Fashizmi i Musolinit, triumfi i formës mbi përmbajtjen

Musolini bëri politika të shumta revolucionare, por këto politika qenë të krijuara më shumë për spektakël se sa për ndryshim real dhe kjo gjë tregon se si pushteti i tij qe një rast klasik i suksesit përmes propagandës.

mussoliniThomas Meakin, History Review numër 59 dhjetor 2007

Vrasja e Benito Musolinit më 28 prill 1945 shënoi fundin e regjimit 26 vjeçar të fashizmit në Itali. Duçe qe ngritur në majat e popullaritetit, në nivel të pakrahasueshëm që nga ditët e Rilindjes dhe Giuseppe Garibaldit, megjithatë fati i diktatorit në fshatin e vogël të Xhulino di Mezegra solli një fund të palavdishëm të “Zotit Diell” të Italisë.

Suksesi i lëvizjes Fashiste mund t’i atribuohet aftësisë së saj themelore për të evoluar në përgjigje ndaj opinionit të popullit italian. Musolini qe i adaptueshëm në vijimësinë e praktikës së tij të përhershme të politikës transformiste (transformismo). Gjithsesi, ai dallonte nga paraardhësit e tij liberalë në fokusin e tij politik. Politika në Itali nuk qe më e kufizuar te elitat konservatore dhe te fshatarët me tokë sepse regjimi Fashist ëndërroi të konsolidojë pozicionin e vet përmes propagandës që i drejtohej masës së gjerë. Për rrjedhojë, Fashizmi Italian përfaqësonte një seri fasadash në përpjekje për të maskuar defektet politike, ekonomike, shoqërore dhe ushtarake që ishin në thelb të diktaturës që nga konceptmi i saj më 1919 deri në fundin e saj.

Ardhja në pushtet

Ndoshta shembulli më i hershëm i taktikave reaksionare të përdorura nga Musolini dhe fashizmi italian mund të gjendet te tranzicioni i tyre nga njëri cep i spektrit politik në cepin tjetër mes marsit 1919 dhe tetorit 1922. Mungesa e një ideologjie përfundimtare politike lejoi organizatën fashiste të përshtatej vazhdimisht me klimën e ndryshueshme të politikës italiane që ekzistonte nga fundi i Luftës së Parë Botërore. Fascio di Combattimento, apo grupi i luftimit, që u themelua në Milano nuk përfaqësonte një parti politike, por thjeshtë një lëvizje revolucionarësh sporadikë që qenë të pakënaqur me status quo-në. Kjo bandë militantësh të rinj, trupa kryesore e të cilëve përbëhej në masë të madhe nga forcat speciale ushtarake të demobilizuara Arditi, shprehte ideale shoqërore radikale dhe besonte se ata do të pushtonin krahun e ekstremit të majtë të politikës italiane.

Musolini si kryeredaktor i gazetës Il Popolo d’Italia i mundësoi këtij grupi radikal nacional socialist të jepte opinionet e veta për audiencën e gjerë. Gjithsesi, në zgjedhjet e vitit 1919 fashistët patën rezultat shumë të dobët, duke marrë vetëm 2 për qind të votave në Milano dhe Musolini filloi të kërkojë për mjete alternative për të kapur mbështetje dhe ndikim politik.

Kryengritjet socialiste dhe dhuna në shtator 1920 i dhanë fashistëve një mundësi ideale për të treguar vitalitetin dhe dinamizmin e tyre dhe sulmet e tyre mbi punëtorët socialë tërhoqën vëmendjen e industrialistëve konservatorë. Në atë që mund të argumentohet si ndryshimi më i rëndësishëm politik në karrierën e tij, Musolini kuptoi se pushteti mund të kapet vetëm duke shfrytëzuar frikën italiane ndaj socializmit. Ai u mbështet gjithnjë e më shumë në mendime të krahut të djathtë, duke hequr dorë njëkohësisht nga anti-klerikalizmi dhe republikanizmi në shttor 1921 dhe filloi të izolojë minorancën e anëtarëve socialistë në fashizëm ndërsa udhëheqësit vendorë të tillë si Italo Balbo, Roberto Farinaçi dhe Dino Grandi filluan të kontrollojnë zonat rurale të Italisë veriore dhe qëndrore.

Lëvizja Fashiste në zgjerim filloi të tërheqë të gjitha seksionet e shoqërisë, shumë prej të cilave qenë dëmtuar nga militantizmi socialist i federterra apo atyre banorëve të zonave rurale të cilëve u qe dëmtuar mirëqënia ekonomike nga kushtet e vendosura nga këshillet socialiste. Anti-socializmi fashist krijoi në mënyrë gjenuine një lëvizje populiste masive, duke e transformuar perspektivën politike të Musolinit në këtë proces. Ndryshimi ideologjik i fytyrës që u ndërmorr nga Partia Socialiste nga viti 1919 përfaqëson vullnetin për të sakrifikuar, dhe për më tepër, mungesën e, vlerave dhe besimeve themelore në përpjekje për të fituar pushtetin.

Nga viti 1921, përdorimi i skuadrave të dhunës nga fashistët pati shtypur pushtetin socialist në shumë zona të Italisë së veriut, duke fituar mbështetje të stërmadhe nga publiku italian. Përballur me një entitet politik të panjohur dhe të paqëndrueshëm, politikanët liberalë të tillë si Giovanni Giolitti u përpoqën të absorbojnë Partinë Fashiste në koalicionin e qeverisë në përputhje me politikën transformiste. Gjithsesi, i fuqizuar nga suksesi elektoral i vitit 1921, në të cilin fashistët fituan 35 deputetë, Musolini refuzoi të hyjë në parlament për sa kohë ai nuk emërohej kryeministër. Mes kërcënimeve të dhunës fashiste dhe mundësisë së një lufte civile, Mbreti Viktor Emanueli i Dytë ftoi Musolinin të krijojë një qeveri më 29 tetor 1922. Megjithatë, kërcënimi për dhunë fashiste, megjithëse ndoshta real, natyrisht nuk qe realist. Një Kongres Fashist qe mbajtur më 24 tetor në Napoli ku Musolini dhe katër Kuadrimvirët, Balbo, Emilio de Bono, Cesare de Veçhi dhe Michele Bianchi, u takuan për të diskutuar mbi lojën e rëndë të bixhozit që mund të siguronte pushtetin për Fashistët. Në kontrast të prerë me paralajmërimin për “Marshim të Lavdishëm mbi Romë”, vetëm 10 mijë nga 50 mijë skuadristët e premtuar fashistë u mblodhën në vendet e përcaktuara. PËrballur me një disfatë fatale, Musolini pati organizuar një rrugë shpëtimi për në Zvicër në rast dështimi, një fakt që demonstron nivelin e besimit të Fashistëve në lëvizjen e vet. Megjithatë në orën 2 të mëngjesit të 29 tetorit 1922, Musolini mori një telegram nga Mbreti Viktor Emanueli II ku kërkohej prania e tij. Vetëm në këtë çast Musolini doli nga vendi relativisht i sigurtë në fshatin e veriut.

Në çastin e mbërritjes së tij në oborrin mbretëror ai përshëndeti Mbretin duke shpjeguar ‘erdha drejtpërsëdrejti nga fushëbeteja, e cila, për fat tëmirë, u fitua pa gjal’. Më 30 tetor 1922, 50 mijë këmishëzinj të shpërndarë brenda forcave të rregullta të ushtrisë bënë paradë para udhëheqësit të tyre dhe Mbretit. “Marshi mbi Romë”, ai i vërteti, i cili u shënua në historinë fashiste si revolucioni heroik përmes të cilit fituan pushtet, u plotësua realisht vetëm pasi Musolini qe bërë kryeministër.

Ekonomia e Italisë

Me ardhjen në pushtet më 1922, Musolini trashëgoi një vend ekonomikisht të varfër dhe të ndarë. Për rrjedhojë Musolini u përpoq të konsolidonte pushtetin e vet dhe të nxiste sistemin ekonomik autarkik për të krijuar një bazë për ekspansion ushtarak. Për këtë qëllim një seri strategjish ekonomike u adaptuan për të rritur mirëqënien e kombit italian si dhe për të fituar mbështetje dhe respekt nga jashtë vendit.

Beteja për Liretën u konceptua për të fuqizuar vlerën e lirës nga 150 lira për paund stërlinë më 1927 në 90, dhe për të reduktuar pasojat e inflacionit të vazhdueshëm që kishte penguar rritjen ekonomike. Por krenaria ekonomike te monedha e fortë qe gjithashtu një faktor. Megjithëse forcimi artificial i liretës demonstroi autoritetin e regjimit dhe rriti prestigjin e tij ndërkombëtar, pasojat ekonomike të këtij plani qenë llogaritur keq. Çmimi i mallrave italiane të eksportuara u rrit në mënyrë eksponenciale duke dëmtuar eksportet dhe duke shkaktuar deflacion të mëtejshëm të monedhës për shkak se tregjet ndërkombëtare u përpoqën të kompensonin. Standardet e jetesës së italianëve u reduktuan pas vendimit të vitit 1932 për të ulur me 20 për qind pagat, duke rritur varfërinë mes popullsisë së veriut.

Megjithëse përfitimet e menjëhershme propagandistike të Betejës për Liretën qenë të larta, kjo politikë nuk kishte largpamësi dhe në fund dëmtoi industrinë e Italisë.

Në përpjekje për të përshtatur ekonominë e Italisë me nevojat e një lufte të ardhshme, Partia Fashiste u përpoq të reduktojë varësinë e Italisë nga importet. Beteja për Grurin, e nisur më 1925, imponoi tarifa të larta mbi ushqimet e drithit të importuara ndërsa qeveria subvencionoi bujqit për blerjen e makinerive dhe fertilizerëve. Në dekadën nga 1925 e pas, importet e grurit u reduktuan me 75 për qind dhe nga viti 1940, vendi pothuajse arriti vetëmjaftueshmërinë në drithra. Gjithsesi, fitimet ekonomike patën kosto të rëndë për shkak se eksportet ranë dhe importimi i fertilizerëve qe më i paktë. Propaganda dhe përfitimet bujqësore të Betejës për Grurin u balancuan nga rënia e cilësisë së dietës italiane dhe një reduktim i mëtejshëm i standardeve të jetesës, veçanërisht në jugun e varfër.

Beteja e tretë ekonomike e Muslinit qe Beteja kundër Moçaleve, e krijuar për të rritur disponueshmërinë e tokës bujqësore si dhe për të demonstruar dinamizmin e fashizmit e për të krijuar vende pune. Skema u prezantua më 1923. Sipërfaqe të stërmëdha të kënetave malarike më herët të pabanueshme në zona të tilla si Moçalet e Pontines u thanë ndërsa qytetet e reja të krijuara nga regjimi si Aprila, Latina dhe Sabaudia fituan lavdërime ndërkombëtare. “Tharja e kënetave nga Fashizmi nuk është vetëm një masë mbrojtjeje nga malaria,” pretendonte një libër shkollor fasist më 1938, “është detyra e re e shtetit.” Në realitet, gjithsesi, skema pati vetëm suksese mesatare. Vetëm 80 mijë hektarë tokë u pretenduan, jo një e gjashta e sipërfaqes së Italisë siç pretendonte qeveria.

Në total, ndërhyrja e fashizmit në ekonomi sollën disa përfitime, përfshirë rënien e përgjithshme të papunësisë në vetëm 12 mijë vetë më 1938. Gjithsesi, fitoret propagandistike nuk reflektojnë situatën e tmerrshme ekonomike të krijuar nga harbimi i paplanifikuar, i pamençur dhe i paorganizuar ekonomik pas vitit 1925.

Gratë e Italisë

Politika shoqërore në kohën e Partisë Fashiste u krijua për të fuqizuar një komb militarist, i cili duhej të ofronte krahët e nevojshëm për të ndihmuar Italinë në realizimin e asaj që perceptohen si perandoria e parapërcaktuar. Musolini këmbëngulte se vendi i “grave në të tashmen dhe në të shkuarën është në shtëpi”, një mendim që qe përgjegjës për fushatën e tij për të reduktuar numrin e grave në forcën punëtore dhe për të rritur popullsinë totale.

Më 1933 shteti imponoi kufizime në kuota në kompanitë e sektorit publik, duke deklaruar se gratë duhet të përbëjnë më pak se një të dhjetën e forcës punëtore; më vonë, më 1938, ky limit u shtri te të gjitha kompanitë e Italisë. Gruaja ideale fashiste konsiderohej e bëshme dhe e rritur, ndryshe nga imazhi bashkëkohor i bukurisë i fryrë nga Hollivudi në vitet 1930. Për më tepër, historiani italo-amerikan Gaetano Salvemini e përshkroi fushatën fashiste për të detyruar një rol “tradicional” për gratë si “Beteja për Dhjamin”. Gjithsesi, në realitet regjimi fashist u desh të pranojë se pozicioni i grave në vendin e punës qe një nevojë kulturore dhe ekonomike. Megjithëse përqindja e grave në forcën punëtore totale ra në periudhën 1921-36, përqindja e grave e rpunësuar në industri në fakt u rrit 23.6 për qind në 24.1.

Beteja për Lindjet synonte të rriste popullsinë e Italisë në 60 milionë brenda vitit 1950. Fushatat propagandistike, përmirësimi i kujdesit shëndetësor, shpërblimet financiare dhe çmimet ceremoniale u krijuan për të joshur italianët të bënin më shumë fëmijë. Pas një periudhe fillestare të pasuksesshme, ligje drakoniane u miratuan në mënyrë që të rritej presioni mbi familjet për të pasur më shumë pasardhës. Më 1931, Kodi Penal i Italisë përfshinte “krime kundër tërësisë dhe shëndetit të racës” ku viktimizoheshin beqarët në veçanti. Megjithatë normat e lindshmërisë vijuan të bien, dhe megjithëse popullsia u rrit në 45 milionë në vitin 1940, në vitin 1950 popullsia qe ende 12.5 milionë më pak se sa objektivi i fashistëve. Duket se politikat fashiste kundër grave qenë një dështim.

Arsimi

Në mënyrë që të konsolidonte pozicionin e Fashizmit, Musolini nisi një program indoktrinomi përmes arsimit dhe organizatave rinore. Fotografi të Musolinit u vendosën në të gjitha klasat e Italisë, ndërsa studentët recitonin himnin fashist dy herë në ditë, duke përsëritur frazën “Unë besoj në gjenialitetin e Musolinit dhe në Atin tonë të Shenjtë Fashizmin”. Më 1928, një libër unik shkolle i miratuar nga qeveria u shpërnda në të gjitha shkollat ndërsa nga viti 1938 hynë në kurrikulla stërvitja ushtarake dhe kultura fashiste. Nga viti 1925, ligjet e punës të miratuara nga fashistët i mundësuan regjimit të kontrollonte mësuesit dhe punonjësit e tjerë të arsimit. Betimi i detyruar i besnikërisë, plus detyrimi i veshjes së uniformës fashiste u vendosën në vitin 1931 duke konsoliduar më tej fashizmin brenda shoqërisë italiane.

Me përjashtim të arsimit, organizatat rinore qenë metoda më e suksesshme në induktimin e vlerave fashiste te fëmijët e Italisë. Opera Nazionale Balilla përbëhej nga një numër i madh nëngrupesh dhe sporte të organizuara, aktivitete ushtarake apo aventureske për fëmijët nga gjashtë në 18 vjeç. Nga viti 1929, afërsisht 60 për qind e fëmijëve të veriut qenë anëtarë, megjithëse anëtarësia qe shumë më e paktë në jug. Megjithëse është e sigurtë se shumë aktivitete të ndërmarra nga ONB i dhanë shumë fëmijëve italianë mundësi që përndryshe nuk do t’i kishin, vendosja e anëtarësisë së detyruar në vitin 1935 përshkallëzoi zhvillimin e klimës së pakënaqësisë dhe zhgënjimit ndaj organizatave rinore fashiste. Për më tepër ndikimi ideologjik i grupimeve të tilla është i vështirë për t’u vlerësuar për shkak të dominimit të lëvizjeve rinore opozitare të tilla si Bojskautët Katolikë. Shpejtësia me të cilin u zhduk mbështetja ndaj fashizmit pas rrëzimit të Musolinit më 1943 është një tregues i qartë.

Themelimi i Opera Nazionale Dopolavoro më 1925 ilustron aspiratat totalitare të regjimit. OND ofronte mundësi argëtimi dhe ndihmë financiare për ata anëtarë të publikut italian që vlerësoheshin si njerëz në nevojë. Pushimet e subvencionuara dhe ekskursionet e ofruara demonstronin një aftësi të pakrahasueshme kombëtare dhe ndërkombëtare propagande për Partinë Fashiste. Gjithsesi, pavarësisht suksesit fillestar, që shfaqet te numrat mbresëlënës të anëtarësisë prej 3.8 milionë italianësh më 1939, sugjeron se përfitimet nuk qenë të konsoliduara në mënyrë eficence. Siç thoë edhe John Ëhittam, OND qe “kaq popullor ekzaktësisht për shkak se i mundësoi miliona italianëve të shijonin burime pa detyrimin e një angazhimi të plotë për idealet dhe praktikat Fashiste.”

Politika e jashtme dhe lufta

Musolini i pati përcaktuar objektivat e dhe synimet e tij të politikës së jashtme që në fillim të sundimit të tij: Ai dëshironte të rriste ndikimin e Italisë në Ballkan, Mesdhe dhe Afrikë Perëndimore, përveç ngritjes së pozicionit ndërkombëtar të Italisë në nivelin e Britanisë dhe Francës. Vitet e para të regjimit të tij mund të shikohen si sukses në këtë drejtim; ai filloi të ngrejë Italinë si një komb i madh duke zgjeruar me ngurrim ndikimin e saj në Shqipëri përmes sundimtarëve satelitë si Ahmet Zogu. Por më vonë, ndërsa marrëdhëniet Europiane u përkeqësuan në vitet para Luftës së Dytë Botërore, pozicioni i Italisë u duk gjithnjë e më i dobët në një klimë ndërkombëtare gjithnjë e më armiqësore. Një seri keqllogaritjesh diplomatike, përfshirë ndikimin negativ politik dhe humanitar të luftës me Abisininë dhe dështimi për të gjykuar saktë përgjigjen e pritshme Franko-Gjermane ndaj pozave perandorake të tij shërbyen në fund për ta shtyrë Musolinin në aleancë me Adolf Hitlerin dhe në luftën që pasoi.

Përgjatë të gjithë periudhës fashiste forcat e armatosura të Italisë glorifikoheshin dhe adhuroheshin por realiteti qe shumë i ndryshëm. Në prag të luftës më 1939, burimet ushtarake italiane qenë shumë të pakta: 35 nga 80 divizionet e ushtrisë qenë të pajisura me pushkë të vitit 1891; ushtria kishte vetëm 1,500 tanke dhe rezerva e naftës mjaftonte për vetëm pesë muaj; dhe avioni luftarak Fiat CR42 qe krahasimisht i vjetër dhe teknologjikisht inferior ndaj avionëve të tjerë të kohës. Kur Shefi i Shtabit të Ushtrisë Graziani u ankua në maj 1940 se kishte vetëm 1.3 milionë pushkë, shumë prej të cilave pa bajonetë, pavarësisht krenimit të Musolinit për 8 milionë, Duçe i tha atij të mos shqetësohej për shkak se ushtria qe thjeshtë për spektakël. Mungesat e rënda në ushtrinë e Italisë kur krahasoheshin me kombe të ngjashme Europiane qenë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së investimeve në ushtri nga regjimi fashist. Musolini parapëlqente të mbante një forcë të vogël dhe të veshur më së miri në mënyrë që të impresiononte dinjitarët e huaj, të tillë si Hitleri gjatë vizitës së tij të majit 1938 më shumë se sa të mbështeste një forcë të madhe dhe të kushtueshme.

Kisha

Paktet Laterane të vitit 1929 i dhanë fund një mosmarrëveshjeje 70 vjeçare mes Kishës dhe shtetit dhe, në sytë e shumë italianëve, përfaqëson arritjen më të madhe të Musolinit dhe Partisë Fashiste. Sipas Pakteve Laterane, Kisha kishte sovranitet mbi Qytetin e Vatikanit si dhe u lejua të kishte pushtet të kufizuar në punët e shtetit ndërsa Papa Piu XI njohu shtetin e Italisë si një ent të ligjshëm.

Rëndësia e Pakteve Laterane si sa i përket jetëgjatësisë së regjimit ashtu edhe nivelit të mbështetjes që mori në shtëpi dhe jashtë vendit nuk duhet të nënvlerësohen. Musolini u përshëndet si njeriu që “riktheu fuqinë e autoritetit tokësor të Papës”. Megjithatë, pavarësisht se mosmarrëveshja mes Kishës dhe shtetit u duk se u shërua, aleanca nuk vijoi gjatë. Radikalizimi në rritje i Partisë Fashiste shkaktoi reagime të shpejta kritike nga Vatikani, siç u pa në konfliktin mbi grupimet rinore rivale Aksioni Katolik dhe ONB. Dhe ndërsa situata ekonomike dhe shoqërore brenda Italisë u përkeqësua në fund të viteve 1930, kritikat e hapura nga Kisha u bënë më të zakonshme ku Papa publikoi Enciklikën Non Abbiamoso Biscogno dhe materjale të tjera kritike në gazetën e Vatikanit L’Osservatore Romano. Ndërsa shoqëria italiane u zhyt në telashe, omniprezenca e Kishës u rrit në një forcë të jashtëzakonshme opozitare e cila dëmtoi në mënyrë fatale reputacionin e Partisë Fashiste dhe të Musolinit brenda Italisë.

Konkluzione

Fashizmi italian pa dyshim pati një numër suksesesh të izoluara, të cilat edhe sot mbeten arritje mbresëlënëse. Nga viti 1922 deri në fillim të viteve 1940, Partia Fashiste dhe në veçanti udhëheqësia e Benito Musolinit lehtësoi zhvillimin e një kombi italian më të unifikuar se kurrë më parë në ekzistencën e vet. Musolini ia doli, në një farë mase, në riparimin e pabarazive dhe disparitetit që pati dënuar politikën italiane që nga viti 1870. Gjithsesi, sërish dhe sërish shteti fashist dështoi të japë rezultate në një numër të madh çështjesh, nga problemet shoqërore te ushtria. Politikat dhe iniciativat bëheshin thjeshtë për hatër të të bërit, me shpresën se do të ndihmonin në qëllimin e Musolinit për ta bërë Italinë “të madhe, të respektuar dhe të frikshme”. Ligjet dhe skemat u neglizhuan vazhdimisht duke shkaktuar humbjen e potencialit të tyre si dhe shpërdorimin e çdo lloj fitoreje minimale.

Popullariteti i Fashistëve mund të kërkohet te zbatimi i perceptuar i politikave të shumta sociale dhe ekonomike revolucionare që dukej dikur sinjalizonin ardhjen e një epoke të re për Italinë. Megjithatë perceptmi publik i regjimit qe shumë larg realitetit dhe në këtë kuptim Fashizmi Italian përfaqëson një rast të qartë të triumfit të formës mbi përmbajtjen. Në fund, përpjekja e Musolinit për të siguruar pozicionin e tij brenda Italisë dhe Europës vetëm përmes propagandës solli shpërbërjen e kombit Italian në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe vdekjen e Fashizmit Italian.

You may also like...