“Heretiku” Klaus kundër ambientalizmit

Prezantohet në Tiranë libri i shumëdebatuar i Presidentit çek kundër teorisë së ngrohjes globale

Gjergj Erebara

Kryefjala e vizitës së Presidentit të Republikës Çeke në Shqipëri, Vaclav Klaus, gjatë dy ditëve të fundit, duket se ishte “biznes”, por edhe “integrim europian”. Por pasioni i tij më i madh dhe më i debatuar në të gjithë botën, u krye pa shumë vëmendje mediatike të hënën në darkë, kur në Tiranë u prezantua i botuar në shqip nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare libri “Planeti Blu në Vargonj të Gjelbër.”

planeti-blu-ne-vargonj-te-gjelber-vaclav-klausLibri i përkthyer nga Adriatik e Maksen Shino, dhe i redaktuar nga ambasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, është një pamflet politik që irriton deri në vdekje shumicën dërrmuese të ambientalistëve në të katër anët e botës. “Ai beson se bota është e sheshtë, por do të ketë një zgjidhje biologjike për të, sepse ai është i moshuar,” na tha një ambjentalist gjerman në Berlin në prill 2008, dukshëm duke uruar vdekjen e tij si zgjidhje të sfidës ndaj teorisë së ngrohjes globale.

Vizita në Tiranë

Presidenti Klaus vizitoi Shqipërinë gjatë dy ditëve të fundit, i shoqëruar nga një numër i madh kompanish çeke, pothuajse të gjitha të lidhura me sektorin e energjisë. Disa prej këtyre kompanive, të cilat prodhojnë pajisje elektrike si matësit e energjisë etj., kanë ardhur sepse furnizojnë CEZ në vendin e tyre dhe e ndjekin këtë kompani në vendet e tjera. CEZ pritet të investojë rreth 200 milionë euro në vitet e ardhshme për rinovimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri dhe kjo do të thotë se për kompani të tjera çeke do të ketë mundësi joshëse për biznes. Presidenti çek foli në Tiranë edhe për kundërshtitë e tij ndaj Traktatit të Lisbonës. Në fakt, e gjithë Europa po pret firmën e tij për ta kthyer BE-në në një entitet politik me ndikim botëror, por Klaus po i lë të presin. Më herët, Klaus thuhet se ka komentuar para disa diplomatëve amerikanë se BE-ja është “një entitet i dështuar dhe falimentuar”.

Klaus i shumëdebatuari

Presidenti i Çekisë është angazhuar në debate të ashpra në shumë çështje, përfshirë edhe Kosovën. Një ekonomist liberal i shqetësuar shumë për rreziqet që i kanosen lirisë, ai njihet si euroskeptik dhe si njeriu që iu bashkua të paktëve politikanë të votës kundër projektit të Kushtetutës Europiane kur ajo u votua për herë të parë në Irlandë, në vitin 2008. Klaus njihet gjithashtu si mik i Rusisë dhe i Serbisë, si një politikan që kundërshtoi shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar atë si “hapjen e kutisë së Pandorës” që mund të zhysë Europën në kaos. Pavarësisht kundërshtimeve të Presidentit Klaus, Çekia e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

“Heretiku” Klaus

Pjesa më e debatuar e aktivitetit politik të Presidentit Vaclav Klaus janë kritikat ndaj lëvizjeve politike dhe shoqërore botërore që promovojnë idenë e rreziqeve që na kanosen nga ngrohja globale dhe efekti serë. Sipas tij, një kërcënim i tillë nuk ekziston ndërsa lëvizja botërore për ndalimin e ngrohjes globale përbën një rrezik serioz për vetë lirinë.

“Liria, jo klima është në rrezik”, shkruante ai në një editorial të publikuar në gazetën ekonomike angleze “Financial Times”.

Pak më vonë, kjo ide e tij u botua në formën e një libri. Fillimisht, botimi në anglisht u shit për 45 dollarë. Por botimi në shqip filloi të shitej për 500 lekë.

Libri argumenton se teoria e ngrohjes globale dhe fundit të botës që mund të vijë prej kësaj, është një teori aspak shkencore, bazohet në argumente të paqena dhe në një farë mënyre, është një komplot. Sipas Klaus, ish-komunistët pasi humbën luftën për një botë më të drejtë me demaskimin e realitetit komunist, kanë gjetur një ideologji të re, ngrohjen globale, e cila në thelb synon të krijojë një sistem planifikimi global.

“Ngrohja globale nuk është një teori shkencore. Ajo duhet të trajtohet nga shkencat shoqërore, është një lloj religjioni”, thotë ai.

Klaus thotë gjithashtu se njerëzit që nuk besojnë te ngrohja globale po marrin një trajtim politik të ditët tona të ngjashme me heretikët e Mesjetës. “Shumë politikanë nuk e besojnë diçka të tillë, por nëse e deklarojnë, akuzohen për mungesë korrektese politike”, – thotë ai. Klaus është figura më e famshme mes një numri të vogël, por në rritje, shkencëtarësh e njerëzish të zakonshëm që po flasin hapur kundër teorisë së ngrohjes globale, e cila, deri më sot, megjithëse shumë vende kanë refuzuar ta pranojnë, sërish nuk e kanë denoncuar si të rreme. Debati u zhvillua në shkallë ndërkombëtare kur ish-zëvendëspresidenti amerikan, Al Gore, publikoi dokumentarin e tij “Një e vërtetë e paleverdishme”, ku argumentonte se bota e ka fundin të afërt në rast se nuk merr masa drastike kundër emetimit të gazrave ndotës. Sipas tij, niveli i oqeaneve do të rritet, klima do të ngrohet dhe sëmundjet tropikale që sot bëjnë kërdinë në Afrikën nën-Sahariane, do të pushtojnë të gjithë botën. Shkurt, një fund i paralajmëruar për njerëzimin. Për të shmangur këto lloj katastrofash, sipas ambientalistëve, bota duhet të ndalë industrializimin e vet, nuk duhet të djegë karburante fosile për ngrohje, etj. Ndalimi i emetimit të gazrave është kthyer ndërkohë në politikë globale, pavarësisht se disa vende të rëndësishme si Kina nuk e kanë pranuar.

Kritikët si Presidenti Klaus besojnë se një parashikim i tillë i të ardhmes së botës është thjesht një gënjeshtër. Sipas tyre, në natyrë ka forca shumë më të mëdha se sa qytetërimi ynë dhe pasojat që mund të shkaktojë qytetërimi janë të papërfillshme në krahasim me pasojat që mund të shkaktojë një shpërthim i madh vullkanik, një meteor apo një stuhi diellore. Për pasojë, të marrësh masa kundër efektit të njeriut në natyrë, është njësoj si të marrësh masa kundër njeriut.

“Asnjë ndërhyrje qeveritare nuk mund ta ndalojë botën dhe natyrën nga ndryshimi. Prandaj nuk jam dakord me projekte të tilla siç është protokolli i Kiotos dhe iniciativa të tilla, të cilat vendosin objektiva arbitrare, që kërkojnë shpenzime jashtëzakonisht të mëdha, pa perspektivën realiste për suksesin e këtyre masave”, thotë Klaus në librin e tij.

“Në qoftë se ligjvënësit do të pranojnë kërkesat maksimale ambientale, ndikimi mbi ekonominë kombëtare do të jetë shkatërrues. Kjo mbase do të stimulojë vetëm një sferë të vogël të ekonomisë, por pjesa më e madhe do të mbytej nga kufizimet e krijuara artificialisht, direktivat dhe porositë”, – vijon ai më tutje.

You may also like...