Drejtësia selektive është padrejtësi, edhe në rastin e Gjin Gjonit

Gjin Gjoni është i njohur përtej çdo imagjinate për pasurinë e tij të vënë si gjykatës. Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive i ka patur të dhënat më herët, por i bëri publike këto ditë se si ai disponon miliona euro pasuri të deklaruara, për të cilat ka dokumente false dhe burime të pajustifikuara. 

Ai nuk është i vetmi gjykatës i tillë.

Por Gjin Gjoni qe edhe një nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku qeveria e sotme ka vendosur të bëjë një spektakël publik në emër të luftës kundër korrupsionit.

Kreu i ri i inspektoriatit i zgjedhur nga maxhoranca e sotme po i shërben kësaj maxhorance, më saktë spektaklit të saj me temë antikorrupsionin. Sido që akuzat ndaj një të korruptuari par excellence janë të mikpritura, ato vështirë se na gënjejnë. Lufta kundër korrupsionit në drejtësi na udhëhiqet nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Një drejtësi që shënjestron të korruptuarit në mënyrë selektive nuk është dhe nuk mund të jetë drejtësi. Ajo njihet si armë e pushtetit për të larë hesapet e veta, por kurrsesi jo si drejtësi. Milionat e eurove të fituara përmes korrupsionit gjenden gjithkund.

E ashtuquajtura zyrë kundër pastrimit të parave thotë se ka disa politikanë (të ndarë përgjysmë mes maxhorancës dhe opozitës) që dyshohen për pastrim parash, por nuk u publikon emrat. Mospublikimi i emrave e bën këtë “denoncim” në fakt një mjet shantazhi.

Edhe ajo nuk mund të na gënjejë.

Në rast se ndodh ndonjë mrekulli dhe Gjin Gjoni dënohet nga i njëjti sistem drejtësie nga ka dalë, pasuritë e tij konfiskohen etj., sërish vështirë se mund të presim që gjykatësit të bëjnë drejtësi. Ne na duhet t’i duartrokasim këto “nisma antikorrupsion” por me një dozë të fortë sarkazme. “Bravo qeveria”, por nuk është se po na e mbush mendjen…

You may also like...