Fisnik Ismaili, nga artist, në humorist dhe politikan

Ndryshe nga sa jemi mësuar, që deklaratat e pavarësisë i firmosin baballarët e kombit, monumentin e pavarësisë së Kosovës e firmosën mijëra qytetarë. Që të gjithë ishin baballarët e kombit

Fisnik Ismaili sfidon festimet zyrtare me artin e tij gjithëpërfshirës në monumentin e pavarësisë

Fisnim-Ismaili-320x320Fisnim IsmailiNë vitin 2008, Fisnik Ismaili, një dizenjues i një kompanie reklamash në Kosovë, me emrin “Karrota”, dizenjoi monumentin e pavarësisë. Disa germa të mëdha, të cilat në anglisht shkruanin “Newborn”.

Monumenti ka disa elementë të anashkaluar. Ai nuk është madhështor në kuptimin e një guri themeltar për një komb dhe ka një element të fortë demokratik. Ndryshe nga sa jemi mësuar, që deklaratat e pavarësisë i firmosin baballarët e kombit, monumentin e pavarësisë së Kosovës e firmosën mijëra qytetarë. Që të gjithë ishin baballarët e kombit. Vetë përzgjedhja e fjalëve në anglisht dhe jo në shqip jep më vete një mesazh kozmopolitanizmi.

Pesë vjet më pas, Fisnik Ismaili është bërë një aktivist politik i “Vetëvendosjes”. Ai përdor humorin me fjalë të pista si arma e tij politike dhe duket se ka nuhatje të hollë për marketing. Në prag të pesëvjetorit të pavarësisë, ai ftoi kosovarët të “lyenin së bashku” monumentin, kësaj here, jo më me një ngjyrë, por me flamujt e 98 shteteve që kanë njohur pavarësinë.

Shqipëria nuk u lejua të ishte e para në njohjen e pavarësisë së Kosovës, por flamuri ynë u vendos në krye të germës së parë. Lyerja ishte gjithashtu një proces demokratik. Përmes faqes së vet në “Facebook”, ku Ismaili ka 35 mijë ndjekës, ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me të “ta lyejmë së bashku”, si dhe të sjellin me vete ngrohës për të përballuar temperaturën e ulët, drita, shkallë, etj.

New BornNga mesdita, njoftoi se ai dhe Marigona (një emër që në Kosovë përdoret për të përkujtuar Marigo Pozion e flamurit), qenë lodhur e po shkonin të hanin drekë. Në darkë iu hakërrye me fjalë të pista një qytetari që e kishte sharë nismën e tij dhe mëngjesin e pavarësisë ftoi qytetarët që të dalin për filmime rreth monumentit, të veshur si maskota.

“Shumë vullnetarë janë paraqitur dhe kanë ngjyrosur tërë ditën. Ka mbetë edhe një pjesë pa u përfunduar, dhe të gjithë jemi lodhë. Prandaj, po të lusim, nëse e keni dorën e mirë e të mprehtë, me ardhë sonte me na dhanë ndihmë me ngjyrosjen, deri sa ta përfundojmë punën. Kemi reflektorë, ngjyra, muzikë, shoqëri edhe pak mot të ftohtë, jo shumë”, shkroi ai në “Facebook” në mbrëmjen e vigjiljes së pesëvjetorit të pavarësisë.

New-Born-320x230 (1)Ismaili thotë në njoftimin e vet se monumenti ishte konceptuar i tillë që të lyhej çdo përvjetor ndryshe. “Kjo do ta krijonte një vepër, e cila do të ishte e njëjtë në formë, por e ndryshme në pamje për çdo vit, që do ta bënte të veçantë në botë”, tha ai.

Por në fakt nuk ndodhi kështu. Përgjatë pesë viteve, monumenti u zhgarravit siç qe konceptuar të ndodhte ndërsa autoritetet e lyen herë pas here me të verdhë. Kështu, në një situatë teorike përplasjeje me autoritetet, Ismaili ftoi qytetarët ta ngjyrosin pa lejen e qeverisë.

Ceremonitë për pesëvjetorin e pavarësisë u zhvilluan dje në Kosovë në përgjithësi në ambiente të mbyllura. Krerët e Kosovës nuk dolën te monumenti i pavarësisë. Në ceremoninë e tyre qenë ftuar disa mijëra vetë të merrnin pjesë, por nuk ishte më festa popullore e 17 Shkurtit 2008. U duk sikur udhëheqësit e Kosovës na thanë se nuk kanë nevojë për monument pavarësie, sepse ata vetë janë monument.

Nga Newborn te Pimpson

Nga monumenti i pavarësisë, i mbushur me shpresë dhe optimizëm, Ismaili kaloi te një seri karikaturash komike që përdor personazhet e serialit amerikan “Simpson” për të përshkruar ngjarjet politike në Kosovë. Ato janë komente politike me humor dhe me gjuhë jashtëzakonisht të pisët.

I pyetur nga “Balkan Insight” se si shpjegohet kalimi i tij nga monumenti i shpresës tek akuzat e ashpra politike dhe te cinizmi, ai tha: “Të dyja janë të ndërlidhura, sepse kur unë krijova ‘Newborn’, ajo u bë me qëllimet më të mira. Por pas kësaj, megjithëse u bë monumenti i pavarësisë së Kosovës, ai u neglizhua për shumë vite. Jam përpjekur ta mirëmbaj dhe të kujdesem për të por gjithmonë jam refuzuar nga autoritetet. Ata nuk duan të bëjnë asgjë me të dhe nuk duan të më lënë mua të bëj asgjë. Ngadalë fillova të ndjehem jo i zemëruar, por të kuptoj se kjo qeveri me të vërtetë nuk shqetësohet për asgjë dhe se ka nevojë për një zë për t’u thënë atyre shqetësimet e njerëzve”.

Pastaj, në Kosovë u zgjodh një president i ri dhe media filmoi çastet kur ambasadori amerikan Christopher Dell u filmua duke dërguar mesazhe për politikanët, mesazhe që krijonin përshtypjen se ai përcaktonte gjithçka. Presidentja e dalë në këtë mënyrë u gjet rastësisht. Një punonjëse policie, që brenda natës u bë presidente pasi palët politike të Kosovës e kishin shumë të vështirë të binin dakord për një figurë që të plotësonte tiparet e presidentit.

“Lindja e Pimpsonit ishte me të vërtetë spontane”, thotë Ismaili kur pyetet se si lindën Pimpsonat”. “Ndodhi natën kur tre partitë politike së bashku me ambasadorin e SHBA-së vendosën të bien dakord për zgjedhjen e një presidenti të ri. Ata prezantuan emrin; secili po falënderonte tjetrin dhe po i vinin dorën në kurriz. Pati një moment kur ambasadori Dell i ra në shpatull Isa Mustafës, kryebashkiakut të Prishtinës. E gjitha dukej aq artificiale. Procesi qe kaq jokonvencional, kaq jokushtetues. Mua vetë më erdhi për të vjellë kur e pashë”.

Në atë moment, Ismaili krijoi parodinë e Simpsonave, të cilët i emëroi Pipson. “I quajta Pimpson, sepse mendoj se këta njerëz janë bërë pimpat e Kosovës (tutorët), të cilët e vendosin për shitje për këdo sipas qejfit të tyre. Njësoj siç bëjnë tutorët. Kur episodi u publikua, qe shumë qejf. Qe vulgare, tërësisht e pacensuruar. Unë në fakt kisha në mendje të bëja vetëm një episod”.

Ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë u mërzit shumë nga portretizimet e tij te seriali i Pimpsons.

Në një shkëmbim të jashtëzakonshëm, diplomati amerikan me përvojë e ka quajtur punën e Fisnik Ismailit “shpifje e mbrapshtë nga antidemokratët e denjë” dhe kërkoi një nënshkrim të episodit/karikaturës për ta vendosur së bashku me suvenirin nga diktatori i Zimbabvesë, Robert Mugabe.

Ismaili iu përgjigj se do t’ia japë nënshkrimin bashkë me një petull.

“Të gjitha marrëveshjet e errëta që po ndodhin në Kosovë duket se vijnë nga ai dhe në opinionin tim të ndershëm, mendoj se Christopher Dell nuk përfaqëson interesin e SHBA-së në Kosovë. Me raste ai shkel edhe Kushtetutën, gjë që unë e gjej shumë të pështirë sepse e di se një amerikan nuk do të lejojë kurrë dikë të shkelë Kushtetutën”, tha Ismaili në një intervistë vitin e kaluar.

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kur bota e internetit ishte e mbushur me ankesa për deklaratën e Berishës për të sakrifikuar 1 mijë qengja dhe 1 mijë desh për 28 Nëntor, Ismaili iu hakërrye edhe atij me po të njëjtën gjuhë, me fjalë të pista, të cilat, gazetat e Tiranës nuk do t’i shkruanin.

“Ajo çfarë shkruaj unë është ajo çfarë njerëzit janë tepër të frikësuar për ta thënë në rrugë apo në kafene, jo më ta thonë në televizor”, thotë Ismaili për “Balkan Insight”. “Është si të thuash, të ndjekësh politikën e Kosovës përmes një libri komik në vend që të ndjekësh lajmet”.

Përgatiti: Gjergj Erebara

You may also like...