Edhe në Finlandë, të ardhurat bazë universale janë një ide tepër e mirë për të qenë e vërtetë

Është një ide shumë e bukur – por për fat të keq, ideja e ndihmës ekonomike bazë për të gjithë shërben më së miri thjeshtë për një eksperiment për testimin e koncepteve të ndihmës ekonomike dhe jo si sistem realist i mirëqënies shoqërore.

Declan Gaffney, Guardian

jobcentre-unemployed-007Finlanda nuk ka në plan të heqë dorë nga sistemi aktual i ndihmës ekonomike dhe t’i japë çdo nënshtetasi një grant pa kushte prej 800 eurosh në muaj – lajmi që ju keni parë nëpër tituj të ndryshëm së fundmi nuk është i vërtetë.

Ajo që Finlanda ka ndër mend është që të bëjë një eksperiment shumë interesant për politikat sociale, ku do të përfshihet një kampion i popullsisë, eksperiment që mundet se mundet të mos e përfshijë një formë të të ardhurës bazë që i paguhet të gjithë pjesëmarrësve: pagesë që mund të mos jetë e dhënë pa kushte e mund të mos jetë plot 800 euro në muaj. Megjithatë, ekstimi i përgjithshëm i shkaktuar nga lajmi qe një dëshmi e interesit të lartë për idenë e të ardhurës bazë.

Kjo ide ka qarkulluar prej shumë kohësh (së paku që nga koha pas Luftës së Parë Botërore), dhe ka tërhequr mbështetje si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. Versione të ndryshme të kësaj ideje janë mbështetur nga ekonomistë shumë të kundërt, si psh nga Friedrich Hayek (i cili frymëzoi Margaret Thatcher) dhe Tony Atkinson (i cili nuk e frymëzoi). Një variant tjetër qe pjesë e manifestit elektoral të Partisë së Gjelbër.

Ndoshta versioni më i advokuar i propozimit për Ndihmën Ekonomike të Pakushtëzuar (UBI sipas akronimit në anglisht) është që ky sistem të zëvendësojë shumicën dërrmuese të programeve të ndihmës ekonomike apo të sigurisë shoqërore që ekzistojnë sot në botë. Ideja është që UBI të japë të ardhura bazë për çdo të rritur apo fëmijë (apo, në disa versione, çdo nënshtetasi) për të mbuluar së paku minimumin jetik. Kjo lloj ideje është ende e patestuar, pra nuk ka një zyrtar që të vlerësojë nëse një individ ka nevojë për ndihmë ekonomike apo jo. Zakonisht supozohet se një skemë e tillë do t’i ofrojë pagesë të barabartë çdokujt, me një pagesë shtesë për familjet me fëmijë.

Ideja e zëvendësimit të ndihmës ekonomike dhe reduktimeve fiskale me UBI-n është shumë joshëse. Nëse nuk ka zyrtarë që vlerësojnë mirë apo keq kur një familje është në nevojë për ndihmë, atëherë nuk ka se si të ketë familje jopërfituese nga skemat e ndihmës ekonomike dhe rrjedhimisht, nuk ka pse të ketë varfëri. Të papunët që janë nën presion nga autoritetet për të pranuar punë të keqpaguara nuk do të jenë nën presion pasi nuk mund të humbasin ndihmën ekonomike për shkak se refuzojnë të punojnë. Nëse nuk ka burokraci në dhënien e ndihmës ekonomike, nuk ka nevojë as për regjim sanksionesh ndëshkuese për (dembelët) nuk ka punonjës të qendrave të punës që shtyjnë njerëzit të pranojnë punë të padëshirueshme dhe të paguara keq. Dhe në këto kushte nuk ka rrezik për mashtrime apo për hile të qytetarëve ndaj sistemit. Shumica e burrokracisë së sistemit të ndihmës ekonomike zhduket. Dhe rreziku që njerëzit të dalin nga punësimi me idenë që do të përfitojnë nga ndihma ekonomike pa punuar nuk ekziston më për shkak se njerëzit do të marrin ndihmën dhe njëkohësisht, do të jenë të lirë të fitojnë më shumë duke punuar.

E gjitha kjo duket tepër e mirë për të qenë e vërtetë, sepse kështu është. Që të jemi të qartë, duhet të sqarojmë gjithashtu se disa nga kundërshtimet më të zakonshme të idesë së UBI janë të pabaza. Argumenti psh, se kjo skemë është “tepër e kushtueshme”, nuk ka kuptim për shkak se UBI është një skemë e rishpërndarjes së të ardhurave ku fituesit dhe humbësit në të gjithë popullsinë kanë rezultante finale zero.

E njëjta gjë vlen për kundërargumentin që thotë se UBI është politikisht e pamundur që të realizohet: shumë propozime politike kanë qenë politikisht të pamundura deri në kohën kur një qeveri ka vendosur t’i zbatojë ato.

Por në rrugëtimin nga koncepti te zbatimi praktik, UBI përballet me një numër problemesh, shumica e të cilave përmblidhen në një kritikë të vetme: ai premton një ndarje të punës mes qeverisë dhe tregut që nuk është as e mundshme dhe as e dëshirueshme, në të cilën, roli i qeverisë në garantimin e sigurisë ekonomike është që të rishpërndajë të ardhurat dhe pastaj të mos bëjë asgjë tjetër.

Kjo mund të funksionojë në një botë me tregje perfektë të banuar nga individë racionalë në perfeksion me vizion perfekt dhe mobilitet perfekt. Por kjo nuk është bota në të cilën ne jetojmë dhe as bota në të cilën ne mund të jetojmë ndonjëherë dhe zbatimi i UBI-t në një univers më realist zhbën shumicën e avantazheve që ideja shfaq në kushte teorike. Ne mund ta shohim këtë duke analizuar pikat kryesore të avantazheve të UBI-t: nuk ka kushte për ta përfituar, nuk ka vlerësim kushtesh nga autoritetet dhe ka pagesë të barabartë për të gjithë.

Regjimi aktual i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për sanksione e bën idenë e përfitimeve pa kushte shumë joshëse. Gjithsesi, fakti është që kushtëzimi i ndihmës ekonomike nuk ka nevojë të jetë kaq ndëshkuese sa regjimi aktual dhe rreziku që pagesat pa kushte për të gjithë mund të nxisin disa njerëz që të zgjedhin papunësinë në vend të punësimit, nuk mund të mos merret parasysh. Pyetja është nëse incentivat e duhura financiare, siç premtohen nga UBI, mjaftojnë që të shmanget rreziku i njerëzve që zgjedhin papunësinë përgjithmonë.

Prindërit e vetëm në Mbretërinë e Bashkuar ofrojnë një shembull, për shkak se deri në vitin 2008, prindërit pa bashkëshort apo bashkëshorte përfitonin diçka shumë të ngjashme me UBI-n, kur ato nuk ishin në punë. Ato nuk kishin detyrimin të kërkonin punë në mënyrë aktive ndërsa uljet fiskale siguronin që shumica e tyre të ishin në gjendje më të mirë financiare jashtë pune se sa në punë. Normat e punësimit të popullsisë janë rritur që nga vitet 1990, si pasojë e përmirësimit të incentivave për punësim të vendosura nga qeveria, por mbetën relavisisht të ulëta deri në vitin 2008, kur u vendos detyrimi për të kërkuar punë. Në vitin 2014, norma e punësimit jashtë Londrës u rrit nga 57 në 61% e popullsisë në moshë pune. Në Londër, rritja qe më dramatike, por nisi nga një nivel më i ulët: nga 45% në 57%.

Leksioni është që incentivat kanë rëndësi (siç shihet nga rritja e punësimit para vitit 2008) – por në mungesë të kushteve, disa prindër që në kushte të tjera do të shkonin të punonin, qëndruan jashtë tregut të punës. Edhe nëse marrim parasysh faktin që prindërit në shumicë zgjodhën punë të keqpaguara me kohë të pjesshme, është e vështirë të mos shohës ndryshimin që nga viti 2008, si një përmirësim. Duke mos pasur kushte dhe duke u bazuar vetëm te incentivat, sistemi para vitit 2008 bëri që më shumë fëmijë të jetonin në shtëpi të papunësh, një situatë që lidhet me ecuri më të keqe në jetë më vonë për fëmijët.

Është e vështirë të shohësh se pse ky leksion nuk shërben në mënyrë të barabartë për skemën aktuale të të ardhurave bazë. Për sa kohë ne nuk e kemi problem papunësinë afatgjatë – ndërkohë që të gjitha faktet tregojnë se ne duhet ta kemi problem – ndonjë formë kushtëzimi i të ardhurave nga ndihma ekonomike duket se është e pashmangshme. Por nëse UBI i nënshtrohet kushteve, shumë nga të mirat që sistemi supozohet të sjellë do të rishfaqen: sanksionet nga qeveria, kontrolli i kushteve për përfitim nga autoritetet dhe burokraci në skemën e ndihmës ekonomike.

Eliminimi i kushteve të përzgjedhjes për aplikantët për ndihmë ekonomike bie gjithashtu ndesh me problemin që ka përndjekur politikën sociale të Mbretërisë së Bashkuar që nga koha e Beveridge: kostoja e strehimit. Në mungesë e kushteve përzgjedhëse, UBI do të duhet të përfshijë një kuotë të sheshtë për koston e banesës.  Kjo do të thotë se ata që kanë banesë të vetën, do të përfitojnë nga UBI shumë më tepër se sa ata që nuk kanë. Akoma më keq, një kuotë fikse për qira e mjaftueshme për të mbuluar koston e banesës në Londër do të sjellë përfitime të mëdha për ata që jetojnë në pjesën tjetër të vendit ku qiratë janë më të lira. E kundërta, nëse kuota fikse do të përcaktohet në nivelin e mesatares kombëtare të qirasë, Londra dhe qytetet e tjera të shtrenjta do të bëhen zona të ndaluara për çdokënd që do të mbështetet te UBI. Për shkak se mobiliteti gjeografik nuk është perfekt, ka gjasa që UBI do të sjellë një rritje të madhe në varfërinë urbane.

Në fund, barazia e pagesës së ndihmës ekonomike bëhet shumë më pak tërheqëse nëse merren parasysh pagesat për sëmundjet e gjata apo paaftësia e përhershme për punë. Nëse të gjitha ndërprerjet e pavullnetshme të punës do të ishin afatshkurtra, një nivel i të ardhurave minimale do të qe e mjaftueshme për t’i mundësuar njerëzit të kalojnë vështirësitë me anë të kursimeve apo borxheve. Por kur njerëzit dalin nga tregu i punës për muaj apo vite, kursimet mbarojnë dhe aksesi te tregu i kredive humbet, rrjedhimisht ky propozim është shumë më pak tërheqës. Për rrjedhojë, përfitimet nga sëmundjet e gjata kanë qenë historikisht më të larta se sa përfitimet për papunësi të përkohshme. Por duke paguar një normë më të lartë fikse për UBI për njerëzit që nuk punojnë për shkak të paaftësisë për punë do të na krijojë gjithashtu nevojën për të mbajtur burrokracinë e vlerësimit të aftësisë për punë.

Në një botë me tregje perfektë, njerëzit mund të blejnë një policë sigurie për t’ia shtuar të ardhurave të tyre nga UBI në rastet e paaftësisë afatgjatë për punë. Por tregjet nuk janë perfektë: shumica e rreziqeve në jetë nuk janë të sigurueshme në tregjet private – kjo është arsyeja se pse ne kemi sisteme të mbrojtjes shoqërore të garantuara nga tregu.

Përshtatjet që UBI duhet të pësojë për shkak të situatave të ndryshme reale e bën këtë ide shumë të ngjashme me sistemin aktual të sigurisë shoqërore. Dhe kjo mund të mos jetë një gjë e keqe: Mund të jetë më mirë të mendosh për UBI-n dhe propozimet e tjera për të ardhura bazë të pakushtëzuara si eksperimente, që na mundësojnë ne të testojmë intuitën e njeriut mbi tema të tilla si të qenit i drejtë, apo mbi pabarazinë, pronësinë dhe rreziqet e tregut. Por jashtë kufijve të eksperimentit, UBI merr ngjashmëritë e sistemit aktual të mbrojtjes shoqërore. Por në fund, eksperimenti mund të na shtyjë ne të mendojmë se sistemet aktuale të mbrojtjes shoqërore duhet të jenë shumë më të ngjashme me idenë e UBI-t, të drejta dhe eficente.

You may also like...