Thomas Piketty, Libri për të cilin po flasin të gjithë

Libri Kapitali në Shekullin e Njëzetenjë, i ekonomistit radikal francez Thomas Piketty ka zemëruar të djathtën dhe ngazëllyer të majtën në argumentimet e tij të fuqishme mbi pasurinë, demokracinë dhe pse kapitalizmi do të krijojë gjithmonë pabarazi

Paul Mason, The Guardian

Capital-in-the-Twenty-First-

Që kapitalizmi është i padrejtë, kjo është diçka e thënë edhe më parë. Por është mënyra se si Thomas Piketty e thotë atë – me delikatesë por logjikë të pamëshirshme – që i ka zemëruar ekonomistët e krahut të djathtë, si në Europë ashtu edhe në SHBA.

Libri i tij, Kapitali në Shekullin e NjëzeteNjë, u ngrit menjëherë në majë të listës së librave të shumëshitur. Mbajtja e këtij libri në dorë nëpër rrugët e Manhatanit sakaq është bërë një mënyrë identifikimi për të rinjtë e krahut të majtë. Ndërkohë, ai është dënuar si neo-Marksist nga komentatorët e krahut të djathtë. Por çfarë ka ky libër kaq zemëruese?

Argumenti i Piketty është se, në një ekonomi ku norma e kthimit mbi kapitalin është më e lartë se sa norma e rritjes ekonomike, pasuria e trashëguar do të rritet gjithmonë më shpejt se sa pasuria e fituar. Kështu, nëse fëmija i pasur mund të kalojë me shpejtësi nga banka e shkollës te një internship dhe te një punë te banka/ministria/televizioni i babit – ndërsa fëmijët e varfër vuajnë nën uniformën e kamarierit – ky nuk është një aksident: është sistemi që punon normalisht.

kapitali ne shekullin xxi thomas piketty

Titulli: Kapitali në shekullin XXI
Origjinali: Le capital au XXIe siècle
Gjinia: Ekonomi
Autori: Thomas Piketty
Shqipëroi: Tomi Nakuçi
Shtëpia botuese: Papirus
Viti: 2017
Fq. 712
Pesha: 1.123 kg.
ISBN: 978-9928-42-56-9-0

Nëse ke një ekonomi që rritet ngadalë krahas normave më të mira të kthimit mbi financat, atëherë pasuria e trashëguar do të “dominojë mbi pasurinë e krijuar nga puna e lodhshme përgjatë të gjithë jetës me një diferencë të madhe”, thotë Piketty. Pasuria do të përqendrohet në nivele të papajtueshme me demokracinë, dhe jo më me drejtësinë shoqërore. Me pak fjalë, kapitalizmi krijon automatikisht nivele pabarazie që janë të paqëndrueshme. Rritja e pasurisë së 1 përqindëshit të pasur nuk është as një shkëndijë dhe as retorikë.

Për të kuptuar se pse ekoomistët e zakonshëm e gjejnë këtë argument kaq mërzitës, duhet të kuptosh se “shpërndarja” termi delikat për pabarazinë – është menduar prej kohësh si një debat i mbyllur.

Simon Kuznets, emigranti biellorus që u bë figurë madhore e ekonomiksit amerikan, përdori të dhënat e disponueshme për të treguar se, ndërsa shoqëritë bëhen më të pabarabarta në fazat e para të industrializimit, pabarazia zbutet kur industrializimi maturohet. Kjo “Kurba e Kuznetsit” është pranuar nga pjesa më e madhe e ekonomistëve deri sa Piketty dhe bashkëpunëtorët e tij prodhuan prova që tregojnë se ajo është e pavërtetë.

Në fakt, kurba shkon ekzaktësisht në drejtim të kundërt: kapitalizmi filloi si i pabarabartë, pati tendencën të zbusë pabarazinë përgjatë shekullit të njëzet, por sakaq ka marrë rrugën drejt niveleve Dikensiane të pabarazisë në rang botëror.

Piketty pranon se frutet e maturitetit ekonomik – aftësitë, tranimet dhe arsimimi i forcës së punës – promovojnë barazi më të madhe. Por ato mund të tejkalohen nga tendenca më themelore drejt pabarazisë, e cila shpërthen sa herë demografia apo taksimi i ulët apo organizimi i dobët i punëmarrësve e lejon atë. Shumë nga 700 faqet e librit shpenzohen duke akumuluar prova se kapitalizmi i shekullit të 21 është një udhëtim me një drejtim për te pabarazia për sa kohë ne nuk bëjmë diçka.

Nëse Piketty ka të drejtë, ka shumë komplikime të mëdha politike dhe bukuria e librit është se ai nuk përmbahet kurrë në hartimin e politikave. Piketty bën thirrje për një taksë globale “konfiskuese” për pasurinë e trashëgueshme gjë që i bën ata që deri tani janë konsideruar si ekonomistë radikalë, duken goxha të përmbajtur. Ai bën thirrje për taksë 80 për qind mbi të ardhurat mbi 500 mijë dollarë në vit në SHBA, duke i siguruar lexuesit se nuk do të ketë as një largim të të pasurve në Kanada dhe as një ngadalësim të rritjes ekonomike, pasi rezultati do të jetë thjeshtë fundi i të ardhurave të tilla.

Ndërsa ka shaluar axhendën makroekonomike, libri ka anash mikro-ekonomiks të modës, shpesh në shënimet në fund të faqes, të cilat lexohen si një shaka e vazhduar kundër gjeneratës së atyre për të cilët të gjitha problemet dukeshin të zgjidhura, me përjashtim të çmimit të kokainës në rrugët e Xhorxhtounit (Uashington DC).

Përveç kësaj, libri ka hipnotizuar profesionin e ekonomiksit për shkak të mënyrës se si Piketty krijon botën e tij, teorikisht. Ai i përkufizon dy kategoritë bazë, pasurinë dhe të ardhurat, në vija të përgjithshme dhe me vetëbesim, por në një mënyrë që askush nuk i ka përkufizuar më parë. Librat dhe shpjegimet e librit janë thellësisht të thjeshta; me një pafundësi të dhënash historike, Piketty redukton historinë e kapitalizmit te nnjë hart i qartë narrativ. Për të sfiduar argumentin, të duhet të hedhësh poshtë të dhënat ku është bazuar, jo rezultatet.

Nga faqja 1 ai ilustron me hollësi të thella botën e padrejtë në të cilën jetojmë: ai fillon me masakrën në minierën Marikana dhe nuk lëshon pe kurrë. Ai paraqet jo thjeshtë normat e interesit të shekullit të 18 si prova por edhe veprat e Jane Austen dhe Honoré de Balzac. Ai i përdor të dy autorët për të ilustruar se si, nga fillimi i shekullit të 19, qe e logjishme të përbuzësh punën në favor të martesës me të pasur. Fakti që kjo po përsëritet bie ndesh me mitin dhe justifikimin moral të kapitalizmit: atë që pasuria krijohet me përpjekje, krijimtari, punë, investime të mençura, aventurë etj.

Për Piketty, periudha e gjatë në mes të shekullit të 20 për rritjen e barazisë qe një shkëndijë, prodhuar nga nevojat e luftës, fuqisë së punëmarrësve të organizuar, nevojën për taksim të lartë si dhe nga demografia e novacioni teknik.

E thënë në mënyrë të pamëshirshme, nëse rritja është e lartë dhe kthimi mbi kapitalin mund të mbahet nën kontroll, mund të kesh një kapitalizëm më të barabartë. Por, thotë Piketty, një përsëritje e epokës Kejsianiste është e pagjasë: puna është tepër e dobët, novacioni teknologjik tepër i ngadaltë, fuqia botërore e kapitalit është tepër e lartë. Për më tepër, ligjshmëria e këtij sistemi të pabarabartë është e lartë: për shkak se ajo ka gjetur mënyrat për ta shpërndarë pasurinë me klasën menaxheriale në atë rrugë që shekulli i 19 nuk e kishte.

Nëse ai ka të drejtë, komplikimet për kapitalizmin janë thellësisht negative: ne përballemi me kapitalizmin me rritje të ngadaltë, kombinuar me nivel të lartë pabarazie dhe nivel të ulët të mobilitetit shoqëror. (aftësisë për të lindur i varfër dhe për t’u bërë i pasur dhe anasjelltas). Nëse nuk ke lindur i pasur, jeta, edhe për më të mirëarsimuarit, do të jetë si ajo e Jane Eyre pa z. Rochester.

A është Piketty Karl Marksi i ri? Çdokush që ka lexuar këtë të dytin e di se ai nuk është. Kritika e Marksit ndaj kapitalizmit nuk qe mbi shpërndarjen por mbi prodhimin: për Marksin nuk qe rritja e pabarazisë por thyerja e mekanizmit të fitimit që do ta çojë sistemin drejt fundit të vet. Aty ku Marksi pa marrëdhënie shoqërore – mes punëtorëve dhe menaxherëve, pronarëve të fabrikave dhe aristokracisë me tokë – Piketty sheh vetëm kategori sociale: pasuri dhe të ardhura. Ekonomiksi Marksist jeton në një botë ku tendencat e brendshme të kapitalizmit fryrë nga eksperienca sipërfaqësore. Bota e Piketty është vetëm ajo e të dhënave konkrete historike. Kështu akuzat për marksizëm të butë janë tërësisht të pavend.

Më saktë, Piketty ka vendosur një bombë të pashpërthyer në ekonomiksin klasik të gjithëpranuar. Nëse shkaku themelor i katastrofës bankare të vitit 2008 qe të ardhurat në rënie krahas rritjes së pasurisë financiare, atëherë, thotë Piketty, këto nuk qenë aksidente: nuk qe produkt i rregullimit të pamjaftueshëm apo babëzi e thjeshtë. Kriza është produkt i sistemit që punon normalisht dhe ne duhet të presim më shumë se kaq.

Një nga kapitujt më shtrëngues është diskutimi i Piketty i rritjes pothuajse universale të asaj që ai e quan “shteti shoqëror”. Rritja e pandalshme e pjesës së të ardhurave kombëtare e konsumuar nga shteti, shpenzuar mbi shërbimet e përgjithshme, pensione dhe ndihmë ekonomike, argumenton ai, është një tipar i pakthyeshëm i kapitalizmit modern. Ai vëren se rishpërndarja është bërë një çështe e gjërave “të drejta” – kujdes shëndetësor dhe pensione – më shumë se sa thjeshtë një problem i normave të taksimit. Zgjidhja që ofron ai është specifike, taksim progresiv mbi pasurinë private: një taksë e jashtëzakonshme mbi kapitalin, ndoshta e kombinuar me përdorimin e dukshëm të inflacionit.

Logjika e politikave për të majtën është e qartë. Për shumicën e shekullit të 20, rishpërndarja është kryer përmes taksave dhe të ardhurave. Në shekullin e 21, çdo parti që dëshiron të rishpërndajë do të duhet të konfiskojë pasurinë, jo thjeshtë të ardhurat.

Ju mund të prisni që Ëall Street Journal të mos jetë dakord, por fuqia e veprës së Piketty është se ai sfidon narrativën e qendrës së majtë nën globalizimi, e cila besonte se rritja e aftësisë së punëtorëve e kombinuar me një rishpërndarje të butë, mund të promovojë drejtësinë shoqërore. Kjo, demonstron Piketty, është gabim. Gjithçka që demokracia sociale dhe liberalizmi mund të prodhojnë, me politikat e tyre aktuale, është që jahti i oligarkut të bashkëekzistojë me tollonat e ushqimeve përgjithmonë.

Kapitali i Piketty, ndryshe nga Kapitali i Marksit, përmban zgjidhje të mundshme në terrenin e vetë kapitalit: 15 për qind taksë mbi kapitalin, 80 për qind taksë mbi të ardhurat e larta, transparencë e detyruar për të gjitha transaksionet bankare, përdorim i hapur i inflacionit për të rishpërndarë pasurinë. Ai i cilëson këto masa “utopike” dhe ka të drejtë. Është më e lehtë të imagjinosh kapitalizmin duke u rrëzuar se sa të imagjinosh elitën që lejon këto gjëra.

Botimi shqip i këtij libri u realizua nga Shtëpia Botuese Papirus, me përkthyes Tomi Nakuçi

You may also like...