E ardhmja e pasigurtë dhe e tashmja e frikshme

Kryeministri Rama i duhet të provojë besnikërinë e tij ndaj aleatit Meta gjatë ditëve në vijim e këtë na e bëri të ditur Gjovalin Kadeli, deputeti libero i kuvendit që në dy legjislatura ka ndërruar po kaq parti. Sepse sipas deklaratës së fundit të deputetit libero Kadeli, aleatja kryesore dhe që i mundëson qeverisjen në qetësi të plotë Ramës do t’i kërkojë këtij të fundit kokën e një ministri.

Xhabyni

I

Kryeministri Rama i duhet të provojë besnikërinë e tij ndaj aleatit Meta gjatë ditëve në vijim e këtë na e bëri të ditur Gjovalin Kadeli, deputeti libero i kuvendit që në dy legjislatura ka ndërruar po kaq parti. Sepse sipas deklaratës së fundit të deputetit libero Kadeli, aleatja kryesore dhe që i mundëson qeverisjen në qetësi të plotë Ramës do t’i kërkojë këtij të fundit kokën e një ministri.

Gjasat janë që koka e Kurbanit që do të kërkohet nga aleatja do të jetë ajo e Saimiri Tahirit, arsyet se përse Kurbani do të jetë ky i fundit janë të shumtë. Ministria e drejtuar prej tij nuk ka treguar asnjë aftësi për të mbajtur të lidhur apo për t’i rikthyer qetësinë vendit, shtoni këtu edhe faktin që akuzat kryesore të opozitës janë drejtuar kësaj ministrie që me sa duket është e mbushur përplot me persona të inkriminuar.

Mirëpo, kryeministrin Rama nuk e kanë sikletosur kaq shumë fakti që në krye të këshillit të Vlorës ka vendosur një kriminel si Danaj, as fakti që Binak Dobrushaj është një nga personat e lidhur drejtë për drejtë me një arrestim të para disa viteve, asnjë nga këto akuza nuk e shqetësojnë kryeministrin përpos faktit që me sa duket Meta ka filluar të lëvizë. Tani për tani nuk kemi asnjë lëvizje dhe asnjë reagim të kryetarit të Partisë Socialiste mbi këtë lëvizje, por do të ishte shumë naive të mos mendonim se Rama e ka të qartë çfarë po i kërkohet. Por a do ta sakrifikojë Rama një figurë si Tahiri i cili ka mbajtur jo pak peshë në periudhën e opozitarizmit socialist?

Mesazhi i zbuluar nga Mul Noka para disa muajve ku Rama e ftonte Tahirin të bënte sa më pak orë gjumi e të reflektonte mbi gabimet e kryera është një tregues shumë i qartë i mungesës së besimit që i pari ka ndaj të fundit. Një tregues tjetër është edhe fakti që Tahiri në nxitim e sipër doli në një deklaratë për shtyp e cila u kundërtha dhe nga vetë Rama gjatë apologjisë së tij për rënien e avionit të drogës. Por sikur të gjitha këto të ishin detaje të vogla që nuk plotësojnë kuadrin. Mund të vendosim një bast të sigurtë që Rama do ta heqë Tahirin?

Po sikur të mos ia kem qëlluar kësaj radhe me Tahirin? Sikur në vend të tij të kemi dikë tjetër? Cilido qoftë ai ose ajo ministre kam përshtypjen që do të jetë në funksion të raportit të përfitimeve të LSI-së, thënë më shkoqur punësimeve që ajo parti do të kryejë në atë ministri që dëshiron të marrë. Por morali mbetet po i njëjtë, si mundet Rama të sakrifikojë kaq shumë?

Përgjigja është se i dashuri kryeministër ka një delir madhështie të atillë saqë e hëngri turpin me bukë duke lëpirë atje ku kish pështyrë, atë që bëjnë përherë politikanët dhe femrat e përdala sipas popullit. Pra, u bë aleat me Metën për të cilin kishte investuar të gjithë energjitë e tij për ta shkatërruar e për ta quajtur marmelata që ngjitet pas këpucëve.

Kështu që një person i tillë që përbuzi veten vetëm për hir të pushtetit nuk ka e ka fare problem që të sakrifikojë jo një por shumë Tahira. Megjithatë problemi kryesor është diku gjetkë. Si ka mundësi që një parti politike si ajo e LSI-së të jetë kaq e fuqishme sa të ndikojë deri në detajet më të vogla një mazhorancë si ajo e PS? Si ka mundësi që një politikan si Meta i cili ndërton një lajm edhe kur takon portierin e Parlamentit Evropian të ketë kapur kaq ngushtë Ramën?

Përgjigja e kësaj pyetjeje lidhet drejtë për drejtë me raportin e Metës me Shqipërinë dhe Ndërkombëtarët. Ajo që kuptohet nga Meta dhe krijesa e tij politike LSI është se ai ka nevojë për një gjatosh që mund ta përdorë si mburojë apo zbutës të marrëdhënies së partisë së tij me faktorin ndërkombëtar. Me gjithë mungesës së raportit me ndërkombëtarët, Meta është një mjeshtër për raportet e brendshme, ai përmes politikave “realiste” krijon një realitet të përshtatshëm për të mbijetuar.

Në qeverinë e shkuar ai përdori Berishën me të gjithë të mirat dhe të këqijat e tij për të përfituar politikisht, e la të dilte e të lëshonte të gjitha proçkat e mundshme ndërkohë që ai qëndronte pas kuintave duke komanduar lëvizjet e radhës të partisë së tij. Në qeverinë e sotme ai po i lë Ramës të gjithë barrën dhe ato pak vendimmarrje që qeveria Rama ka kryer, duke përfituar ama nga imazhi publik që Blair dhe Cambpell po ndërtojnë për Ramën.

Pikërisht kjo pasiguri e Ramës për politikën brenda vendit është një tjetër arsye se përse ai nuk e ka të sigurtë mbijetesën në një vend si Shqipëria. Ndërkohë që Meta ka defiçencë e një personi të kompromentuar në sytë e ndërkombëtarëve. Ndaj, kjo aleancë e tyre e përkohshme nuk është aq idilike sa miku dhe këshilltari i Ramës e tregon publikisht. Aleanca e tyre e përkohshme është si ç’do aleancë historike mes dy personave që në vetvete e urrejnë njëri tjetrin por ama nuk kanë se ç’të bëjnë sepse janë të domosdoshëm për njëri tjetrin.

Historia na jep një shembull të mirë për këtë. Çezarit iu desh të bëhej mik për kokë me një kokëtul si Pompei me të cilin nuk e puqte asgjë në atë botë përpos armiqësisë së përbashkët ndaj Krasit e anasjellas. Pra, kompromisi është përgjigja e pyetjeve të mësipërme por kush është çmimi i këtij kompromisi? Partia Demokratike po e provon mbi supe kompromisin me një ngjalë si Meta, ndaj ajo duhet të jetë një shembull shumë i mirë për socialistët. Ngjarjet e tanishme dhe ato që pritet të ndodhin në të ardhmen e afërt tregojnë se këto të fundit nuk kanë mësuar asgjë, njësoj siç demokratët nuk e mësuan në 2005 leksionin e korrupsionit që pësoi qeveria Nano.

Ironike duket fakti që Rama është i gatshëm të largojë nga qeveria një ministër, jo se ministri ka dështuar në rikthimin e një gjendje normale apo për emërimet kriminale që po kryen. Nuk na qenka kjo arsyeja por qenka diçka tjetër, qenka një kërkesë që LSI-ja ia kërkon atij. E kjo është fatkeqësi dhe tregon edhe një herë se çfarë duhet të paguajmë ne si shoqëri vetëm që bashkëjetesa romantike e Koços të jetë ende në jetë.

E ardhmja është e paqartë, por e tashmja është e frikshme ndërsa kjo qeverisje mes LSI dhe PS më duket gjithnjë e më shumë si një poezi alegorike franceze. E cila tregon historinë e një burimthi të vogël që lind pranë një liqeni “në një qoshe midis dy gurësh”. Kupa e tij fillon e mbushet me ujë e merr, pastaj, të tatëpjetën me gëzimin që ka dalë nga terri i nëntokës duke thurur, tashmë si përrua, mijëra projekte për të ardhmen; duke ëndërruar se kushedi pas disa gjarpërimesh do të bashkohet me ujra të tjerë e do të shndërrohet në një lumë që do të çajë mes malesh e do të vadisë lugina e fusha. Mirëpo, mbaron fabula, gjigandi i ardhshëm vdes i porsalindur, sepse pas dy tre kthesash përfundon në liqenin e madh “që e gëlltit”. Kështu ndodh kur djepi dhe varri janë pranë e pranë.

You may also like...