Disa refleksione mbi kupën e katërt të Gjermanëve

6fda55bbe6c2641ddb10e0b6dcc43ef1-210_mediagallery-articlePërpara fillimit të Kupës së Botës nuk ishin të paktë zërat që flisnin për një Gjermani që kishte nevojë për një Fyrher që ta tërhiqte atë përpara për të kaluar vështirësitë. Thuajse të gjithë legjendat (meqë sporti legjendat I ka dhe të gjallë e nuk i përdor si historia në formë mitologjike) e tyre pretendonin se një nga të metat e këtij ekipi ishte pikërisht mungesa e Fyrherit (lexo Liderit) që hera herës ishte Mateus, Rumenige apo Bekenbauer.

Një trajtesë të tillë mund ta lexoni edhe tek një shkrim nga gazeta online Slate, autori i së cilës ngrinte pyetjen nëse një Gjermani e tillë do të mundte të ngrinte kupën e botës. Krahasimi i tij ishte goxha interesant, sepse ai merrte për shembull një nga realizimet më të bukura kinematografike pikërisht filmin Agirra :The Wrath of God. Një film të cilin regjisori Herzog e ka xhiruar me pistoletë në dorë, duke i detyruar me përdhunë aktorët protagonistë të luanin në kushte çnjerëzore një film në mes të pyjeve të Amazonës.

Mirëpo faktet flasin ndryshe, një Gjermani me një lider të heshtur (Philip Lahm) i cili me zgjuarsinë dhe mos kërkimin e reflektorëve (fjala vjen si Ballotelli, Ronaldo, Neymar apo ndonjë tjetër) e udhëhoqi ekipin në fushë. Trajneri gjithaq është pjesë e këtij suksesi përmes të cilit ndërtoi një ekip me lojtarë të cilët jo vetëm thyen një tabu, pra atë të liderit të padiskutueshëm, por botës i rrëzuan një paradigmë akoma më të madhe, Brazilin.

Në fakt, Gjermania hyn në historinë e botërorëve me thyerjen e një paradigme atë të Hungarisë që në vitin e largët 54’ ishte ekipi pretendent për të fituar kupën Zhyl Rime. Mirëpo teutonët asokohe fituan duke sjellë një revolucion në futboll e duke rrëzuar ekipin e ëndrrave dhe ndoshta një ndër ekipet më të mira që ka pasur bota. Po të njëjtin fat kishte dhe Portokallia Mekanike e vitit 74’ apo edhe Argjentina e Maradonës në 90’ e cila u dorëzua përpara Gjermanisë, duke treguar për të dytën herë që Gjermanët janë një nga ekipet që rrëzojnë mbretërit nga froni.

E pikërisht në shtëpinë e pentaampeonëve Gjermania i jep një leksion jo vetëm atyre por edhe botës së futbollit e cila kupton se mbreti absolut i këtij sporti nuk është më Brazili. Kështu 60 vjet pas rrëzimit të mitit Hungari, Gjermanët rrëzojnë mitin me emrin Brazil. E të mendosh që ky ekip nuk ka atë frymën nacionale që kishte ekipi i vitit 54’.

Përpara dy viteve kur Gjermania e Loew u mposht nga Italia në Evropianin e 2012 ishin të shumtë zërat kritikë që ia adresuan kritikat faktit se në kombëtaren Gjermane tre lojtarë të tyre nuk e këndonin himnin e Gjermanisë. Ato arsyetonin se mungesa e himnit transmetohej tek adrenalina e munguar në gjak, e kjo për pasojë solli një mos motivim e kështu rezultati qe ndeshja e dobët, aq sa Ian Buruma në një shkrim të tij ngrinte pyetjen për një futboll post-nacionalist. Mirëpo fitorja aq e thellë kundër një Brazili që e këndonte me tone decibeli shumë të lartë himnin i tregoi botës se nuk qe himni ai që rrit adrenalinën dhe dëshirën për të fituar, nuk qe himni ai që mund të të japë fitoren e kupës së botës. Jo vetëm kaq, por ndryshimet taktike që Loew bëri duke analizuar humbjen e teutonëve në 2010 e më pas 2012 sollën ndryshimin që u kurorëzua.

Kështu me një ekip të mbushur nën frymën e multikulturalizmit, Gjermania ri solli edhe një herë në skenë idenë se futbolli nuk i përket një kombi, race apo etnie por ama ai është aq universal sa edhe i përvetshëm. Nëse Gjermania fitoi e bëri këtë falë përkushtimit për t’ia arritur kësaj dite, thënë më shkoqur “I bëri hyzmetin punës”.

E gjitha kjo shkon në vijë paralele, nëse mund ta heqim një të tillë, me atë që ndodhi sivjet në NBA ku një lider i heshtur si Tim Duncan dhe një ekip kokë ulur (pa yje që kërkojnë prozhektorin) si San Antonio Spurs dolën fitues të titullit botëror. Duke i treguar botës se jo përherë liderët që rrahin gjoksin janë ato që fitojnë, duke i treguar botës se sporti është i bukur sepse është një ekip që lufton dhe mbrohet si një i vetëm.

Ajo çka Gjermania bëri që në ndeshjen e parë duke thyer Ronaldon e Topit të Artë ishte jo vetëm thyerja e mitit të Brazilit të pamposhtur, Gjermanisë që vetëm me një Fyrher mund të fitojë apo e thyerjes së miteve që një lojtar si Ronaldo dhe Messi do hyjnë në histori duke tërhequr zvarrë ekipin apo edhe fitoren e një Evropianeje në Amerikën Latine (Brazili e ka fituar në 58′ në Suedi). Mbi të gjitha ajo theu e mitin se vetëm raca e pastër Gjermane mund të fitojë botërorin, se vetëm ato që këndojnë himnin frymëzohen për të fituar. Ndaj ky botëror do t’i hapë me siguri rrugën një fryme të re dhe interpretimi të ri jo vetëm lojës por edhe Kupës së Botës.

 

Xhabyni

You may also like...