Hetimi

Pjesë nga romani i autorit me titull “Korniza”

Rudi Erebara

korniza1Rajoni i policisë qe ish-shtëpia e një tregtari të madh të pushkatuar në 1945. Sulejmani e dinte këtë, sepse ky kishte qenë mik i familjes së tyre. Kishte pasur shumë prona, dyqane e shtëpi edhe këtë vilë italiane. Zyrat e katit përdhes kishin qenë për kuzhinën e depot, lart dhomat e gjumit dhe salloni i pritjes me piano austriake me bisht, salla e ngrënies, studio e punës. Edisoni i kishte me të treguar të gjitha, nga gjyshi, nga prindërit, nga të tjerë. Si ky tregtari kishte bërë nam me çimento e sheqer në kohë të luftës. Kujtimet e bukura të treguara për kohët e paraluftës iu mbytën nga terri i banjës së ndërtuar nga shteti në oborr, për policët e shumtë të rajonit.
Uliksi zbriti shkallët pa i kthyer përgjigje policit. E gjeti nga era. Dhe gati sa nuk i shpërtheu kopsat e pantallonave për të lëshuar ujët e hollë. Pak i ra në dorë, pak në pantallona. U çlirua. Mori frymë dhe i dogji hunda nga urina e banjos. Nuk uli kokën poshtë të shikonte ku po shkel. Një mendje i thoshte të shkelte në mut, se me këtë rast do ta përzinin nga zyrat e shtetit, se mos i bënte me mut qilimat qe i kishin marrë atij mutit, armikut të klasës, që u kishte ngrënë kokrrën e mutit, me një koqe plumbi bythëve. Renditi me rradhë sipas fjalorit të një polici Uliksi në mend, por pastaj ia shpifi ideja se ku do të lahej deri në shtëpi kur nuk e kishte një pikë ujë fucia e ndryshkur në hyrje të haleve të rajonit. Edhe do ta merrte fëlliqësinë me vete hap pas hapi gjithë rrugën në sy të njerëzve. Do të qelbte autobusin. Do ta shikonin të gjithë si njeriun me damkë. Njeriun me njollë. Do të kujtoheshin kush ishte ai që shkonte nëpër rrugë me mutin nëpër këmbë. E kush tjetër përveç armikut të klasës?! Reaksionarit. Kriminelit të lindur me urrejtjen për pushtetin popullor dhe arritjet e socializmit që në bark në nënës, ai që do të shkelte në mut e do ecte ashtu me qëllim. Te tregonte se nuk ka ujë të lahet, e shkon e gjen mënyrën të nxijë realitetin. Të përmutë arritjet e lavdishme. Sulejmani uli kokën e pa me kujdes rrugën e daljes. Për një fat të madh shpresonte të mos kishte shkelur gabim kur qe futur furtunë nga sikleti. Shpejt sapo doli në dritë e ajri u çel, era e ndoqi. Pa rrotull për ujë me shpresë të kotë. Nuk ishte ora e ujit. Uji vinte në gjashtë. Uliksi i dha trupit përpjetë e shkoi të kruante këmbën në një pullë bari të trashë të farës kineze që rritej në hije. Shumë të tjerë e kishin bërë përpara tij. Bari qe fëlliqur me halpa shumëngjyrëshe feçesh, si lecka që bëhet me baltë kur fshihen këmbët përpara portës. Polic!

Kujtoi fjalën ngushëlluese të Ismailit. Hodhi sytë rrotull. Nuk e pa. U rreh të fshinte këpucën në një pullë bari që dukej pak më e pastër. Polici i rojes e pa dhe nuk shfaqi asnjë kundërshti apo aprovim. Me sa dukej qe mësuar me këtë balet mbi bar, herë me të majtën e herë me të djathtën. Kur u bind se ishte pastruar disi shkoi aty ku rrinte polici. Nxorri paketën dhe ndezi një cigare. Tymi e vrau erën që i qe ngjitur në gojën. Sulejmani pështyu me shumë kujdes në një qoshe. Që polici të mos mendonte asnjë mbrapshti. Dhe e thithi cigaren fort disa herë. Nxorri tymin nga hunda me gulçe të gjata, të shpeshta. Priti. Nuk kishte më frikë. As shqetësim. Dy pyetje të tjera, pesë minuta punë. Kur prushi arriti filtrin, ai e hodhi cigaren pashuar në barin e fëlliqur, me një shpresë të marrë se ai bisht me zjarr do ta digjte pisllëkun. Por bari qe shumë i qullur për t’u djegur. U mat ta pyesë policin pse po priste akoma, por fjala e Ismailit i vinte në gojë sa herë matej. Kështu që mendoi se mos ndoshta po priste të dilnin bashkë, edhe kështu duhej të ishte rregullorja.
– Shko majtas ku ishte, tek katra. Paraqitu.
– Po patjetër. I shërbejmë partisë. – tha Sulejmani dhe i kaloi policit përpara. Zgjati instiktivisht si për fat të mirë këmbën e djathtë të hynte brenda, edhe sapo i shkeli në pllakën e larë të sallës së pritjes e ndjeu shkëlltakën ngjitëse që iu shkëput nga gropa e harkut të këmbës, në buzë të takës.
– Shkele në mut?! – gati i ulëriu polici nga pas shpine.
– Nuk kishte dritë në banjë, nuk e pashë. – u shfajësua si kalama Uliksi. E kjo nuk i pëlqeu aspak Sulejmanit, i cili tha, – E fshiva në bar edhe unë si gjithë të tjerët.
– Pastroje me shaminë e xhepit. Ku shkel ashtu si lopa në haur! E di ku je këtu apo jo?! Këtu ka rregull. Të bëj ta lash me llapë! Ec aty gomar, shko fshije me shami se të pret komandanti. Te komandanti do futesh me këpucët me mut mor mut!
– Mbaj gojën të lutem shok! – i tha Uliksi dhe Sulejmani desh e kapi nga gryka. – Nuk është faji im, edhe ti më pe vetë që shkova ta pastroj.
– Shko fshije me shami andej nga mbrapa se ka një fuci uji nga të zjarrfikses. Pastroje mirë se në bar e kanë fshirë të gjithë. E pashë unë, nuk po gënjen. Shko pastroje e mos na boj pis ujin, dëgjove! – dëgjoi të flasë dikush nga pas shpinës së tij.
– Ky e ka bërë në brekë më duket! – u tall polici, pastaj, shtoi – Shaka. Ktheu kokën edhe pa një polic tjetër që fliste nga xhami i vogël i vendrojës. Polic! I shkrepi në ballë fjala e Ismailit. Të gjithë njëlloj janë. Shkoi e gjeti ujin. E hoqi këpucën e lau me ujë me dorën e djathtë, pastaj kur u pendua ishe vonë. Po sikur të më zgjasë dorën ky komandanti? Po sikur të vijë erë dora ime? Do të më vrasë aty në vend. Pa gjyq. Upërzie në bark. I erdhi për vjellë. Pamend vuri dorën tek hunda i mori erë. Shikoi përreth. Asnjë copë leckë. Futi dorën në rërën e kovës së zjarrfikëses. E kuptoi menjëherë që nuk ishte i pari. Rëra ishte e lagur, por e shkrifët. E fërgoi mirë disa herë. Pastaj e shpëlau brenda në ujin e fuçisë. Pastaj u kutjua, pa andej-këtej mos e shihte njeri edhe hodhi pak ujë përdhe sa ta dëgjonin policët se nuk ia kishte bërë pis ujin e fuçisë, siç e kishin urdhëruar.

Sulejmanit i erdhi keq njëfarsoj, kurse Uliksit aspak. Nuk ka për të pirë njeri këtu, i dha drejtim. Eci pak hapa se iu duk nën një kthesë gjysmë në errësirë një diçka e njohur. E preku. E njohu me të prekur kabotin e parrullave. Ishte nga më i trashi, më i miri. Enveri nuk është këtu mbrapa. Me siguri duhet të jetë Mao. E kroi këpucën mirë e mirë, poshtë e në anë pas këndit të telajos. Doli pak më në dritë zbathur në çorapë. Nxorri shaminë e lagu dhe shkoi e erdhi disa herë me shami të lagur derisa ia mori mendja se të dy këpucët i kishte larë mirë. Zemra i rrihte si vare. Lutej në padije që ky të ishte portreti i Maos e nuk guxonte të mendonte ndryshe. Edhe pse e dinte se Mao zakonisht vinte nga kina me kanavacë lini. Kaboti i pambukur ishte për Stalinin dhe të tjerët e byrosë. E preku ashtu në tym se mos dallonte me mollëzat e gishtave gjurmët e penelit nëpër medaljet, spaletat, se ato bëheshin me bojë të trashë të dukeshin mirë. Dora i preku një merimangë. E tërhoqi pas i trembur. E futi përsëri edhe kërkoi qorrazi telajon derisa gishtat i prekën një reliev boje, medalje, tha me gjysmë zëri, apo spaletë. Qe një telajo e madhe me korrnizë të thyer ne dy anë. Mesi i saj me sy, i binte atij në bel. Nuk ka medalje kaq lart, tha Sulejmani. Ai e kërkoi prapë. Medalja u shtyp sikur boja të ishte e njomë. Një gjë ngjitëse i mbeti në gishta. E kuptoi. Nuk ishte i pari që kishte zbuluar vendin për të fshirë duart. Mao është, qetësoi veten me zë. Ai nuk ka medalje. Dhe lau përsëri dorën me rërën me mut, me ujin me mut, e fshiu sa më larg që mundi pas bezes me bojë, sa nga para nga mbrapa, pastaj hoqi corapët. Fshiu duart me qafat e thata. Kapi shaminë në një qoshe. E futi në njërin nga corapët. Veshi këpucët zbath. Futi çorapin bashkë me shaminë, corap më corap, i mori erë, iu duk sikur nuk binin dhe me ndot të llaftarisur i ngjashi në xhepin e majtë të pandallonave. U nis e shkoi pothuajse me vrap të paraqitej te komandanti. Ismaili kishte mbaruar e po priste duke pirë cigare. Ai bëri sikur nuk e pa. Rendi te dhoma e pyetjeve numër katër. Trokiti. Era e bojës së vajit në portën e sapo lyer me blu, i hapi mushkëritë. Zyrë e re mendoi. Pozitë e lartë.

– Hyr! – i tha zëri nga brenda dhe ai u fut ngadalë. Frikën e kishte të mbledhur në fyt sikur i kishte ngelur kafshata e bukës. Tjetri i zgjati dorën. Ai u mat, e pa dorën e tij me shumë takt, edhe ia dha me frikën më të madhe në botë. Do të më vrasë këtu edhe do më hedhin në mut në hale, tha me zë brenda vetes me një të qeshur të çmendur, por lehtësuese, Sulejmani. Polic! Të gjithë e fshijnë bythën.
Tha kështu dhe u ul si i tha tjetri. Shikonte me shumë kujdes se mos i kishte lënë komandantit të madh ndonjë shenjë në dorë. Bëri kubin e zakonshëm të duarve përpara vetes dhe priti pyetjet me sytë në dorën e tjetrit. Ai, fërkoi mustaqet dy herë shpejt me të majtën. Sulejmanit i doli zemra nga krahërori. Komandanti ndezi një cigare dhe i zgjati paketën. Çlirim i madh. Nuk ishte asgjë për t’u shqetësuar. Pyetje koti.

You may also like...