Humor anglez me Tony Blair

Tony Blair, ish-kryeministër i Britanisë së Madhe, është një hero i Luftës së Kosovës, ndoshta edhe më shumë se sa ish-presidenti amerikan Bill Clinton. Ai pritet të bëhet edhe këshilltar i qeverisë së ardhëshme shqiptare, megjithëse në këtë funksion, i shërben edhe disa vende të tjera si Kazakistani, Kuvajti, Kolumbia, Mongolia e Brazili. Nga këto, Kazakistani renditet si një vend jo i lirë, Kuvajti pjesërisht i lirë, Shqipëria, pjesërisht e lirë, Kolumbia, pjesërisht e lirë, ndërsa Brazili e Mongolia konsiderohen vende të lira nga indeksi i Freedom House.

Ndërgjegjja e Tony Blair në lidhje me shërbimet që po ofron në këtë rast nuk është se më shqetëson shumë. Në fakt, po flas për një roman shumë ironik dhe të këndshëm të shkruar nga Robert Harris, një shkrimtar bashkëkohor anglez. “Hija” ose “Shkrimtari Hije” është një libër që filloi të shkruhet pikërisht një çastin kur Tony Blair u largua nga skena politike.

Libri flet për një kryeministër, i cili është në të gjitha kuptimet Tony Blair, por e ka emrin Adam Lang. Ai mbart me ironi të hollë të gjithë zhgënjimin e të majtës së Britanisë së Madhe me njeriun që hyri në luftë me Irakun, luftë që konsiderohet si e jashtëligjshme, si dhe lejoi përdorimin e territorit të Britanisë së Madhe për operacionet sekrete të CIA-s, ku përfshihej mes të tjerash, torturimi i të dyshuarve për terrorizëm me synimin për të nxjerrë informacione apo transportimin tranzit të të arrestuarve në Afganistan apo vende të tjera, që dërgoheshin në Guantanamo, burgun famëkeq ku përfunduan dhjetëra njerëz krejtësisht të pafajshëm.

Por libri është një vepër letrare. Të vërtetat historike janë të rëndësisë së dorës së dytë në krahasim me nevojën për të bërë një roman të këndshëm. Është ironia therëse tipike angleze ajo që përbën thelbin e librit.

Ngjarja zhvillohet pak a shumë kështu:

Një botues i fuqishëm premton t’i japë 3 milionë dollarë ish-kryeministrit Adam Lang për të shkruar dhe publikuar kujtimet e tij. Kujtimet janë një formë testamenti politik, shpesh më e rëndësishme se sa vetë dokumentet historike që mbartin mënyrën e qeverisjes së një vendi. Udhëheqësit që kanë shumë pishmane, nuk kanë shkruar kujtime.

Ish-kryeministri merr zëdhënësin e tij për ta ndihmuar të shkruajë kujtimet, të cilat janë një histori banale e shkruar pa shumë grintë e me pak talent. Ky lloj shkruhesi quhet “shkrimtari hije”, zakonisht konsiderohet gjysmëshkrimtar, pasi bën libra por nuk i del emri kurrë në to. Ato fillojnë si kujtimet e mërzitshme me një gjuhë të  njohur për ne: “Adam Lang rrjedh nga një familje krenare skoceze, bir i tokës së lashtë skoceze,” etj. Por shkruesi i parë i kujtimeve të Adam Lang vdes në një aksident misterioz, policia e mbyll çështjen si vetëvrasje ose vdekje aksidentale. Për këtë arsye, botuesi i kujtimeve punëson një djalë të ri, i cili më herët ka hartuar kujtime popstarësh, të tilla si, një zezak i varfër që ngrihet në botën e suksesit apo një fëmijë i dhunuar që bëhet këngëtare transgresive.

Ky është njeriu që merr përsipër të korrigjojë variantin e mërzitshëm të kujtimeve të ish-kryeministrit të shkruara nga ish-zëdhënësi i tij për shtyp. Për ta përmirësuar, ai fillon të shkruajë se si Adam Lang përballet me një vajzë aktiviste të partisë Laburiste, e cila qe lagur në shi, por i trokiti në derë në kuadër të fushatës për zgjedhje. Për hatër të njohjes me këtë vajzë, Lang bëhet aktivist politik dhe shpejt ngjitet në postin e kryeministrit. Ngjarja, e shkruar në këtë mënyrë, qe e pavërtetë, por kjo nuk ka shumë rëndësi për ish-kryeministrin. Ai ka telashe të tjera. Një ish-bashkëpunëtor i tij, ish-ministër i jashtëm, nxjerr një dokument ku bëhej e ditur se Lang pati autorizuar përdorimin e territorit britanik për torturat e kryera nga CIA. Gjykata Ndërkombëtare Penale, ngre një padi për “krime kundër njerëzimit”. Lang detyrohet të qëndrojë në një ishull të SHBA-ve, një nga vendet e pakta në botë që nuk njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Shkrimtari Hije bëhet kurreshtar për disa dokumente të vjetra të lëna nga paraardhësi i tij i vdekur në aksident. Ai fillon të bredhë në SHBA për të zbuluar një enigmë. Enigma fshihet në një fotografi të ish-kryeministrit, i cili në rininë e vet pati luajtur në një dramë teatrale në shkollë. Në fotografi qe edhe një profesor amerikan.

Gjurmimi zbulon një komplot botëror. CIA e lidhur me gruan e kryeministrit të ardhshëm që përdor influencën e gruas mbi burrin për të zbatuar politikën globale të kompanive të prodhimit të armëve.

Romani është ironik në shumë drejtime. Ai e nxjerr ish-kryeministrin Lang si një aktor, i cili luan një pjesë të shkruar nga të tjerët. Në një pikë në roman, sekretarja e ish-kryeministrit rezulton të jetë hija e gruas së tij. Për hakmarrje, shkrimtari hije bëhet hije e ish-kryeministrit në kuptimin e drejtpërdrejtë. Pas një bredhjeje në kohë të keqe, ai merr një palë tesha hua nga e zonja e shtëpisë, dhe vesh brekët e ish-kryeministrit, të prodhuara me porosi (për ata që nuk e imagjinojnë dot, ka ende prodhim brekësh me porosi, ku në to shkruhen edhe inicialet e atij që i vesh).

Ironia vijon më tutje me faktin që zbulimi i së vërtetës nga ana e shkrimtarit hije fillon me një si punë zgjidhje gjëegjëze të llojit Dan Brown.

Zgjidhja e romanit është paksa Deux Ex Machina, por besoj se kaq mjafton.

Ai është bërë një film shumë i këndshëm nga Roman Polanski, i cili u debatua po aq shumë.

You may also like...