Greqia, një minë me sahat

Greqia nuk mund të dalë nga eurozona dhe eurozona nuk mund ta lërë Greqinë të dalë. Megjithatë me ardhjen e Syriza në pushtet, palët do të duhet të arrijnë një marrëveshje.

Një grek po pret të votojë në një qendër votimi në Athinë më 25 janar 2014.

Një grek po pret të votojë në një qendër votimi në Athinë më 25 janar 2014.

Yannos Papantoniou, Project Syndicate

Athinë – Shumë gjëra janë duke u luajtur në zgjedhjet e Greqisë. Me të vërtetë, rezultati i tyre mund të përcaktojë nëse vendi mbetet anëtar i eurozonës me pasoja shumë të gjera për pjesën tjetër të bashkimit monetar.

Syriza, një parti e të majtës radikale, popullariteti i të cilës është shumëfishuar përgjatë krizës ekonomike të vendit, është favorit për të fituar, megjithëse nuk ka gjasa që të fitojë mjaftueshëm poste deputetësh për të qeverisur më vete. Në vend të kësaj, ajo ka gjasa do të udhëheqë një qeveri koalicioni, por se me cilat parti, kjo mbetet e paqartë.

Themelore për platformën e Syriza është programi i saj ekonomik, i dizenjuar për të kudërvepruar ndaj pasojave të masave të rrepta dhe të tepërta të kursimit që grekët janë duruar përgjatë katër viteve e gjysmë në këmbim të ndihmës për shpëtim financiar nga “trojka” e Bankës Qendrore Europiane, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Europian. Pensionet janë reduktuar me 40 për qind mesatarisht ndërsa klasa e mesme është duke vuajtur barrën e taksave të reja rrënuese mbi pronat.

Për rrjedhojë, Greqia ka rënë në një recesion të thellë dhe të gjatë, ku prodhimi ekonomik është 25 për qind më i ulët se sa në nivelet para krizës. Për më keq, papunësia është aktualisht në 26 për qind – dhe më shumë se 50 për qind e të rinjve janë të papunë. MEgjithatë shumica e përfitimeve të papunësisë hiqen pas 12 muajsh dhe të papunët afatgjatë shpesh humbasin aksesin në sistemin publik të kujdesit shëndetësor. Shto këtu një rritje prej 30 për qind të çmimeve për ilaçet me recetë dhe është e lehtë të shohësh se pse shoqëria greke është shkatërruar.

Natyrisht, këto sakrifica mund të jenë të vlefshme nëse do të mund të reduktonin borxhin publik të Greqisë në një nivel të menaxhueshëm. Por, në fund të vitit 2014, borxhi publik u rrit në 175 për qind të PBB-së, në krahasim me 127 për qind që qe në vitin 2009. Shërbimi i këtij borxhi publik kërkon suficite të buxhetit primar të barabarta me së paku 4 për qind të PBB-së deri në vitin 2022 – një skenar që kërkon një rritje të fortë ekonomike. Por nën peshën e kursimeve fiskale të pafundme, një rritje e tillë është e pamundur.

Kjo është arsyeja se pse Syriza ka premtuar të nisë një program të ri masiv shpenzimesh – përfshirë kupona për energji elektrike dhe ushqime falas për të varfërit, një rritje në pensionet shtetërore në nivelet e parakrizës  etj – të cilat mund të kushtojnë rreth 6.5 për qind të PBB-së. Rritja e taksave nga njerëzit me të ardhura të larta dhe pronarët e mëdhenj mund të ndihmojë për të financuar këto shpenzime, ndërsa rritjet e pagave munimale mund të rikthejnë përpjekjet për rishpërndarje të të ardhurave kombëtare.

Syriza ka premtuar gjithashtu të anulojë disa masa për liberalizimin e tregut të punës dhe të pezullojë privatizimet. Në fund, ajo ka në plan të rinegociojë me kreditorët e Greqisë me shpresë se do të përfitojë anulim që pjesës më të madhe të detyrimeve të saj.

Programi ekonomik i Syriza-s neglizhon një fakt ë rëndësishëm, atë që masat për konsolidim fiskal dhe reforma strukturore nuk është se janë thjeshtë detyrime të ndërmarra nga Greqia; ato i shërbejnë gjithashtu interesit afatgjatë të vendit. Duke parë këtë, ato nuk munden – dhe nuk duhet – të anulohen. Në vend të kësaj, problemet në dizenjimin dhe zbatimin e tyre duhet të trajtohen, në mënyrë që të përmirësohet efikasiteti brenda rrethanave aktuale ekonomike.

Një përqasje e tillë mund të fuqizojë pozicionin e Syriza në bisedimet për lehtësimin e borxhit. Gjithsesi, deklaratat zyrtare sugjerojnë se trojka nuk është e prirur të pranojë kuadrin negociues të Syriza ndërkohë që synimi i tyre aktual është përfundimi i bisedimeve që ka nisur me qevernë në ikje të qendrës së djathtë. Objektivi është që të sigurohen shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve buxhetore, të nisin reforma të reja të tregut të punës dhe pensioneve. Shkurtimisht, trojka do të këmbëngulë që Greqia të respektojë angazhimet e veta.

Nëse bisedimet pezullohen, stresi financiar dhe i likujditetit, që do të krijohet nga paaftësia e Greqisë për të marrë hua me normat aktuale të interesit – jeldet e bondeve dhjetëvjeçare kanë arritur në 9.5 për qind – do të dobësojë edhe më tej pozicionin fiskal dhe sistemin bankar. Kjo mund të sjellë rrënim të besimit, duke shkaktuar trazira financiare, të cilat, për rrjedhojë, do ta shtyjnë vendin të kërkojë një paketë të tretë të shpëtimit financiar – një paketë që mund të kërkojë largimin e Greqisë nga eurozona dhe krijimin e një monedhe të re të zhvlerësuar.

Në këtë rast, pozicioni gjeopolitik i Greqisë do të dobësohet, ekonomia e saj do të zhytet më thellë në recesion dhe tensioni shoqëror do të rritet. Për më tepër, destabiliteti do të bëhet kronik, për shkak se eurozona nuk do të jetë më një ndihmuese në kushtet e shthurjes fiskale dhe financiare.

Autoritetet e eurozonës mund të pretendojnë se dalja e Greqisë nuk përbën më një rrezik sistemik, duke marë parasysh vendosjen e instrumenteve të ndryshme përgjatë viteve të fundit në dispozicion të luftës kundër krizave financiare, përfshirë fondet e shpëtimit të qeverive, një union bankar të pjesshëm, kontrolleve fiskale më të ashpra si dhe rolit të ri të Bankës Qendrore Europiane si kredidhënës në kushtet e krizë. Por dalja e një vendi anëtar sërish mund të sugjerojë se integriteti i Eurozonës nuk është i garantuar – një mesazh që nuk ka gjasa që do të kalojë pa u vënë re nga tregjet.

Një dalje e Greqisë mund të shërbejë si paralajmërim për vende të tilla si Spanja, Italia dhe Franca, ku pari të fuqishme anti-Europiane dhe anti-estabilishment janë në rritje. Por kjo nuk do të bëjë asgjë për të zgjidhur problemin e vërtetë: rritja e divergjencës ekonomike mes vendeve të eurozonës. Për aq kohë sa hendeku në ecurinë ekonomike vijon të zgjerohet, votuesit do të vijojnë të sfidojnë integrimin europian. Vetëm unifikim i mëtejshëm i kapur me politika të orientuara nga rritja ekonomike në vendet në vështirësi mund të përmbysin këtë tendencë.

Një konkluzion i tillë është ende i mundshëm – por vetëm në rast se aktorët e rëndësishëm e kuptojnë rrezikun që mbart dalja e Greqisë nga eurozona. Një qeveri e udhëhequr nga SYriza duhet të moderojë përqasjen e saj dhe të premtojë se do të vijojë të ndjekë refoma dhe të kufizojë shpenzimet në këmbim të reduktimit thelbësor të barrës së boxheve të saj – një reduktim që trojka duhet të jetë e gatshme ta japë.

Yannos Papantoniou qe ministër i Ekonomisë dhe Financave të Greqisë nga viti 1994 deri më 2001. Ai është aktualisht President i Qendrës për Kërkime të Politikave Progresiste, një institucion kërkimor i pavarur.

You may also like...