Fjalorth i vogël i politikës shqiptare (Përditësuar)

Partia e Idealeve të Dhjetorit – Një tentativë nga e djathta për të krijuar një parti të pakënaqurish me dhunën e Sali Berishës në Partinë Demokratike. U hoq dorë nga tentativa sapo u kuptua se akronimi i kësaj partie bënte një fjalë turpi, sido qe e vertete dhe shprehese.

Moralisto banal – Emri me të cilin socialistët thërrasin çdo kritik mes tyre që mendon se nuk është e moralshme të qeverisësh me hajdutë.

Biznesmen i naftës virgin – Një numër biznesmenësh të fuqishëm, të cilët u pasuruan duke marrë naftën Virgin nga rafineria ARMO, duke e deklaruar si të eksportuar, ndërkohë që e shisnin në tregun shqiptar si benzinë e zakonshme pa paguar kurrfarë taksash. Milionat e eurove të fituara nga kjo kontrabandë u ndanë me një zinxhir zyrtarësh të lartë. Kush i ndau më mirë milionat, ai u bë edhe biznesmeni më i suksesshëm.

Koçizimi – Një proces që përfshiu median shqiptare pas vitit 2001. Nënkupton prirjen e të gjithë biznesnemëve për të bërë një gazetë dhe për ta përdorur atë për shantazh ndaj shtetit dhe konkurrentëve sipas modelit të Koço Kokëdhimës. Vlerësohet se së paku një dyzinë gazetash janë ndërtuar në Shqipëri në këtë mënyrë.

Muçi-Naçi-Baçi – Referencë për tre ministra socialistë kur qeveria drejtohej nga Ilir Meta në vitet 1999-2002, përdorur nga opozita për të simbolizuar rrënjët e korrupsionit. Bëhet fjalë për Mustafa Muçin, Anastas Angjelin dhe Bashkim Finon.

Zgjedhje të pranueshme – Çdo gjë që nuk përmban përleshje në rrugë me shpata nga shqiptarët ditën e zgjedhjeve, i bën zgjedhjet të pranueshme. Të tilla qenë për vëzhguesit ndërkombëtarë zgjedhjet e vitit 1996, 1997, 2001 dhe 2009.

Parti ministri – Referencë për disa parti të vogla në Shqipëri, të cilave u jepej drejtimi i një ministrie në koalicion qeverisës dhe ku ministria përbënte njëkohësisht zyrat dhe infrastrukturën e partisë. Partia Agrare Ambjentaliste u bë simbol i partisë ministri gjatë periudhës 1997-2005, kur Ministria e Bujqësisë qe praktikisht zyra e kryetarit ndërsa degët e bujqësisë në rrethe qenë njëkohësisht edhe zyrat e kësaj partie në terren. Zyra e vërtetë e Partisë Agrare Ambjentaliste në Rrugën Budi në Tiranë, qe një barrakë ku dera nuk qe hapur kurrë e ku dryni kishte zënë ndryshk. Gjatë periudhës 2009-2013, Partia Republikane u bë parti ministri përmes menaxhimit të Ministrisë së Mjedisit, ku shumë shpesh, drejtorët e kësaj ministrie nëpër rrethe qenë njëkohësisht kandidatë për komunarë, bashkiakë apo deputetë. Partitë ministri kanë për tipar karakterizues një seri biznesesh apo biznesmenësh që krijohen vetëm dhe në përputhje të plotë me ministrinë e drejtuar prej tyre.

Partia e Bashkisë – Një term për të simbolizuar partinë Socialiste gjatë kohës kur kryetari i saj qe njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste.

Paçe presidenciale – Gatimi simbol i Tiranës, që u bë gjithashtu edhe simbol i ish-presidentit Bamir Topi. Për shumë vite, në Tiranë thuhej se presidenti porosiste paçe çdo ditë te një paçeri pranë Pazarit të Ri në Tiranë. Pastaj u tha se e porosiste në një paçeri luksi pranë ish-ekspozitës Shqipëria Sot, (ku gatuhet nga një gjirokasrit për hatër të së vërtetës), e më pas u fol për një vend tjetër. Vendi i paçes presidenciale mbeti një legjendë dhe pa përgjigje mbeti edhe pyetja nëse pëlqente më shumë paçe koke, paçe këmbësh apo paçe plënci.

Skraparlli – Simbol i njeriut që është bërë zyrtar me meritën e vetme se është nga fshati i kryeministrit dhe rrjedhimisht nga rradhët e mbështetësve të Ilir Metës. Është një stereotip i padrejtë në kuptimin se shumica e skraparllinjve nuk janë zyrtarë dhe as mbështetës të Ilir Metës.

Tropojan – simbol i njeriut që është bërë polic, truprojë apo shofer për shkakun e vetëm se është nga fshati i i të parit gjatë kohës që Sali Berisha qe president apo kryeministër. Është një stereotip i padrejtë në kuptimin se shumica e tropojanëve nuk janë policë.

Gjeopolitikë – Një politikan socialist që është verior që mbahet si deputet apo zyrtar në mënyrë të vazhdueshme me qëllimin e vetëm se duhet një verior në këtë parti sa për të mos thënë se është një parti domen e jugorëve. Rrjedhimisht mbahet për arsye gjeopolitike.

Vëzhgues ndërkombëtar – Një turist që vjen zakonisht në Shqipëri dy herë në katër vjet për të shijuar ushqim të mirë dhe kohë me diell. Legjenda thotë se vullnetarët nga Europa tregonin një interes shumë të lartë për të shërbyer si vëzhgues në Shqipëri me shpenzimet e OSBE/ODHIR. Kur u pyetën se pse demokracia në Shqipëri qe kaq e rëndësishme në krahasim me vendet e tjera ku ka misione vëzhgimi për zgjedhje, disa prej tyre u përgjigjën: Shqipëria ka kohë me diell dhe ushqim shumë të mirë.

Trojka e Ambasadorëve – Thirret me këtë fjalë nga media treshja e ambasadorëve më të rëndësishëm në Tiranë, ku njërit i ngjan vetja Rihana, tjetri pëlqen të hajë qofte ndërsa i treti njihet për aftësinë për të folur pa thënë asgjë konkrete.

Vëzhgues vendor – I ri apo e re që synon të integrojë veten në ambjentet e të huajve duke treguar një interes të pazakontë për demokracinë, zakonisht kandidat për t’u punësuar në organizata jofitimprurëse.

22 maj – Simbol i zgjedhjeve të manipuluara rëndë, bëhet fjalë për 22 majin e vitit 1996, kur qeveria e Sali Berishës kreu të gjitha manipulimet e mundshme dhe i shpëtoi edhe kritikave të hapura nga shumë ndërkombëtarë, të cilët në një rast, lavdëruan qeverinë për faktin që kishte ndërmarrë një “fushatë të ndërgjegjësimit publik” si fenomen i ri në zgjedhjet shqiptare.

Marrëveshja e San Egidios – Një marrëveshje politike mes dy partive kryesore në vend e arritur me ndërmjetësimin e institutit të San Egidios në vitin 1996. Palët angazhoheshin në marrëveshje që institutioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit t’i jepej partisë në opozitë, me synimin për të patur një kontroll real mbi financat e qeverisë. U shkel fillimisht në vitin 2000, kur qeveria Socialiste krijoi një institucion të Auditit të Brendshëm, puna e parë e së cilit qe të shkonte të kontrollonte Bashkinë e Tiranës, në atë kohë të kontrolluar nga Opozita. Pak më vonë, qeveria socialiste i ofroi opozitës së djathtë të propozonte dikë për të mbajtur postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sali Berisha refuzoi. Qeveria propozoi emrin e një aktivisti të opozitës për postin, i cili e pranoi menjëherë pavarësisht se Berisha vijoi të refuzojë dhe e shpalli aktivistin republikan tradhëtar. Marrëveshja u harrua përfundimisht kur Berisha zgjodhi një nga mbështetësit e vet në postin e kryetarit të KLSH. Institucioni, ashtu si edhe marrëveshja, janë bukë kot.

Doganier – Një politikan i cili karrierën e vet e ka nisur si shërbyes në administratën doganore para se të bëhet pushtetar më i rëndësishëm. I karakterizon aftësia për të bërë pazar në çdo situatë.

Ushtar – Militant i nivelit të ulët i partive politike, i cili zakonisht shpërblehet me postin e shoferit të ndonjë zyrtari. Më të aftit mes tyre, arrijnë statusin e sekserit në aferat e transferimit të shpërblimeve.

Rruzhdije – Simbol i mbushjes së kutive të votimit nga komisionerët e qendrave të votimit, të cilët, ndonëse mund t’i përkasin partive të ndryshme, korruptohen sëbashku nga një forcë politike e caktuar. Mbushja e kutive me votat e shqiptarëve që ditën e zgjedhjeve gjendeshin jashtë vendit, ndodhi masivisht më 2009 dhe 2013, kur u shënua edhe rritja më galopante e pjesëmarrjes së shqiptarëve në votime. E mori emrin nga fshati Rruzhdije në qarkun e Fierit, ku një grup komisionerësh zgjedhorë u kapën duke mbushur kutitë e votimit, gjë që vlerësohet se i dha një mandat shtesë Partisë Demokratike në vitin 2009.

Dushk – sistemi i. E mori emrin nga fshati Dushk i Lushnjës dhe simbolizon përdorimin e një numri të vogël votash për të prodhuar një numër të lartë deputetësh. Vlerësohet se një seri analizash nga Apollon Baçe në gazetën Dita e formëzoi këtë shprehje.

Rrënjët e sistemit të Dushkut duhet të kërkohen në zgjedhjet e vitit 1996, kur maxhoranca e qeverisë së Partisë Demokratike ndryshoi kodin zgjedhor duke ndarë votën për kandidatin nga vota për partinë politike. Rrjedhimisht, PD arriti të marrë në zgjedhjet e 22 majit 1996 60 për qind të votave dhe 87 për qind të parlamentit. Kjo formë e deformimit të sistemit të zgjedhjeve u menaxhua deri në detaje nga Partia Socialiste në vitin 2001, ku përmes zbrazjes së votave për partitë te tre aleatë të saj të vegjël arriti të marrë 11 deputetë ekstra në koalicionin qeverisës. Kulmi u shënua në 2005. Në atë kohë u tha që Berisha e moli më mirë lopën e Dushkut.

Parti Taksi – Një shprehje që  atribuohet ish-kryetarit socialist dhe ish-kryeministrit Fatos Nano për të karakterizuar partitë e vogla të spektrit të majtë, pasi Partia Socialiste refuzoji të hyjë në aleancë parazgjedhore me Partinë SocialDemokrate, Partinë Aleanca Demokratike dhe Partinë Agrare para zgjedhjeve të vitit 2001. Parti Taksi qe në kuptimin që është një mjet shërbimi ku mund të hysh ose të dalësh sa herë që të duash.

Partitë Taksi kanë shërbyer në politikën shqiptare për dy qëllime kryesore: e para, për të zbrazur votat e proporcionalit me synimin për të marrë më shumë deputetë me më pak vota dhe e dyta, për të mbuluar segmente të vogla të padëshrueshme por të nevojshme të elektoratit, si ish-pronarët, ish- të përndjekurit, komunistët fanatikë etj. Në këto raste, votat e këtyre segmenteve të elektoratit zbrazeshin te partitë e vogla, të cilat funksiononin si agjentë të rremë të partive të mëdha.

Yes but – Është një shprehje për të karakterizuar qëndrimin e vëzhguesve ndërkombëtarë ndaj parregullsive zgjedhore, në rast se pyeteshin për rastet flagrante të zgjedhjeve. Yes But do të thotë se ndërkombëtarët i dallojnë manipulimet zgjedhore por e shohin si shumë të bezdisshme të merren me to.

Hapja e kutive – Një kërkesë e kahershme e partive që dalin humbëse në zgjedhje dhe që pretendojnë (shumë shpesh me të drejtë) se u janë vjedhur votat gjatë procesit të numërimit. Megjithë kërkesat e shumta, një proces i tillë nuk është realizuar kurrë. Partia Socialiste organizoi edhe një grevë urie në mbështetje të kërkesës për të hapur kutitë e zgjedhjeve të vitit 2009, por pa sukses.

Hartë e sajuar – Një metodë e menaxhimit të zonave zgjedhore me synimin për të minimizuar peshën e votave të kundërshtarit dhe për të maksimizuar peshën e votave të një partie të caktuar. U kthye në shqetësim veçanërisht në vitin 2001, kur Partia Socialiste kreu një hartë elektorale të tillë ku me 40 për qind të votave popullore, arriti të marrë 50 për qind të mandateve për deputet.

Në vitin 2005, në një situatë të çuditshme, Partia Demokratike arriti të krijojë një hartë që i shkonte për leverdi asaj dhe që qe pjesë e kompromisit politik të vitit 2003, ku praktikisht Partia Socialiste hoqi dorë nga pushteti dhe pranoi një tranzicion të butë të pushtetit drejt të djathtës.

Hanxhar i krimit – Një shprehje e përdorur nga Sali Berisha rreth vitit 2006 për të karakterizuar të gjitha kritikat që mund t’i bënte media atij vetë apo qeverisë së tij. U përdor krahas shprehjes Media e krimit.

Kleptokraci – Qe një shprehje e përdorur fillimisht nga Sali Berisha për të karakterizuar (me shumë të drejtë) mënyrën e qeverisjes së socialistëve në periudhën 1997-2005. Një sistem qeverisës ku kryhen vjedhje masive të fondeve publike me synimin që këto fonde të përdoren për të blerë ndikim politik në zgjedhje. Nën një sistem të tillë, hajduti më i madh bëhet automatikisht politikani më i suksesshëm. Berisha pasoi socialistët gjatë qeverisjes së tij, 2005-2013, duke zbatuar pikërisht këtë sistem.

20 përqindëshi – Një shprehje e dalë në fillim të viteve 2000 për të karakterizuar sistemin korruptiv të krijuar nga kryeministri i kohës Ilir Meta, ku çdo funksionar i administratës që vidhte para apo merrte rryshfet, detyrohej t’i transferonte shefit përkatës 20 për qind të shumës së grabitur në mënyrë që shefi t’i transferonte nga shuma e mbetur 20 për qind shefit më sipër, deri te ministri dhe kryeministri. 20 për qindëshi u përdor edhe si akuzë nga Partia Demokratike për të karakterizuar sistemin e dhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranë nga kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama në periudhën 2000-2011.

Mr. 20 përqindëshi. Shih 20 për qindëshi

Pangosje – Për shkak se në gjuhën shqipe nuk ka një fjalë të përshtatshme për “sexual harasment”, Pangosje hyri në terminologjinë politike si tipi i zyrtarit manjak që kërkon të ketë marrëdhënie seksuale me çdo aplikante për punë. Hyri në terminologjinë politike pasi emisioni investigativ Fix Fare dërgoi së paku dy vajza si aplikante të rreme për punë në zyrën e ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango dhe që të dyja përfunduan “të pangosura”.

Spiun – Kur ndokush del kundër vijës zyrtare të Partisë Demokratike, konsiderohet ‘spiun’ dmth bashkëpunëtor i shërbimit të sigurimit të brendshëm gjatë diktaturës komuniste. Është një shprehje në përputhje të plotë me medotën e propagandës që thotë: çfarëdo argumenti që t’ju japin, mos e besoni, është djalli ai që po jua thotë.

Mitingash – Një njeri që e ka për profesion të marrë pjesë në çdo miting, me apo pa pagesë në mbështetje të njërës apo disa partive njëherësh.

5 mijë lekësh – Etiketë për njerëzit që janë aq të varfër sa paguhen nga partitë politike me 5 mijë lekë të vjetra për të marrë pjesë në miting.

Mjaftist – Djalë i ri që flet gjysmë shqip dhe gjysmë anglisht, përgjithësisht i cekët, që flet për gjëra të mëdha në përpjekje për të kapur ndonjë post te partitë politike.

KOP-its – Anëtar i Komisionit për Orientimin e Politikave, një grup që funksionoi para zgjedhjeve të vitit 2005 si një argument propagandistik për të treguar se Partia Demokratike ‘ka ndryshuar’ nuk është më ajo e dhunshmja. Zakonisht punonjës i nivelit të ulët të ndonjë OJQ-je ndërkombëtare, përgjithësisht çun i bukur, jo gjithmonë i vlefshëm, që tërheq simpatinë e vajzave të vogla me një buzëqeshje rrezëlluese.

Kokpalar – Njeri që merr pjesë në një protestë të opozitës, nuk ka asnjë synim për post publik por përfundon i vrarë dhe i harruar.

Padrino – Huazuar nga filmat italianë me mafia, nënkupton ish-kryeministrin Fatos Nano, etiketuar në këtë mënyrë nga Sali Berisha, deri sa ky i fundit mori pushtetin dhe u bë mik i Nanos. Me këtë rast, Berisha deklaroi se etiketimi i kundërshtarit me fjalën “padrino” është një gjuhë fushate dhe nuk duhet të merret seriozisht.

Hi Gomar! – Emri me të cilin aktivisti shqiptaro-amerikan Geri Kokalari thërret Lulzim Bashën, pasi pa se ky i fundit u bë një grabitqar pa limit i parave publike sapo zuri vend në qeveri pas vitit 2005.

Aksident Teknologjik – Kur një grup hajdutësh punësojnë fëmijë 12 vjeçarë për të demontuar municione me shpejtësi, me synimin për të vjedhur metalin dhe barutin me të cilin janë prodhuar municione, shkaktojnë shumë të vdekur në punë e sipër, atëherë kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një defekt në përllogaritjen e nxehtësisë së krijuar nga fërkimi i gishtave të fëmijëve mbi metalin e predhave. Ky qe shpjegimi që i dha qeveria e Sali Berishës shpërthimit të 15 marsit 2008 në fshatin Gërdec pranë Tiranës, ku 26 vetë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën.

Qëndrestar – Një budalla naiv që vijon t’i qëndrojë besnik një udhëheqësi politik pavarësisht të gjitha të zezave që ai bën, ndërkohë që qëndrestari nuk ka asnjë përfitim materjal për veten. Termi u krijua nga mitingjet e përditshme të Partisë Demokratike në vitet 1998-2000, të cilat përfunduan me arrestimin për një natë të Sali Berishës nga aleati i tij i mëvonshëm në qeverisje, Ilir Meta.

Komunistat blu – Një term i përdorur përgjithësisht për funksionarët e Partisë Demokratike që kanë patur një karrierë si funksionarë të Partisë së Punës apo shtetit komunist.

Biznesmen – Politikan kriminel me një pasuri të madhe të fituar përgjithësisht duke shitur drogë apo duke shfrytëzuar prostituta në Europë. Thirret nga media “biznesmen” në pamundësi për t’i dhënë etiketën e përshtatshme.

Moni – Huazuar nga një komedi e kohës së komunizmit, përdoret para së gjithash për avokatët e gjykatave që funksionojnë njëkohësisht si sekserë mes palëve dhe gjykatësve. Kryen shërbimin e transferimit të parave nga ankimuesi apo pala mbrojtëse në një gjyq te gjykatësit dhe mban për vete një pjesë të parave, zakonisht 10 deri në 30 mijë lekë.

Pagator – Njeriu shërben si ndërmjetës mes një partie politike/biznesmeni dhe mitingashëve që marrin pjesë në miting në këmbim të shumave të vogla të parave.

7 përqindëshi – Zotëria 7 për qind. Përdoret posacërisht për Ilir Metën, pasi ky i fundit u filmua duke deklaruar se do të merrte 7 për qind të aksioneve të një hidrocentrali të ri në këmbim të dhënies së lejes koncesionare.

E zë libri – Një shprehje që përdoret për politikanët që kanë alergji të plotë nga libri dhe që shpesh u shkakton të vjella në rast se hapin një të tillë. I atribuohet Spartak Ngjelës, i cili thuhet ta ketë bërë këtë observim për Fatmir Mediun gjatë një vizite në Amerikë. Mediu hapi një guidë turistike dhe në atë çast u ndje keq dhe Ngjela komentoi duke thënë se ai “is book sik”. Me kalimin e viteve, Ilir Meta u bë simbol i politikanit që e zë libri, pasi askush nuk e ka dëgjuar të ketë thënë ndonjë gjë në lidhje me ndonjë libër.

Çun trendy – Shih Mjaftist

Thesi i miellit – Përdoret për të karakterizuar metodën e një fushate elektorale të bazuar më së shumti te shpërndarja e ushqimeve bazë si miell, oriz, vaj vegjetal e makarona, te popullata e varfër në këmbim të votave. Është përdorur gjerësisht në vitet 2001, 2005, 2009 dhe 2013 nga shumë kandidatë biznesmenë nga e majta dhe nga e djathta.

Çertifikatat – Metoda më e përhapur e manipulimeve zgjedhore deri në vitin 2005, e përdorur veçanërisht nga demokratët, por edhe nga socialistët. Çertifikatat e lindjes shërbenin si mjet identifikimi për shumë zgjedhje në Shqipëri. Metoda e manipulimit qe identifikimi në listën e zgjedhësve të njerëzve që nuk votonin ose që gjendeshin jashtë Shqipërisë në ditën e zgjedhjeve, prodhimi i një çertifikate false në emër të votuesit të munguar ku vendosej fotografia e njeriut që do të hidhte fizikisht votën e rreme. Me marrëveshjen politike të vitit 2008, çertifikatat nuk u përdorën më si mjete identifikimi për zgjedhje dhe u zëvendësuan nga kartat e identitetit biometrike. Shih.

You may also like...