Ditari I shëtitores

Shëtitorja pranë kalasë së Tiranës, është një nga vendet më interesante të një Tirane të mbushur me zhurmë dhe rrëmujë. Atje ndodhen një sërë godinash që në vetvete janë të rëndësishme për jetën artistike të qytetit, aty ndodhet Galeria e Arteve, Teatri Kombëtar, Kinemaja e qytetit, Muret e Kalasë së qytetit dhe së fundmi rrënojat e një kalaje më të vjetër. Ishin këto të fundit, të zbuluara gjatë projektit për unazën e vogël që zunë ngushtë “arkitektët” e Bashkisë duke u dorëzuar që atje mos të ndërtohej rrugë. Logjikisht, atje nuk duhej të ndërtohej as ajo godina e shëmtuar që aktualisht po ndërtohet nga firma “Gener 2” por ish kryetari i Bashkisë nuk ishte dhe aq dashamirës për historinë e qytetit dhe për urbanistikën e tij.

Kështu, qytetarët e Tiranës, duhet t’ia dinë për faleminderit rrënojave të Tiranës ndërtimin e shëtitores që fillon që nga Galeria e Arteve e përfundon tek Ura e Tabakëve. Një shëtitore e ndërtuar me paratë e Bashkimit Evropian, se për besë ne nuk do jepnim asnjë lek për këto budallallëqe. Koncepti i shëtitores është i thjeshtë dhe i bukur, atje mundohet të paraqitet një pjesë e mirë e historisë së qytetit dhe ndër të tjera do ishte një mënyrë e këndshme për të shkuar sa nga teatri tek Galeria, Kinemaja apo rrënojat e kalasë.

Siç e përmenda më sipër, shëtitorja duhet të shoqërohej me anulimin e kompleksit të shëmtuar por kjo do të ishte e tepërt për një kryetar bashkie që futi në kllapi tyrben dhe vetë urbanistikën. Kështu, që kur erdhi kryetari i ri i bashkisë shpresuam që së paku shëtitores t’i mbetej fryma me të cilën u ndërtua e pastaj ndonjë qytetar optimist edhe ka shpresuar që ai ta kthente në një farëlloj shëtitore ku s’ka lokale por le të themi gjëra që kanë lidhje me artin.

Kryetari i Bashkisë është përkujdesur që nga dita e ardhjes në krye të bashkisë e deri më tani (me shumë mundësi derisa të humbë zgjedhjet e bashkisë) për këtë shëtitore duke e kthyer një nga të paktat zona simpatike të qytetit nga Pedonale në Qoftenale. Thuajse në çdo ngjarje që lidhet me qytetin e Tiranës, kjo shëtitore shndërrohet në një qebaptore e madhe e sipas kalimtarëve nuk ka gjë më të mirë se sa të dalësh nga një shfaqje teatrale dhe t’i fusësh një qofte me birrë.

Megjithëse kryetari Basha premtoi se do t’i rikthente Tiranës vendet historike nuk mund të themi që ai nuk e ka plotësuar këtë premtim. Por alas! Basha është përpjekur që të na ofrojë një qasje subjektive të historisë, mbase sipas këndvështrimit të tij të historisë tironsit e vjetër dhe ilirët kanë qenë qoftexhinj që pinin birra gjithë ditën. Kjo është një nga arsyet se përse kryetari Basha ka vendosur që ta shndërrojë shëtitoren që të dërgon në rrënojat e kalasë së Tiranës në një qebaptore me 5 yje. Një tjetër arsye është ajo e harmonizimit të qoftes, birrës, artit dhe kulturës.

Pikërisht këto ide gjeniale dhe njëkohësisht arritje gjeniale të një kryetari gjithaq gjenial, i kanë dhënë mundësinë atij të fitoj një llagap të ri, duke u quajtur tanimë; Lulzim Qoftja!

You may also like...