Fjalorth politik, pjesa V, hyrjet e periudhes shtator – tetor 2013

Zërat e rinj: Burbuqe, Gegolog, Drejtoria e Kunatave, Pazari i Gjësë së Gjallë, Kodi i Etikës etj.

Burbuqja – Një vajzë a grua, as e bukur dhe as e shëmtuar, por e aftë të joshë zyrtarët mezoburra e të rinj të Partisë Socialiste për t’u ngjitur drejt majave të administratës publike. Ekujvalenti demokrat është Sekretarja. Në disa raste i referohen edhe si “kokrra e burbuqes”, ose “alamet burbuqeje”. Ekujvalente të mëhershme janë shih – Fustanet e Basmes dhe shih – Çizmet e Lëkurës.

Gegolog – një studiues shkencor që analizon çështje që lidhen me identitetin geg me metoda popullore.

Drejtoria e Kunatave – nofka që i dha Partia Demokratike Drejtorisë së Doganave të Tiranës për shkak se sipas PD-së, brenda pak ditësh në këtë drejtori në tetor 2013 u emëruan dy kunata ministrash socialistë dhe një motër zëvendësministri.

Pazari i Gjësë së Gjallë – Sinonim për Kuvendin e Shqipërisë dhe shitblerjet e deputetëve të të ashtuquajturës opozitë nga e ashtuquajtura maxhorancë. U krijua nga Fatmir Mediu kur LSI i bleu një deputet biznesmen në tetor 2013.

Bishtpëllumb – model flokësh demode mes politikanëve shqiptarë. Vjen nga rinia kryeneçe e viteve ’90 kur flokët e gjata ndaloheshin me ligj. Përbëhet nga një cullace në pjesën e pasme të kokës, pak të ngritur përpjete, në formën e bishtit të pëllumbave.

Kodi i Etikës – Sinonim i kryeministrit Edi Rama pasi ky i fundit i detyroi ministrat e vet të nënshkruanin se pranonin të mbështesnin kryeministrin në çdo situatë, pavarësisht se çfarë mendonin. Pas kësaj, ministrat filluan t’i thonë njëri-tjetrit: Kujdes Kodin e Etikës, më bërtiti Kodi i Etikës, Kodi i Etikës nuk është dakord me çfarë unë mendoj, Kodi i Etikës mund të më pushojë nga puna.

Alteregoja e qeverisë – një takim i përjavshëm i shefave të propagandës së qeverisë nën drejtimin e kryeshefit të propagandës. Takimi bëhet në formën e takimeve të qeverisë dhe ulja e zëdhënësave bëhet pikërisht sipas rendit të uljes së ministrave. Gojët e liga thonë se zëdhënësat e ministrive të LSI nuk marrin pjesë në Alteregon e Qeverisë me argumentin se kanë shefin e tyre gjetkë.

Ne foto: Groshë proletare me spec djegës, vaj ulliri, e salce me qepe te ferguara. Qepet sade dhe ullinjte perdoren per sallate. Rekomandohet shoqerimi me disa feta te shendosha buke. Foto: Populli

Ne foto: Groshë proletare me spec djegës, vaj ulliri, e salce me qepe te ferguara. Qepet sade dhe ullinjte perdoren per sallate. Rekomandohet shoqerimi me disa feta te shendosha buke. Foto: Populli

Opozita e Groshës dhe Versaces – Nofkë që i vuri kryeministri Edi Rama deputetëve të opozitës në parlament më 2013 duke i thënë se këta njerëz, megjithëse vishen me Versace, vijojnë të mos i ndahen groshës. Shoqata e Kultivuesve të Fasuleve me bazë në Këmishtaj, dhe Federata Kombëtare e Groshës me seli në Malësinë e Madhe, shprehën protesta ndaj këtyre komenteve. “Fasulet, ose groshët, si i thonë në gjuhën popullore, janë një aleat i fuqishëm i mbijetesës së popullit shqiptar në shekuj. Kryeministri nuk bën mirë të flasë me këtë gjuhë për këtë burim të pashterrshëm proteinash dhe kalorish,” tha Miçi Thomai, kreu i shoqatës së Kultivuesve të Fasuleve. Preg Doda, i shoqatës së Groshës, tha se po konsideronte të hynte në gjak me kryeministrin për këtë koment të padenjë për groshën. “Grosha i takon të gjithëve,” tha ai. “Njoh deputetë të maxhorancës që janë po kaq katundarë sa ne, por njoh edhe shumë qytetarë që nuk i është bjerrur kurrë dashuria e tyre për groshën, pavarësisht se kanë shekuj që jetojnë mes Versaces”.

 

Pjesa tjetër e fjalorthit

https://diaryoftirana.com/fjalorth-politik-shqiptar-iv-hyrjet-e-reja/

https://diaryoftirana.com/fjalorth-i-politik-shqiptar-pjesa-iii/

https://diaryoftirana.com/fjalorth-politik-shqiptar-hyrjet-e-reja/

https://diaryoftirana.com/fjalorth-i-vogel-i-politikes-shqiptare/

You may also like...