Gangrena e të ardhurave fiskale

TaksaPBB

Konaku i Xhabynit

Përtej diskutimit për taksën e sheshtë apo atë progresive shtrihet një marrëdhënie më e vështirë me të ardhurat që duhet të mbledhë shteti. Kam fjalën pikërisht me sistemin e mbledhjes dhe grumbullimit të të ardhurave të cilat kalojnë në arkën e qeverisë e më pas rialokohen në fushat prioritare. Një shtet normal, më së paku, duhet të funksiononte në këtë mënyrë por ne na mungon një shtet i tillë ndaj dhe përpiqemi që të mbushim arkën e shtetit përmes shfrytëzimit në lloj-lloj formash të individëve taksapagues.


Le të jap një shembull, tabela e mësipërme tregon se që nga viti 2002 (ku mund të themi që ekonomia tranzitore u vendos në një mënyrë apo në një tjetër në shina po aq tranzitore) të ardhurat nga taksat dhe doganat janë po në të njëjtin nivel (pra shkojnë nga përqindja minimale 24%-26.705%) ndërkohë që PBB-ja e vendit është rritur ndjeshëm që nga viti 2002 e deri më sot. E gjitha kjo duhet të jetë një alarm konstant për cilëndo qeveri që ka qenë dhe për cilëndo opozitë. Mirëpo duket se asnjëra dhe as tjetra nuk e kanë vendosur ujin në zjarr për të arritur një efiçencë më të madhe në mbledhjen e taksave dhe doganave, nga tabelat shihet qartë se të dhënat për vendin tonë flasin për një rritje të të ardhurave vetëm në periudhën pas ndërrimit të pushteteve dhe ka rënie përherë përpara zgjedhjeve.

Po të shikojmë edhe raportin mes vendit tonë dhe vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor, le të themi vende që kanë të njëjtat probleme si ne e që nuk janë në BE, ne hahemi kokë më kokë me Kosovën e cila në fakt ka kryer një hop cilësor sepse nga 17% që filloi të mblidhte në 2002 ka arritur në 26% duke patur parasysh se ai është një shtet i ri. Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit kanë arritur që të kalojnë 30% duke thelluar gjithnjë e më shumë disnivelin mes Shqipërisë dhe rajonit.

Ajo që është më se e qartë nga tabela në fjalë tregon nevojën e menjëhershme që të ndërhyhet në sistemin e mbledhjes së të ardhurave. A është kryer një ri formatim nga qeveritë? Unë nuk mbaj mend herën e fundit që një qeveri të ketë ndërhyrë në përmisimin e ristrukturimin e sistemit tatimor, kujdes me këtë nuk nënkuptoj ndryshimin e administratës por ristrukturimin e saj si pjesë e reformës për të përmisuar shërbimin ndaj thesarit dhe ndaj biznesit. Edhe qeveria e re duket se e nisi me vrull të madh përmisimin e sistemit fiskal por duket se e nisi punën mbrapsht jo vetëm se emëroi një të panjohur në fushën e mbledhjes së taksave dhe doganave, jo vetëm se uli stekën e parave që duhet të mblidhnin (që të na i shisnin më pas si arritje) por edhe se në vend që të ristrukturonte sistemin e mbledhjes së të ardhurave ai rinisi betejën e paepur për të na bindur se do hanim me lugë floriri duke vendosur kinse taksën progresive, duke hequr tavanin e sigurimit e kështu me radhë.

Në pak fjalë po i fton taksapaguesit e përhershëm që të paguajnë edhe më shumë që të mbushin gropën e atyre taksapaguesve që i fshihen shtetit, arritje apo jo? Ndërkohë që na hiqet si një arritje e madhe Crown Agents, me një kontratë që është gjithnjë e më shumë në pikëpyetje sepse as vetë agjencia nuk do të paguajë tatime për vendin tonë. Por fare mirë dikush mund të pyesë se çfarë ndryshimesh mund të bëhen që edhe taksimi të jetë më i drejtë?

Synimi kryesor i ç’do qeverie, duke u bazuar dhe në të dhënat e mësipërme, është ai i rritjes së bazës së tatueshme. Kjo do të thotë që me vendosjen e një kodi fiskal për cilindo qytetar të vendit do të kesh një mundësi më të madhe për të mbledhur të ardhura, e kjo procedurë mund të nisë së pari për bizneset e pronarëve të tyre dhe jo vetëm që do të shërbejë në një grumbullim më të madh të ardhurash por edhe si një mundësi për të zbuluar evazionin fiskal dhe abuzimin me të ardhurat.

A do të thotë kjo që brenda një viti do të kemi një zgjerim të menjëhershëm të bazës së tatimpaguesve pra rrjedhimisht të ardhura më të larta? Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetje menjëherë dhe me një siguri të lartë, por ama nëse një nga synimet e Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Tatim Taksave dhe asaj të Doganave do të ishte rritja e përqindjes së peshës së të ardhurave në PBB në ç’do vit atëherë dhe baza e tatimpaguesve do të rritej në mënyrë jo artificiale. Duke sjellë kështu edhe një fond më të madh rialokimit për qeverinë e nga ana tjetër investime më të shumta në sektorë të ndryshe, pa harruar këtu që pasi të kemi një sistem të konsoliduar mund të diskutojmë më lehtësisht për aplikueshmërinë e një takse të ndryshme nga kjo e sheshtë.

Kështu, le të themi, sfida e cilësdo qeveri nuk ka qenë dhe nuk është ndërtimi i një sistemi fiskal por ndërtimi i një strukture tatimore dhe doganore që t’i përgjigjet nevojës imediate të buxhetit të vendit dhe prioriteteve të qeverisë. Diskutimi propagandistik mbi nevojat e një taksimi proporcional, nga një qeveri që mendon për të varfrit por vishet si borgjezi e klasës së lartë, është më shumë një shaka e hidhur që ende luhet me shoqërinë tonë se sa një reformë e vërtetë. Aludimet se kjo taksë është në shërbim të drejtësisë sociale është një tjetër abuzim që bëhet në emër të një qeverie që nuk ndëshkon gjykatësit dhe prokurorët hajdutë që harxhojnë shuma marramendëse vetëm gjatë fundjavave por tenton të vendosë drejtësi mes të ndershmëve që të mbulojë maskarallëqet e të klasës së lartë.

Gangrena e mbledhjes së të ardhurave është ndoshta një nga brirët që mund të vendosë dorën e saj qeveria, kjo nuk do të sigurojë në mënyrë të menjëhershme krijimin e një shteti të drejtë por ama do të mundësojë mbylljen e një prej vrimave që ka futur përherë ujë në varkën tonë të vogël.

 

You may also like...