Na duhet të dijmë nga një lëvizje që e krahasoi veten e saj me PD-në e vitit 1991 se çfarë mendimi ka Bojaxhi apo pjesëtar të kësaj lëvizje (që don të kthehet në parti) për rastin CEZ duke qenë se vetë z. Bojaxhi ka qenë drejtor i KESH. Duam të dimë shumë nga një parti që pretendon se është larg oligarkëve dhe se është për qytetarët.

Por, në sa më sipër askush prej nesh nuk ka dëgjuar qoftë edhe një prononcim mediatik të kësaj lëvizje. Dikush, me të drejtë, mund të pyesë se përse duhet të kërkojmë prononcim nga kjo lëvizje?

Përgjigjen e kësaj pyetje, që më duket më shumë naive, ndodhet në argumentimin se një parti politike e cila përpiqet të sigurojë dhe pasqyrojë shpresë nuk duhet të dalë në skenë vetëm kur ka zgjedhje.

Përndryshe ajo i ngjason partive të mëdha politike, por me një ndryshim, nëse partitë e mëdha u duhet të kujdesen për trukun gjatë të katër viteve (sepse pushtetin e kërkojnë përditë) lëvizja që pretendon se është në shërbim të qytetarëve kujtohet për këto të fundit vetëm afër zgjedhjeve.

Në sa kanë ndodhur gjithë këto muaj, një lëvizje e cila pretendoi se ishte përfaqësuese e elektoratit gri po tregon sot e kësaj dite se është vetëm një parti që përpiqet të keqpërdorë pa ndonjë funksion në shërbim të së mirës pakënaqësinë e gjerë.

Kjo ndonëse një lëvizje e zgjuar politike e një krahu apo një tjetri, nuk përcjell as shpresën e kërkuar dhe mbi të gjitha as zgjidhjen reale të problemve tona. Prodhon në fund të fundit një lëvizje sezonale që do të marrë drejtimin nga të jetë më e kollajtë por asnjëherë një lëvizje që të reflektojë shqetësimet reale dhe përpjekje për zgjidhjen e tyre.

You may also like...