Dezintegrimi Vlerave (II)

Xhabyni

Sistemi që prodhon këto deputetë

Skema e suksesit në vendin tonë është shumë e thjeshtë, nuk ke nevojë për shkollë të lartë, të kesh lexuar shumë libra apo të bësh master. Jo, mjafton të jesh pak horr, po pikërisht horr pastaj e ke të garantuar.10500588_702823763087267_33285996583296563_n

Le të vijmë tani në vendin tonë, një i dënuar për prostitucion në vendin fqinj, lirohet nga burgu dhe në vitin 2009 bëhet drejtor me peshë në Inspektoratin Ndërtimor Urban Kombëtar më pas ngrihet në detyrë dhe bëhet deputet i qarkut të Lezhës. Partia që e bëri drejtor ka guximin për ta akuzuar si kriminel, duke nxjerrë nga arkivat edhe dosjen penale të tij. Fakti që ky i dënuar për trafik prostitucioni dhe heqje lirie qe drejtor i partisë që publikoi të shkuarën e tij, dështon të na habisë. Kjo është ajo që “zakonisht” ndodh.

Dhe nëse ndodh që të shtrojmë pyetjen se si një i dënuar u bë drejtor pa kaluar asnjë ditë pune si nëpunës i shtetit, gjasat janë që kësaj pyetje të mos i përgjigjemi dot, llogorizimi politik do të futet në mes dhe ne nuk mundet dot të nxjerrim gjë në dritë. Edhe pse një sqarim e meritojmë nga një opozitë, që me shumë të drejtë po nxjerr në pah emërimet e të dënuarve në poste kyçe nga Rama por që me sa duket nuk paska qenë edhe vetë aq e pastër sa pretendon.

Gjithsesi, ajo që të vret në këtë mes është sistemi që ne kemi ngritur (pra përfshirë dhe opozitën e sotme), i cili po degjeneron gjithnjë e më shumë duke e dërguar vendin në një vorbull ku vështirë se do të shpëtojmë pa pësuar ndonjë gjëmë. Me aq sa shohim kuptojmë se ky sistem është një krijesë që shumë shpejt do të ha kokat e atyre që e kanë krijuar sepse do t’u dalë nga kontrolli dhe pikërisht Ndokat janë një shenjë për atë që do të shohë.

Le të flasim më qartë, nëse deri dje mazhoranca përpiqej që këto “ushtarë” që e ruanin votën me armë apo ishin të fortë e kishin fis të madh (pra hambar votash) i rregullonte në poste drejtorësh por nuk i dërgonte më tej. Opozita e djeshme duke dëshiruar fort pushtetin i bleu këto “ushtarë” duke i mikluar me postin e deputetit, duke e rritur kaq shumë pjacën por ama nga ana tjetër duke e kaluar në një stad tjetër evoluimi të sistemit. E gjitha kjo mund të shihet qartazi tek 17 deputetët të cilët qytetarët e dinë fare mirë se kush janë, përpara se opozita të na i bëjë publike, por që sot janë kthyer në kryefjalën e kësaj të fundit.

E kjo mënyrë miklimi ka gjasa që të përkeqësohet nga viti në vit, sepse historia këtë ka treguar, ndaj dhe parlamenti është shndërruar nga një arenë e diskursit politik në një arenë të sharjeve dhe dajakut politik. Mazhoranca e tanishme duket se përmes ministrave të veshur me Channel apo Armani, përmes CV të tyre duke i paraqitur të huajve fasadën. Të huajt duket se bëjnë sikur s’e kuptojnë degjenerimin e vendit, para një viti Hillary Klinton erdhi në të njëjtin Parlament ku ndodhej i famshmi Tom Doshi apo dhe Gramoz Ruçi (persona non grata në SHBA). Duket se edhe ato e kanë mirë pranuar këtë fakt, duke na treguar se vetëm ne mund ta zgjidhim këtë katrahurë. Ndërkohë qё po në atë parlament ndodhet një nga përgjegjësit e Gërdecit.

Ky lloj degradimi politik i përngjason asaj që ndodhi në Republikën Romake (SPQR) e cila rrugën e saj drejt diktaturës perandorake e nisi pikërisht duke emëruar në Senat njerëz me precedentë penale. Ishin komandantët dhe senatorët si Krasi, Pompei dhe Çezari që mbështetën një kriminel si Katilinia për të rrëzuar konsullin Ciceron e kështu për të rrëzuar Republikën. Qenë po vetë patricët konsuj të Romës së lashtë që mbështetën një hajdut dhe të korruptuar si Verro për të likuiduar senatin.

Shembulli i Romës, është një nga shembujt më të prekshëm për të kuptuar se në çfarë derexheje kemi përfunduar. Ndaj pak rëndësi ka nëse nesër Byroja Parlamentare e përjashton Ndreun nga parlamenti, sepse sistemi që politika jonë ka ndërtuar në këto vite është e tillë që përherë do të ketë së paku një të tillë në parlamentin tonë. Tom Doshi dhe Stërkaj janë dëshmitarët par excellence të kësaj komedie të zezë që luhet në atë parlament. Të dy deputetë-sherifë që qarkullojnë sa nga njëri krah në krahun tjetër duke transferuar hambarët e votave e ushtarët e radhës tregojnë jo vetëm për degjenerimin e politikës sonë por edhe për atë zvetënimin moral e të vlerave njerëzore. Këta janë mercenarët e votave, u paguhen prurësit më të parë.

Ndaj zhbërja e këtij sistemi është diçka e domosdoshme, por gjithsesi e vështirë Ajo që mendoj se do të ndodhë sepse ky sistem do t’i ha një nga një bijtë e tij, njësoj si i mëparshmi, shoqëria jonë do ta vuajë këtë ngrënie njësoj siç e vuajtëm 50  vite më parë. Por kjo është tarifa e shtrenjtë që duhet të paguajmë të gjithë sepse fundja të gjithë jemi nga pak fajtorë për krijimin e një sistemi antivlerash që kulmon me një politikë amorale dhe të pacipë. Fundja parlamenti është shëmbëlltyra jonë më e mirë derisa shkojmë e i votojmë ato deputetë.

 

You may also like...