Farmaku shoqërisë: Sigurimsat

Një karakteristikë e rëndësishme e diktaturës: Mosbesim I vazhdueshëm, frikë dhe heshtje.Ne foto Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu dy nga drejtuesit kryesor te rrjetit te sigurimit ne rregjimin komunist. Pergjegjes per burgosjen, torturimin dhe vrasjen e shume shqipareve

Disa toksina, kur derdhen në tokë nuk shkatërrojnë vetëm tokën e punueshme, por ato futen thellë poshtë sipërfaqes, duke shkatërruar gjithë jetën brenda një rrezeje të caktuar. Këto farmak janë pak a shumë si sigurimsat e shtetit komunist të cilët penetronin në rrënjët e shoqërisë duke helmuar jetën e përditshme të qytetarëve.

Cilët janë këto agjentë? Fatkeqësisht, shërbimi sekret qe i përbërë nga vetë qytetarët të cilët jetonin dhe merrnin pjesë në shkatërrimin e jetës dhe shoqërisë. Informatorët dhe kolaboratorët spiunonin komshinjtë, miqtë dhe të afërmit duke ia raportuar aktivitetin e tyre personave përgjegjës në Sigurimin e Shtetit, pjesë përbërëse e Ministrisë së Brendshme. Disa e bënin këtë prej besimit dhe besnikërisë ndaj partisë apo edhe të shtyrë hera herës prej zilisë që ato kishin ndaj tjetrit. Ndërkohë që të tjerë kanë qenë të shtrënguar për të spiunuar, të shtrënguara nga autoritetet përkatëse përmes kërcënimeve të vazhdueshme si fizike ashtu edhe psikologjike. Kolegët, miqtë e vjetër, komshinjtë, pjesëtarët e familjes dhe hera herës bashkëshortët informonin për veprimet e njëri tjetrit në Degën e Brendshme. Ato raportonin për aktivitetet e përditshme, mendimet, pikëpamjet për botën, madje edhe për detajet më intime të jetës publike apo private të atij që spiunonin. Ky rrjet i madh i agjentëve, e mënyra se si ato qenë organizuar, tregon se sa pak besim kishte e ashtuquajtura “Partia Popullore” tek vetë populli.

Vala e tensionit dhe konfliktet e përditshme që vinin si pasojë e mosbesimit dhe heshtjes nga njëra anë dhe keqardhjes e dorëzimit nga ana tjetër, u tejçua dalë nga dalë tek punëtorët, dyqanet, fabrikat, kafenetë dhe deri brenda shtëpisë. Ka qenë një karakteristikë e rëndësishme e diktaturave: mosbesimi i vazhdueshëm dhe heshtja.

Megjithëse komunizmi ka rënë ende nuk dihet saktësisht se cilët kanë qenë ato persona që kanë kontribuar në një mënyrë apo në një tjetër në ngritjen e një dosje për të dënuarit. Thuajse çerek shekulli nga rënia e regjimit diktatorial dhe dosjet nuk janë hapur duke lënë ende plagë të hapura shoqërisë sonë. Flitet që shumë prej individëve që kanë qenë agjentë të fshehur sot janë nëpër poste të ndryshme drejtuese në funksione të ndryshme të shtetit, duke bërë që shoqëria ende të lëngojë këtë farmak të poshtër.

 

You may also like...