FMN si alibi për mungesën e vullnetit politik

Gjergj Erebara

Kanë kaluar gjithsej 4 vjet që kur misioni i pranisë së përhershme të FMN-së në Shqipëri u mbyll. Megjithatë, përfoljet janë të shumta gjatë këtyre ditëve për një rikthim të mundshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, ndonëse ata që flasin, duket se nuk e kanë shumë idenë se çfarë bën FMN-ja në këtë botë. Disa po e paraqesin këtë institucion si një bamirës që do të na shpëtojë nga katastrofa, disa të tjerë, si një justifikim i vlefshëm. Ngjan sikur ka një mendim hileqar për të nxjerrë para shqiptarëve ndonjë zyrtar të FMN-së dhe për ta akuzuar atë si fajtor për politikat e rritjes së taksave dhe uljes së shpenzimeve, të cilat Shqipëria zor se i shmang dot dhe që bën mirë t’i ndërmarrë në transparencë të plotë me qytetarët.

Ka edhe ndonjë zë kundër tek e tuk.

Ashtu si debati i vitit 2009, ku palët akuzonin qeverinë se “po e përzinte” FMN-në, edhe ky i sotmi është një debat në ajër.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ndihmon vendet që kanë problem me bilancin e llogarisë korrente, ose që nuk janë në gjendje të rishesin borxhin e vet publik. Shqipëria nuk është në këtë situatë.

FMN nuk ndihmon vendet që kanë qeveri të papërgjegjshme që rrisin borxhin publik pa limit. Dhe kjo është situata ku gjendet Shqipëria.

Kur investitorët largohen nga një vend, duke mos e blerë borxhin e tij publik, apo kur një vend humbet për ndonjë arsye të ardhurat e veta nga jashtë, atëherë FMN ndërhyn duke blerë borxhin e këtij vendi përkundrejt interesave të ulëta dhe natyrisht, me kushtin që qeveritë e këtij vendi të ndjekin një disiplinë financiare, pra të jenë qeveri normale.

Kjo nuk është situata e Shqipërisë. Deficiti i llogarisë korrente është zgjeruar gjatë viteve të fundit, por jo aq sa për të qenë katastrofë. Borxhi publik është rritur me tepri përtej çdo logjike, megjithatë interesat e bonove të thesarit janë në minimum historik ndërsa depozitat që shqiptarët mbajnë nëpër banka janë në maksimum historik. Shkurt, kjo nuk ngjan si një situatë për FMN-në.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është banka e shteteve në krizë. Kur këto shtete janë të shumë të varfra, klasifikohen me delikatesë si “vende me të ardhura të ulëta”, FMN u jep ndihmë teknike, që konsiston në ndërtimin e një sistemi fiskal, të një banke qendrore të pavarur që prodhon para aq sa ka nevojë vendi. Vendet që pranojnë mbikëqyrjen e FMN-së, e cila shërben si kërbaçi, marrin ndihmë nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit (Banka Botërore), d.m.th kredi me normë shumë të ulët interesi për të zhvilluar veten. Kur vendet dalin nga lista e shumë të varfërve, siç ka dalë Shqipëria që nga viti 2006, FMN ikën dhe Banka Botërore ofron vetëm kredi me interesa më të larta, krahas konsulencës teknike.

FMN kthehet në një vend me marrëveshje financimi vetëm në rast se nga ai vend largohen investitorët dhe borxhi publik mbetet pa shitur. Duke pasur parasysh këto gjëra, FMN nuk ka punë në Shqipëri.

Kjo nuk do të thotë se vendi është në gjendje të mirë.

Vitin e kaluar, Banka Botërore ofroi për Shqipërinë një paketë kredish me interesa të ulëta me vlerë 300 milionë dollarë. Këto kredi u ofruan me kushte. Kushti është shumë i thjeshtë: qeveria nuk ka të drejtë të shtojë borxhin publik pa limit. Në rast se nuk ka rritje të të ardhurave, nuk mund të rrisë shpenzimet, pra nuk mund të ulë taksat dhe as nuk mund të rrisë rrogat.

Por si FMN, ashtu edhe Banka Botërore pranojnë realitetin politik të një vendi. Ato nuk mund të shërojnë problemin e një vendi me evazionin fiskal, faturat e papaguara të dritave apo korrupsionit masiv. Rrjedhimisht i bien shkurt dhe mjaftohen duke thënë: rrit taksat ose ul shpenzimet. Rrugë të tretë nuk ka. Për këtë pranim të kushteve politike të një vendi, FMN kritikohet si doktori i Mesjetës.

Por Shqipëria e ka një rrugë të tretë dhe për këtë rrugë nuk ka nevojë për ndihmën e FMN-së. Shqipëria mund të mbledhë taksat apo faturat e dritave të papaguara.

Më pak se gjysma e energjisë elektrike të futur në rrjet në Shqipëri nuk paguhet. Kjo është e barasvlefshme me mbi 300 milionë dollarë. Në rast se qeveria shkon t’i mbledhë faturat, kjo mjafton që vendi të mos ketë krizë dritash.

Evazioni fiskal është i pranishëm në çdo hallkë të rrugës së mallit nga fabrika apo dogana te konsumatori. Problemi është se evazorët nuk janë shqiptarë të zakonshëm. Shpesh ato kanë rol dhe ndikim politik. Për shembull, në kohën kur qeverisej nga çekët, CEZ ankohej se në listën e njerëzve që nuk paguanin faturën e dritave gjendeshin kryebashkiakë dhe komisarë policie. Sikur qeveria të shkojë të shohë nëse pijet alkoolike apo cigaret e tregtuara kanë pullë fiskale, atëherë kjo mjafton për të mbyllur një pjesë të konsiderueshme të deficitit të buxhetit të shtetit, madje edhe për të shlyer një pjesë të borxhit publik.

Për të gjitha këto, nuk ka nevojë për FMN, ka nevojë për vullnet politik. Në rast se mungesa e vullnetit politik zëvendësohet me një ftesë për FMN atëherë ajo që pritet të ndodhë nuk do të jetë asgjë tjetër veçse një shtim i panevojshëm taksash mbi ato që sakaq i paguajnë. Deformimi i krijuar në ekonomi nga mungesa e shtetit ligjor dhe nga mbledhja e rregullt e taksave dhe të faturave të dritave, sakaq është kthyer në forcën kryesore penguese në rrugën e vendit drejt zhvillimit. Një ftesë për FMN nuk mundet dhe nuk duhet të shërbejë si alibi për mungesën e vullnetit politik për të mbledhur taksat.

Botuar ne Gazeten Shqip

You may also like...