Fjalorth i politik shqiptar (pjesa III)

Pjesa III

Gjitholog – Opinionist (gazetar me modesti) i aftë të diskutojë çdo natë për 1 gjë të ndryshme me kompentencën e një profesionisti. Nga periodat e grave, silikoni deri tek politika, yjet çështjet e krijimit etj.etj.

Coca Cola – Një politikan që ka shumë reklamë dhe pak lëng banal brenda, i cili, po të konsumohet me tepri shkakton obezitet mendor për të interesuarit me politikën. Në mënyrë tipike, paraqet një shije të lehtë freskuese dhe perëndimore, që pasohet nga një passhije injorance dhe rëndomtësie.

Çizmet e lëkurës – Një politikane e re në moshë që u paraqit te partitë politike rreth viteve 2000 me bindjen për të bërë karierë. Dallohej nga çizmet e lëkurës që vishte gjithmonë në rastet e mbledhjes së grupit të punës.

Çelësi i dollapit – Ka mbetur nga koha kur në Shqipëri nuk kishte motele me orë dhe është një sindromë që vijon të prekë politikanët e moshës së mesme. Nënkupton rastin e një politikani që kërkon çelësin e shtëpisë së një shoku në mënyrë demonstrative në sy të të tjerëve me synimin për të patur marrëdhënie seksuale me një vartëse të re. Merr gabimisht një çelës dollapi dhe kthehet i lumtur duke deklaruar se i ka shkaktuar vartëses së re kënaqësi që vetëm ai di t’i shkaktojë.

Ministër konviktor – Një numër ministrash (rreth 6 vetë njëkohësisht) që i përkisnin qeverisë Meta 3 rreth vitit 2002. Kishin për tipar të përbashkët faktin që vinin drejtpërsëdrejti nga fshati dhe jetonin në hotel Arbana – (sot Drejtoria e Përgjithshme e Policisë). Qëndruan vetëm pak muaj në statusin e konviktorit të luksit pasi shpejt u bënë aq të pasur sa blenë shtëpi të parë, të dytë, të tretë, etj. Të paktën njëri prej tyre ndërtoi edhe një pallat të tërë pa leje në një oborr shkolle.

Fëndë – Kur një politikan bën një deklaratë me synimin për të dalë në televizor pa thënë asgjë, atëhere në gjuhën e gazetarëve, kjo gjë quhet fëndë.

Vaji i ullirit – Një politikan që udhëtoi jashtë Shqipërisë për herë të parë gjatë viteve ’80 dhe u përkujdes që të merrte një shishe ne vaj ulliri me vete me mendimin se në Francë nuk ka të tillë. Megjithëse politikanë të tillë sot janë shumë të pasur, vesin e vajit të ullirit, (voj kome), nuk e kanë hequr ende.

Pordha e së shtunës – Disa politikanë apo kandidatë për politikanë, përpiqen të kapin vëmendjen e medias duke shfrytëzuar zbrazëtinë e lajmeve që ka zakonisht dita e shtunë, kur gazetarët janë të gatshëm të pranojnë çfarëdolloj deklarate për të mbushur faqet. Në këtë rast, deklarata quhet “Pordha e së shtunës”.

Pordha e së dielës – Një rast edhe më ekstrem i shih Pordha e së Shtunës”

Kujdes! Ky shkrim, si cdo shkrim tjetër në këtë blog ka të drejta autori të rezervuara. Ripublikimi në faqe të tjera interneti mund të bëhet vetëm një paragraf me linkun shoqërues për te blogu origjinal.  

Për ata që nuk e kanë kuptuar, një paragraf do të thotë dy-tri fjali, ose më saktë, përmbajtja nga një kryerradhë në një tjetër…

Mund të lexoni edhe pjesën e parë: https://diaryoftirana.com/fjalorth-i-vogel-i-politikes-shqiptare/

You may also like...