Greqia duhet të shpëtohet nga kolapsi politik, ekonomik dhe shoqëror

Ky mund të jetë hapi i parë pas në integrimin harmonik të Europës, shkruan Tony Barber

Tony Barber, Financial Times

Greqia-festa-kombetare-600x360Pavarësisht pakujdesisë së qeverisë së saj radikale të majtë, pavarësisht dështimeve të klasave politike që e kanë keqqeverisur këtë vend që kur u rikthye demokracia më 1974, pavarësisht klientelizmit kronik dhe korrupsionit në shtet, pavarësisht egoizmit të oligarkive ekonomike të vendit dhe pavarësisht aftësisë habitëse të kreditorëve të huaj të këtij vendi për të mos kuptuar situatën në tërësi, Greqia duhet të shpëtohet sot nga kolapsi politik, ekonomik dhe shoqëror.

Pa një përpjekje të tillë, e cila duhet të udhëhiqet nga BE, Greqia do të zhytet edhe më shumë në radikalizëm politik, mjerim ekonomik, krim të organizuar, migrim të pakontrolluar e madje edhe luftë të hapur, tipike për një hark vendesh nga Bosnja-Hercegovina në Ballkan deri në Siri në lindje të bregut të Mesdheut.

Është e parëndësishme sot të gjesh se kush e ka fajin për atë që po merr formë si faliment i Greqisë përballë borxheve dhe dalje e këtij vendi nga eurozona. Ora nuk do të ndalojë thjeshtë sepse partnerët e Greqisë në Eurozonë – nëse fjala “partner” është ende e vlefshme sot – kanë deklaruar se durimi i tyre ka marrë fund. Greqia është në Europën Juglindore dhe stabiliteti i Europës juglindore është një çështje e rëndësisë më të lartë për BE-në dhe aleancën NATO.

Nëse Plani A qe që të gjendej një mënyrë për të goditur kanaçen në rrugë me shkelm dhe për ta mbajtur Greqinë benda programit të mbështetjes që ka ruajtur gjatë vteve të fundit anëtarësinë e këtij vendi në Eurozonë, dhe nëse Plani B (që tashmë po zbatohet) është që të mbrohet pjesa tjetër e Eurozonës nga Grexit, atëherë ka nevojë edhe për një Plan C. Plani C do të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur shpërthimin e ekonomisë së Greqisë dhe për të kufizuar pasojat helmuese politike që do të krijohen nga bisedimet e dështuara të ndihmës në këmbim të reformave. Kjo do të kërkojë që t’i demonstrohet grekëve të zakonshëm, të cilët sakaq kanë vuajtur shumë, se aleatët nuk do ta braktisin vendin e tyre.

Edhe nëse këto përpjekje arrijnë ndonjë farë suksesi, gjithsesi, nuk duhet të kemi dyshime mbi rëndësinë më të gjerë historike të asaj që po shfaqet si një tragjedi greke. Kjo që po shohim shënon hapin e parë pas në atë që lavdërohej si një proces i vazhdueshëm, në ca raste i ngadaltë, drejt integrimit harmonik të Europës, një kontinenti të shkatërruar deri në kockë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas të ndarë, deri më 1989, në perëndimin demokratik dhe në lindjen komuniste të kontrolluar nga Sovjetikët.

Objektivi i integrimit harmonik Europian tashmë është nën kërcënimin më të madh në të gjitha kohërat, falë sfidave të krijuara nga migrimi i parregullt, stanjacioni ekonomik, egërsisë ruse, sjelljeve mendjengushta britanike dhe keqmenaxhimit rrënqethës të telasheve të Eurozonës.

Por, tani për tani, prioriteti kryesor duhet të jetë që të ndihmohet Greqia – brenda apo jashtë eurozonës.

You may also like...