Gazetari cinik përballë pushtetit

perandori-ryszard-kapuscinski

Libri “Perandori” nga Ryszard Kapuscinski është një dëshmi e zbërthyer në çdo detaj mbi funksionimin e diktaturave

Gjergj Erebara

Po lexoja këto ditë librin “Perandori” të Ryzard Kapuscinskit dhe po mendoja që në fillim të mbaja shënim ndonjë gjë që më bënte përshtypje më shumë se të tjerat. Nga faqja 46 hoqa dorë nga të mbajturit shënime për një arsye praktike. I gjithë libri, çdo fjali, qe për t’u mbajtur shënim.

Ai është një libër gazetaresk, një analizë mbi sundimin dhe rënien e një autokrati, në rastin konkret, Perandorit Hajle Selase të Etiopisë, një perandori e lashtë sa vetë njerëzimi dhe dukshëm e sunduar përgjatë të gjithë kohës nga individë të mësuar për të sunduar pa ligje e rregulla.

Duke intervistuar ndihmësit më të afërt të perandorit, Kapuscinski na jep një pasqyrë se si sundoi një autokrat, siç sundojnë gjithmonë autokratët.

Por ka diçka cinike në këtë, thellësisht cinike në mënyrën e raportimit. Dhe Kapuscinski nuk e fsheh. Gazetarët – thotë ai në fillim të librit, – kalojnë në peripeci të panumërta deri sa të mbërrijnë te lajmi i tyre, peripeci për të cilat shumica e njerëzve as që ia kanë idenë. Por këto peripeci i bëjnë gazetarët jashtëzakonisht cinikë.

Kjo më sjell ndër mend komentin e një gazetari tjetër, Ernest Hemingëay, i cili tha: një shkrimtar duhet të kuptojë, jo të gjykojë.

Dhe kështu cinizmi i Kapuscinskit na shpie në oborrin e një perandori për të na shpjeguar se si funksionojnë të gjitha diktaturat.

Perandori rrallë flet, ai më së shumti dëgjon, thotë ai. Ai nuk shkruan kurrë asgjë me dorën e vet, flet me gjuhë shumëkuptimëshe dhe nuk thotë asgjë prerazi. Dëgjon çdo mëngjes raportime të kryqëzuara mbi spiunllëqet e perandorisë, por vetëm dëgjon. Spiuni nuk duhet të marrë asnjë shenjë se çfarë mendon perandori mbi thashethemin që sapo mësoi, sepse në këtë rast, spiunit mund të fillojë t’i mbushet mendja se diçka është më e rëndësishme se të tjerat e të fillojë të këmbëngulë në atë pikë.

Perandori nuk ka për kriter ndershmërinë apo cilësinë e njerëzve që emëron në postet më të larta të perandorisë. Kriteri i tij i vetëm është besnikëria. Njerëzit e korruptuar mund të vjedhin sa të munden pafundësisht pa u dëmtuar. Por duhet ta kenë parasysh se nuk duhet kurrsesi të shkelin kriterin e besnikërisë. Pastaj, sa i përket aftësisë, ky është një problem më i thjeshtë. Perandori nuk mundet të lejojë që të ketë njerëz të aftë përreth. Ka vetëm një diell, çfarë do të ndodhte sikur perandori të kishte përreth dhjetë diej që ndriçonin më shumë se ai?

Ja pra pse aftësia e oborrtarëve dhe ministrave nuk ka rëndësi, përkundrazi, mund të konsiderohet diçka thellësisht negative. Besnikëria është mbi të gjitha.

Në oborr ka gjithmonë tre klane: burokratët, të cilët janë njerëzit më të arsimuar, aristokratët, që janë më të pasurit dhe; njerëzit që perandori i ka për zemër. Kjo kategoria e tretë përbëhet nga njerëz të rëndomtë të zgjedhur nga vetë Perandori. Nëse ia kap syri ndonjërin në turmë, mundet që t’i japë poste të rëndësishme. Por këta të fundit, për shkak se vijnë nga asgjëja dhe gjithçka që kanë vjen si rrjedhojë e zemrës së Perandorit, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për perandorin. Funksionojnë si kundërpeshë dhe si kamxhik për aristokratët dhe burrokratët.

Perandori është edhe një njeri që për të sunduar përdor surprizat. Kur njerëzit dalin para tij, ata nuk e dinë nëse nga ministër do të ekzekutohen, do të çohen në ndonjë provincë të largët, apo do të promovohen. Kjo klimë pasigurie ndihmon sundimtarin të bëjë çfarë të dojë me çdokënd që shkel kriterin e besnikërisë, ose që duket sikur e shkel. Mos ju sjell ndër mend fatkeqësitë qeverisëse të Shqipërisë kjo? Ka gjasa që sundimi i individëve pa ligje e rregulla e procedura krijon të njëjtat mekanizma të padukshme. Dhe Kapuscinski na ndihmon t’i kuptojmë më mirë këto mekanizma, me një cinizëm therës. “Njeriu më i pushtetshëm në perandori është ai, goja e së cilit qëndron më shpesh afër veshit të perandorit”…

Ky pra është vetëm fillimi i një libri të shkëlqyer, thellësisht cinik, dhe i qëndisur në çdo fjali. Përkthimi nga Astrit Beqiraj është shumë i mirë gjithashtu.

I botuar fillimisht më 1978 nga gazetari i jashtëzakonshëm polak Ryszard Kapuscinski, ky libër është një analizë e ngritjes, sundimit dhe rënies së perandorit të Etiopisë Hajle Selase, i cili u rrëzua më 1974 nga një puç oficerësh të nivelit të ulët të ushtrisë.

Është një dëshmi e zbërthyer në çdo detaj për mënyrën se si funksionojnë diktaturat.

You may also like...