Ditari i 70 vjetorit të çlirimit të Tiranës

Xhabyni

Mjerë ato popuj që kanë nevojë për heronj, thotë Bertolt Breht. Mjerë ato popuj që riprodhojnë heronj për të rikujtuar ditët ku ato mendojnë se ishin të lumtur. Sot paradite ndërsa lexoja në gazetë një shkrim të Fatos Lubonjës, mu kujtua teoria e Leon Festinger, atë të disonancës kolektive, të cilin autori e kishte përdorur në shkrimin e tij e që mund ta lexoni aty.

Në po të njëjtin moment në tre vende të ndryshme zhvilloheshin dy ngjarje diametralisht të kundërta. Në sheshin e Partizanit të Panjohur, qeveria po nderonte ditën e çlirimit të Tiranës. Në krah të qeveritarëve (siç është bërë në modë që pas 23 qershorit) ishte portreti i Enver Hoxhës, dikush më tha që një djalë 22 vjeçar (Sekretari Rinisë) kishte lëvduar diktatorin me një zë të imët (partia e trashëgon dashurinë për komunizmin).

Disa kilometra më tutje, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, kryetari i bashkisë Tiranë (njëkohësisht dhe kryetari opozitës dhe Partisë së idealeve të Dhjetorit) kishte lënë porosi që të nderoheshin martirët e rënë për çlirimin e Tiranës. “Nderojmë ata që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës. Tirana ndër të paktët kryeqytete të Europës që u çlirua nga gjaku i bijve dhe bijave të saj. Çlirimi është një fitore ndaj forcave të boshtit nazifashist. Nderojmë idealin e të rinjve për një atdhe më të mirë, demokratik. Sot në 70 vite sfidat janë sa të ndryshme dhe kaq të ngjashme, ideali ynë për një vend më të mirë më të drejtë, për një demokraci funksionale vazhdon të jetë prezent. Me shembullin e tyre mësojmë se jeta ia vlen të jetohet” shprehej pasi kish përkulur kokën përpara “Nënës Shqipëri” nënkryetari i bashkisë.

Ndërkohë që nga Brukseli, një qytet që deri para disa viteve partizanët e kishin si personifikim të imperializmit, kryetari i opozitës edhe idealeve të dhjetorit uronte qytetarët e Tiranës për aktin heroik që kishin kryer bijtë e këtij dheu 70 vite më parë.

Midis këtyre viganëve përkujtues në formë sanduiçi ndodhej një grup i vogël deputetësh demokratë që pranë selisë së Ish të Përndjekurve Politikë (një tjetër term risi në terminologjinë postmoderne të vendit tonë) po përkujtonin se si këto partizanët që nderoheshin në skajet e qytetit të çliruar kishin vrarë brenda më pak se një muaj 37 qytetarë të këtij vendi. Të vrarë, siç pohonte një prej deputeteve të veçanta në atë grup, për të përhapur ndjenjën e terrorit njësoj siç Hitleri bëri në mbrëmjen e natës së kristaltë.

Të duket sikur jeton në një surrealizëm, por në fakt ky është terreni postmodern i Shqipërisë sonë. Terren që ne e përjetuam me ardhjen e Papës dhe varjen e figurave të priftërinjve të vrarë nga këto partizanë që qeveria sot i glorifikon. Por, siç e dimë, Edi Rama është mjeshtër i provokimit (sepse atij i duket vetja piktor dhe jo kryeministër) ndërkohë që qytetarët janë kavjet e provokimeve të tij.

Ja, kështu, pas këtij nderimi grupi i deputetëve duke qenë në dijeni se mazhoranca kish nderuar me portretin e komandantit doli me një deklaratë për shtyp “Me fotot e Enverit pas shpatullave, me korin e Enverit në sfond, Rama dhe Meta, gjetën mënyrën më të turpshme për të baltosur 70 vjetorin e çlirimit të Tiranës, shprehej kryetari i grupit parlamentar Paloka. Ja dhe skena u plotësua, kryetari i grupit parlamentar pasi përfundoi nderimin e atyre që u vranë nga partizanët disa ditë para çlirimit të Tiranës, pasi dëgjoi fjalën që i krahasonte këto vrasje me fillimin e terrorit (pra shqip e mohoi këtë si festë) rinis të flasë se shfaqja e Hoxhës “baltos 70 vjetorin e çlirimit”.

Në fund dy fjalë për këto zbukurimet e vendosura aq jo estetikisht sa edhe vetë diktatura. Zbukurime që më kujtojnë, e kush është i madh në moshë e ka parasysh, zbukurimet që Rama kur qe kryebashkiak bëri duke e mbuluar sheshin Skëndërbej me “Yjet e pashuar”. Natyrisht që mesazhi i tij është vizual, por i përpunuar mirë dhe ky mesazh më kujton historinë me emrin Lenin, që një miku im më pat treguar një herë.

Historia tregon se në kohën e ideve bolshevike, ku Cari s’ishte rrëzuar, plasin në burg një marinar që shkruan me laps në murin e burgut emrin LENIN. Kur e zbulojnë atë e dënojnë me varje qelinë e lyejnë dhe më pas hedhin një të varfër që e shkruan me thonj emrin LENIN. Kështu qelia lyhen por gjithnjë emri që dilte ishte LENIN. Morali i përrallës? Këtyre, sa herë që hedhin ndonjë bojë mbi muret e tyre u del gjithnjë në pah emri ENVER.

You may also like...