Edhe unë zoti mësues

Xhabyni

Arsyeja se përse më tërhoqi qëndrimi dhe fjalimi që kryeministri Rama mbajti në ditën e shtunë, që përkoi me ditën e protestës së opozitës dhe sindikatave, ishte kurioziteti për të parë reagimin e një kryeministri që në rininë e tij ishte një anti-enverist disa ditë pasi Big Brother-i ynë pas 1990 shprehu hapur përçmimin për fotot e diktatorit. Isha kurioz të shihja se si fjala e kryeministrit do të përthyente e do të hidhte në plehra të gjithë retorikën e ndërtuar këto muaj, ku sa herë sulmohej për lënien e atyre fotografive në ceremonitë shtetërore (apo edhe përkuljen e kokave të ministrave të tij para fotos së diktatorit) sulmi i tij drejtohej ndaj “Enverëve të gjallë”.

Ligjërimi, në veprën që kryeministri e quajti një krijim artistik, ishte një përzierje e dashurisë dhe gatishmërisë përherë perëndimore që Rama ka ndaj vëllait të madh Amerikë. Por, nga ana tjetër ligjërimi mbajti të njëjtin ton sulmues, megjithëse jo me të njëjtin regjistër, ndaj tjetrit atij armikut dhe kundërshtarit politik. Qëllimi im në këtë mes nuk është evidentimi i groteskut në sjelljet e qeverive shqiptare, sepse jam mjaft i bindur që z. Rama nuk është më ai idealisti që tallej me të shkuarën komuniste shqiptare. Nuk e sheh më në dy dimensione, siç pohoi, por e sheh në tredimsione duke përfshirë edhe efektin votë në dimensionin e fundit. As nuk do të merrem me efektin që Edi Rama përpiqet të japë në sytë e të përndjekurve, apo premtimeve që ky i fundit i ka bërë atyre.

Ajo që më tërhoqi dhe më vrau veshin ishin dy pika në fjalim. Gjatë ligjërimit të tij, kryeministri përmendi për të parën herë (në tagrin e zyrtarit të lartë të vendit) fjalinë se shumë shpejt dosjet e sigurimit të shtetit do të hapeshin. Me një herë lidhjen e dosjeve të sigurimit e bëra me ligjin e lustracionit që mazhoranca e djeshme hodhi në treg si një ligj për hapjen e dosjeve (e që unë dyshoj fuqimisht që ishte një tjetër gjë) dhe po kështu e bëra me pjesë nga fjalimi kryeministror i cili rrihte çekanin në klishenë “historinë ta bëjnë historianët”.

Në një shkrim të gazetares Aleksandra Bogdani, të publikuar edhe së fundmi, kam lexuar me vëmendje një dëshmi të personave që kanë pasur apo kanë lidhje direkte me dosjet të cilët shprehen se shumica e dosjeve nuk dihet se ku ndodhen. Se ato janë shkatërruar dhe prishur (për t’u mbajtur vetëm disa kopje nga disa persona) dhe se përdorimi i termit të hapjes së dosjeve bëhet vetëm për efekte politike. Jam tërësisht i prirur që të besoj hulumtimin e gazetares më shumë se sa fjalinë e ndjerë të një kryeministri hipokrit, që standartin e dosjeve e vendos vetëm pasi e ka bërë baltë nderimin dhe “mos-parjen” e diktatorit në ceremoni zyrtare.

E kështu, mund të ngre një pyetje; nëse këto dosje janë të zhdukura nga vendi ku kanë qenë, por ama disa prej tyre i ka në zotërim vetëm disa persona. Përse z. Rama na flet për hapje dosjesh? Çfarë do të na tregojë me këtë hapjen e dosjeve? Do të tregojë që ai është i gatshëm që njësoj si mazhoranca e djeshme ndërtoi një ligj lustracioni në interesin e saj edhe ky do të bëjë të njëjtën gjë?

Akoma më intriguese bëhet fjalia e dosjeve kur kemi parasysh se z. Rama, nga një bunker i ndërtuar nga Enver Hoxha për të ri-dëshmuar çmendurinë e një diktatori, fliste përherë për çlirimin e mendjes nga e shkuara. Sepse historianët do të merren me shkrimin e të shkuarës….duke harruar z. Rama se në esenë e tij “Pinoku, mbreti i të varfërve” (botuar në revistën Përpjekja) ai qesëndis me ironi ato historianë të kohës së shkuar që thjesht ndruan petkun por që nuk kishin brerje ndërgjegje për personazhet heroik që kishin ndërtuar. Personazhe që gjatë romanin (që me sa duket s’ka përfunduar) i hakërrehen këtyre historianëve. Duket groteske, që z. Rama i referohet po këtyre historianëve për të shkruar dhe rishkruar historinë. I drejtohet tangecialisht,  meqë pak më poshtë në ligjërim ai bën një histori të tijën se si është trajtuar komunizmi në vendin tonë por ama ky drejtim e mbështetje tek ta është një tregues domethënës për të pastruar duart e tij nga qëndrimi i historisë ndaj Hoxhës.

Kështu, ligjërimi i përzier edhe me Murin e Berlinit (që e paska vizituar në Gjermani) të cilin e harroi ta përkujtonte qoftë edhe me një status në Facebook, e paska impresionuar. Por, shija e vërtetë (që më la) e gjithë atij pompoziteti në atë bunker të ngjyrosur me shijen personale të Ramës ishte më së shumti i një nxënësi. Të cilin, mësuesi kujdestar ia ka tërhequr aq fort veshin sa që nuk ka fat(e) që ta nxjerr nga bataku, kështu nxënësit i duhet të ngrejë dorën dhe të bëjë autokritikën. Të ulë kokën përpara mësuesit, por të kërcasë dhëmbët përpara shokëve që e cimbuan gjatë kësaj kohe.

Por, njësoj si herët e tjera edhe kësaj radhe kryeministri dështoi të dilte nga vetvetja e tij duke na treguar se është peng i së shkuarës jo vetëm të tij por edhe të sistemit. Natyrisht, ne sot jemi mësuar me propagandën dhe ligjërimet për drejtësinë tranzicionale nga hapja e dosjeve. Pak për të mos thënë aspak nga ne nuk shpresojmë se ato do të hapen një ditë, por zoti Kryeministër mos u bëni si paraardhësi juaj. Mos luani me ndjesinë dhe dhimbjen e atyre që kanë vuajtur, cinizmin patetik tuajin ruajeni vetëm kur të flisni për policinë e ëndrrave. Ruajeni edhe kur të arrestoni me policat e energjisë elektrike të varfrit e këtij vendi (që në shumicë janë ish të përndjekur ), ruajeni për prishjet selektive por mos e përdorni pa karar ndaj atyre që vuajtën dhe të besuan edhe në gënjeshtrën që e thoje vetëm se e thoje pak më bukur.

You may also like...