Disfatizmi I Nacionalizmit

Xhabyni

 

Ngjarjet mbas ndeshjes Serbi vs Shqipëri e sidomos pas vendimit të UEFA-s, ri sollën në skenë ligjërimin mbi nacionalizmin dhe efektet e tij në një shoqëri. Nga pala shqiptare, nacionalizmi u shpjegua si një  reagim kundër nacionalizmit serb, si një formë mbrojtje. Një pohim që përgjithësisht u kundërshtua nga shumë shkollarë, gazetarë apo edhe persona që mendojnë se nacionalizmi është i dëmshëm për shoqëritë pa bërë dallimin e nacionalizmit mbrojtës apo sulmues.

Një nga thëniet që u përdor më së shumti nga nacionalistët (nëse mund t’i quajmë kështu) qenë vargjet e At Gjergj Fishtës i cili në një nga poemat e tij e quan Evropën një “kurvë” e cila kënaq “klysht e Rusisë” duke sakrifikuar Shqipërinë. Dukej pak e çuditshme që në një vend si Shqipëria ku të gjitha forcat politike (qoftë edhe e famshmja Aleanca Kuq e Zi) kanë në programet e ligjërimet e tyre futjen në Bashkimin Evropian. Madje jo vetëm partitë, por edhe vetë shoqëria jonë është në masë shumë të madhe pro integrimit evropian, të paktë janë ato që kanë ndonjë mendim të kundërt apo të mirë argumentuar për kundërshtimin në këtë bashkim.

Por cila është arsyeja që mundet të ketë shtyrë shqiptarët që në masë (kishte edhe politikanë prej atyre që kanë cituar Fishtën dhe vargjet e tij) që të shprehin këtë duf ndaj Evropës? Një përgjigje naive edhe e thjeshtë do të ishte vendimi i UEFA-s, megjithëse e gjykuar me ftohtësi do të kuptonim që edhe ne ishim fajtor për këtë dënim. Por, mendoj se përgjigja është më e thellë, ajo shtrihet në frymën nacionaliste të induktuar nga elita intelektuale prej kohësh në shoqërinë tonë.

E pikërisht nacionalizmi që na është induktuar është njësoj si në vendet fqinje, ka doza të theksuara disfatizmi dhe romantizmi që hera herës kulmojnë me një hero prometean që sjell për pak dritën në këtë vend. Por fatkeqësisht kjo dritë shuhet nën errësirën që vjen si pasojë e një disfatizmi që na imponohet o nga fatkeqësia (pushtimi bizantin, osman, islami, komunizmi e kështu me radhë që përgjithësisht vijnë nga lindja) ose nga një e keqe që ka zënë rrënjë mes nesh apo pse jo nga një dritëshkurtësi e Fuqive Evropiane (nënkupto zotave të dijes dhe civilizimit nën optikën e elitës sonë) që kanë sjellë këto të meta.

Ajo që vërehet është se këto ndjesi për fatkeqësitë e tyre i kanë edhe Serbët në po të njëjtën mënyrë, njësoj si ne edhe ato mendojnë se fatkeqësitë edhe smira e Evropës “kurvë” ka ndikuar në zvogëlimin edhe mos lejimin e “Serbisë Natyrale”. Edhe ato ushqehen me këtë disfatizëm nacionalist duke menduar se e gjithë bota është kundër tyre, dhe se vetëm Zoti edhe ato mund ta shpëtojnë kombin e shenjtë sllavo jugor. Duket, se të gjithë ballkanasit mendojnë njëlloj e nuk ka se si të ndodhë ndryshe përderisa nacionalizmi ushqen me të njëjtën lugë këdo që është i uritur për të.

Një kërkim në internet më ka dërguar tek një hartë e cila tregon ndryshimet e Evropës nga viti 1700 e deri më tani. Për kuriozitet fillova t’i hedh një sy jo vetëm kësaj por edhe hartave të tjera që tregojnë këto ndryshime që nga vitet e ndarjes së Perandorisë Romake. Ajo që vërejta është se përgjithësisht zona e ballkanik ka qenë ndër më të qetat (për sa i përket çështjeve territoriale) se sa Evropa Qendrore. Kjo e fundit ka qenë pre e betejave mes Prusianëve, Mbretërisë Polako-Lituane, Austro-Hungarisë e kështu me radhë.

Pra, nuk paskemi qenë vetëm ne popuj të mbytur nga ai disfatizëm që nacionalizmi na ushqen sikur na kanë ndodhur ne. Popuj të tjerë kanë luftuar më shumë se sa 100 vite me njëri tjetrin edhe sot janë fqinjë të mirë, me gjithë pa pëlqimet për njëri tjetrin dhe shembuj të tillë historia ka plot (Franca me Anglinë fjala vjen). Kështu, disfatizmi i  nacionalizmi që e shndërroi Evropën në një “kurvë” nuk është gjë tjetër vetëm se një argumentim naiv përmes të cilit nacionalizmi përpiqet të fitojë terren duke e keqpërdorur një padrejtësi ndaj një grupi të caktuar në favor të tij.

Pikërisht këtij disfatizmi, që është produkt i nacionalizmit, shoqëria jonë duhet t’i ruhet sepse e gjitha kjo ndikon në psikologjinë e një shoqërie dhe në mënyrën se si ajo jeton. Nuk duhet të harrojmë se Gjermania e Rajhut të dytë (pra ajo e 1913) filloi luftën e Parë Botërore sepse besonte se Evropa i kish bërë padrejtësi. Ndërkohë që Hitleri disfatizmin e Gjermanisë përgjatë historisë e bashkoi me romantizmin e nacionalizmit dhe prodhoi atë luftë të dytë botërore. Kështu ajo që u prodhua ishin dy luftëra botërore, që vranë më shumë se sa ishin vranë në luftërat e mëparshme e që njëkohësisht shënjuan fillimin e totalitarizmave që vazhduan të vrisnin gjithnjë e më shumë njerëz në emër të kërkimit të plotësimit edhe përmbushjes së ëndrrës që hera herës përdorën disfatizmin nacionalist për aplikimin e dhunës apo propagandës së tyre.

You may also like...