Demokracia si kriter!

Xhabyni

Flamuj-elektoral-shkoderFushatën elektorale të këtij viti e prisja me interesin që lidhej më shumë me fytyrën që mazhoranca e 1 milion shuplakave do të kishte karshi qytetarëve dhe karshi opozitës. Sa më shumë afrohej dita e fillimit zyrtar të saj, aq më shumë intrigohesha në debatin brenda vetes se si do të ishte Rama dhe Meta në një fushatë ku në krah të tyre do të kishin 38 gjeneral(ucë) e përballë do të kishin një opozitë me paterica por me shumë arsenal kundër mazhorancës. Po e shpreh që në fillim që nuk u zhgënjeva nga mënyra e tyre e të bërit fushatë.

Zhgënjimin madje nuk e pata as kur Rama me një arrogancë prej arrivisti dhe prej padroni që ka nën zap pjesën më të madhe të mediave mbrojti Qazim Sejdinin, shejtan budallain që u plasi syve të medias por edhe shqiptarëve pushtetin e vërtetë të një kryetari bashkie. Madje, as kur me të njëjtin zell edhe përkushtim mbrojti dy kriminelë si Roshi dhe Bushi apo akoma më tej kur ofendoi me të gjitha fjalët “etike” kandidatët e opozitës.

Kryeministri, nuk përbën më habi me sjelljet e tij, se në fund të fundit është ai që dikur një gazetareje i tha “Je një prostitutë…”. Nuk përbën as ndonjë problem mënyra se si ai reagon madje mohon dhe relativizon deri në shtrembërim atë që ka thënë pak orë më parë vetëm e vetëm në shërbim të manipulimit të publikut. Të gjitha këto nuk më japin habi sepse siç ne e dimë shumë mirë, Rama është një mjeshtër i marifetit të blerjes dhe sundimit të medias jo sipas variantit Berisha (i cili është arkaik në këtë zanat “xhentëlmenash”) por sipas një varianti katërcipërisht më të zhvilluar dhe të evoluar.

E pra, Rama i ka mediat tona në dorë, nuk ka nevojë që dora e tij të jetë e dukshme sepse sa herë që ato i duhen reagojnë ashtu siç ai do. Doni një shembull? Merrni vitin e armëve kimike kur një media (revista Mapo) e shpalli Ramën “Njeriun e Vitit”. Doni ende një shembull? Merrni rastin e z. Sejdini dhe shihni reagimin e unionit të gazetarëve. Ky i fundit, bashkë me Ramën shkuan dhe në Paris në ditët e para të vitit për të mbrojtur fjalën e lirë.

Ajo që prisja, nga kryeministri i vendit ishte në fakt mënyra se si ai do të sillej me votuesit. A do t’i trajtonte ato si njerëz? Duke dëgjuar të gjitha ligjërimet që ai ka kryer deri më tash kam vërejtur problemin e tij të kahershëm, që u duk se ai e zhduku në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Në atë periudhë ai fliste për një bashkim shqiptarësh që duhet të shporrnin “djallin” Berisha, në ç’do fjalim të tij ne kishim sa e sa rreshta ku ai përgjërohej për një bashkim të madh ndaj të keqit Berisha.

Sot, pasi ai votim plebishitar u krye, Rama i është rikthyer fjalorit dhe ligjërimit të tij të vjetër që i ngjason ecjes së shkalafitur të një rioshi që i çliruar nga endorfina e një nate të mbushur me ekstazë kërkon të na bindë që gjërat janë më mirë së paku se dje. Po pse? Askush s’di të japë një përgjigje veç faktit që koha ecën dhe ne jemi dy vjet më shumë se sa në 2013, por ende nuk ka një të dhënë sasiore që të na dëshmojë që gjërat janë më mirë se sa dje. Madje, nuk ka asnjë të dhënë që të na flasë se gjërat janë në udhën e mirë ndryshe nga dje.

Atëherë, ky ligjërimi ne “ato” dhe me “ne” shpjegohet me mungesën e atyre që duhet të ishin arritur. Përballë dështimeve të suksesshme që një qeveri e ngritur mbi fasadën dhe shëtitoret sipas gustos së shefit duhet padyshim një ligjërim agresiv, në kufinjtë e një ligjërimi utopik të mbushur me patos dhe zbukurime për arritjet. Por, mbi të gjitha të mbushur me nëmje, akuza deri në ofendime për ato që për një arsye apo për një tjetër nuk mendojnë si mazhoranca.

Gjithë sa më lart, nuk janë vetëm se një avaz i vjetër i kryeministrit, i cili përballë rezultateve dështake dhe premtimeve utopike ka vetëm një rrugëzgjidhje anatemimin e tjetrit. Njësoj, si paraardhësi i tij që kur dëshironte të akuzonte opozitën i quante ato “neo-bllokmenë”.

E vërteta e hidhur sot e kësaj dite është se Edi Rama dhe Ilir Meta nuk janë vetëm se një kopje e rinuar e qeverisë Berisha-Meta. Rama, njësoj si Berisha dje, nuk ka asnjë skrupull më të paktë për të mbajtur pushtetin qoftë edhe duke bërë të njëjtat veprime që ka kryer Berisha. Fakti që ai mbron me zell të madh kandidatët e tij me rekorde të qarta kriminale nuk është as më shumë e as më pak një shenjë që ai mund të bëjë gjithçka për pushtetin.

Ai i cili ka dyshime se Rama nuk do të vriste njësoj si më 21 janar le t’i hedhë një sy aleatit të tij i cili nuk është as më shumë e as më pak se sa sebepi kryesor i asaj proteste. Sot, një grup të rinjsh në këtë datë dalin në protestë duke i kujtuar gjakun e të rënëve në atë ditë dhe paktin e ngjalës. Prandaj, nëse ai ende nuk ka vrarë, kjo mendoj se është çështje kohe por jo aftësie.

Ndoshta, mazhoranca, do të fitojë bindshëm këto zgjedhje vendore. Arsyeja e kësaj fitore nuk qëndron dhe aq në opozitën e dobët dhe mazhorancën e fortë, drejtimin e duhur dhe fushatën pa vizion. Sipas meje, kjo fitore nëse vjen, do të jetë si pasojë e fanatizmit partiak dhe thesit me miell që do t’u jepet atyre! E vërteta e hidhur e këtyre zgjedhjeve është se njerëzit po blihen njësoj si dy apo katër vjet më parë, madje numri i këtyre blerjeve është rritur me progresion gjeometrik. Kjo do të thotë që ne nuk jemi më të lirë se përpara 23 qershorit 2013.

Pra, ne nuk do të gdhihemi më të lumtur se sa dje, madje as ato që kanë votuar kandidatët e mazhorancës nuk do të gdhihen më të lumtur se sa dje.

You may also like...