Faji i Perëndimit në krizën Ukrainase

Që nga rënia e Komunizmit, u duk se Perëndimi e pa Lindjen e rrënuar si një fuqi e pushtuar. Kompanitë e Perëndimit nxituan të kapin llokma nga tregjet e Lindjes, duke luftuar fillimisht për tregjet strategjike, banka dhe telekomunikacion dhe pastaj për tregjet e burimeve natyrore. Shumë shpesh, këto kompani përdorën pikërisht imazhin e tyre si kompani me origjinë nga vendet pa korrupsion për të fituar akses, duke përdorur pikërisht metodat e njohura të korruptimit të elitave.

Përpjekja e Perëndimit për të “zhvilluar” Lindjen qe asimetrike. Nën emrin e tregut të lirë pati shumë investime për liberalizëm ndërsa investimet për sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit apo të të punëtorëve qenë inekzistente.

Paratë e fituara përmes grabitjes së aseteve publike në Lindje u pranuan në Perëndim si një realitet i pashmangshëm dhe thuajse normal. Oligarkët rusë shkuan në Britaninë e Madhe bashkë me miliardat e tyre ku gëzojnë edhe sot e kësaj dite mbrojtje politike.

Perëndimi lejoi që paratë e veta të korruptojnë Lindjen dhe që Lindja të korruptojë më pas Perëndimin. Një sistem global korrupsioni filloi të funksionojë. Korporatat, me imazhin e korrektesës perëndimore nuk e kishin për problem të merrnin çfarëdolloj udhëheqësi të korruptuar të Lindjes dhe ta dërgonin në kancelaritë e Perëndimit apo anasjelltas. Ky sistem korrupsioni natyrisht që nuk prodhon demokraci, aq më pak, treg të lirë. Ai ka dalë nga kontrolli në vendin që kishte më shumë gjëra për të vjedhur, Rusi, dhe po përpiqet të ruajë veten duke sajuar një konflikt ekzistencial Lindje-Perëndim. Perëndimi tashmë po bëhet gati të shënjestrojë udhëheqësit e korruptuar të Rusisë, duke i ndaluar udhëtimet dhe duke i konfiskuar asetet nëpër bankat e perëndimit. Këto masa duhej të ndërmerreshin ndaj të gjithë udhëheqësve të korruptuar të Lindjes, pavarësisht nëse ata kanë fuqi ta pushtojnë Krimenë apo jo.

Nëse i hedhim një sy historisë do të shohim se kemi çfarë të mësojmë fjala vjen nga mënyra se si Britanikët kolonizatorë uzurpuan të mirat e Indisë, përmes kompanive të ndryshme ato ndërhyrë brenda sistemit të jetës duke e transformuar kështu jetën e deri atëhershme tregtare indiane sipas interesave të tyre fitimprurëse. Duke ndërtuar në Indi, e jo vetëm, një sistem allasojsh (të veçantë) i cili nuk puqej aspak as me traditën zhvillimore të atij vendi e as me tregun e lirë në perëndimin e atëbotshëm. I njëjti fat u rezervua dhe për Kinën perandorake e cila u detyrua t’i gjunjëzohej një komanieqë shiste opium vetëm e vetëm se ajo qe një kompani Britanike. Në pak fjalë ajo që po ndodh sot në vendet e lindjes është pak a shumë një lloj rikthimi i historisë.

Ish komunistët e fuqishëm të Bashkimit Sovjetik (BS) jo vetëm që arritën të privatizonin gjithë pasuritë kryesore në ish BS por nga ana tjetër ruajtën lidhjet e fuqishme me ish vendet anëtare të saj, duke krijuar kështu disa shtete satelite që qëndrojnë nën hyqmin e Rusisë. Shihni rastin e Ukrainës por mos u mjaftoni me kaq, meqë vende si Çeçenia, Uzbekistani, Kazakistani, Azerbaxhani e kështu me radhë jo vetëm që udhëhiqen nga autoritar në kufinjtë e diktatorit por nga ana tjetër ato zotërojnë gjithë fuqinë financiare. Pikërisht kompanitë e fuqishme të huaja, që vijnë nga Perëndimi, jo vetëm që abuzojnë me “lirinë” e moszbatimit të ligjit por edhe lidhin kontrata qindramilionëshe duke i dhënë përqindjen e tyre udhëheqësit. Pikërisht një pjesë e mirë e këtyre parave u shërbejnë këtyre autoritarëve që të blejnë grupe lobimi nëpër kancelaritë perëndimore duke i zbutur hera herës qëndrimet e këtyre kancelarive drejt tyre. Ndërkohë që bëjnë biznesin e tyre, këto kompani perëndimore nxjerrin në treg guida të ndryshme që qytetarët e vendeve të tyre të vizitojnë këto vende që luhaten nga autoritarizmi nëd iktaturë, sepse pikërisht aty kanë mundësinë që të prekin me sytë e tyre një vend gati gati diktatorial. Duke i prezantuar në këtë mënyrë produktin ekzotik nëtë cilin ato kanë gjithaq dorë në krijim.

Duke shfaqur kështu një nga anët më të errëta (që nuk mundet dot ta shfaqin në Perëndimin e qytetëruar) të karakterit të tyre….amoralitetin. kështu nëse një kompani e fuqishme nafte nuk do të guxonte që në vendin e saj në perëndim të keqpërdorte punonjësit në një vend si Azerbaxhani ajo gjen lehtësinë e papërshkrueshme për ta bërë, duke na krijuar imazhin e një kompanie që ka sjellje të ndryshme për të njëjtën situatë. Pikërisht këto kompani të fuqishme qëj anë të lidhura direkt apo indirek me lobuesit kryesor pranë kancelarive mundësojnë krijimin e problematikave të tilla si ajo e Ukrainës (që është e prekshme sot) por edhe e sa e sa vendeve të tjera që vuajnë nën terrorin e një autokracie që hera herës shndërrohet në diktaturë. Një shndërrim në të cilin kanë investuar edhe kompanitë ‘Made in West!’

You may also like...