Hyrja e Britanisë në Luftën e Parë Botërore qe “gabimi më i madh në historinë moderne”

Historiani Niall Ferguson thotë se Britania duhej të pranonte fitoren e Gjermanisë dhe të qëndronte jashtë luftës

Maev Kennedy, The Guardian

Britania mund të kishte pranuar fitoren e Gjermanisë në luftën e parë botërore dhe duhej të kishte qëndruar jashtë konfliktit më 1914, mendon historiani Niall Ferguson, i cili e përshkroi ndërhyrjen si “gabimi më i madh në historinë moderne”.

Në një intervistë me BBC, Ferguson tha se nuk kishte kërcënime për momentin ndaj Britanisë, e cila mund ta kishte përballuar Europën e dominuar nga Gjermania në një periudhë më të vonë, me kushtet e përcaktuara vetë, në vend që të nxitonte e papërgatitur, gjë që shkaktoi kosto katastrofike.

“Britania mundej me të vërtetë të pranonte fitoren e Gjermanisë. Më e rëndësishmja, mund të qe interesi i Britanisë të qëndronte jashtë më 1914,” tha ai para një dokumentari të bazuar në librin e tij Lufta për të Ardhur Keq.

Profesori i Historisë në Universitetin e Harvardit hodhi poshtë idenë se Britania qe e detyruar të vepronte më 1914 për të siguruar kufijtë dhe portet e kanalit. “Ky argument, i cili është shumë joshës, ka një defekt masiv, që është fakti se Britania toleroi ekzaktësisht të njëjtën situatë që po ndodhte kur Napoleoni pushtoi kontinentin Europian dhe [Britania] nuk dërgoi menjëherë trupa tokësore kundër Napoleonit. Kështu nga pikëpamja strategjike, në rast se Britania nuk hynte në luftë më 1914, ajo sërish mund të kishte opsionin për të hyrë më vonë, njësoj siç e pati opsionin për të ndërhyrë pasi luftërat revolucionare qenë zhvilluar për ca kohë”.

Qe mbresëlënëse, tha ai, që Britania ndërhyri në tokë kaq herët më 1914, kur qe goxha e papërgatitur.

“Krijimi i një ushtrie pak a shumë nga zero dhe pastaj dërgimi i saj në luftë kundër Gjermanëve ce një recetë për humbje katastrofike. Dhe nëse ndokush pyet nëse kjo qe mënyra më e mirë që Britania të merrej me sfidën e krijuar nga Gjermania imperiale, përgjigjja ime është jo.

Edhe nëse Gjermania do ta kishte mposhtur Francën dhe Rusinë, ajo do të kishte një sfidë goxha të madhe në duart e veta për të drejtuar një Europë të dominuar nga Gjermania dhe do të mbetej në mënyrë domethënëse më e dobët se sa Perandoria Britanike në terma detarë dhe financiarë. Duke parë burimet që Britania kishte në dispozicion më 1914, një strategji më e mirë do të qe të pritet dhe të përballej me Gjermaninë më vonë, kur Britania do të qe më e përgatitur për të luajtur në fushë të vet, duke përdorur avantazhet e kapaciteteve të veta shumë më të mëdha detare dhe financiare.”

Në Britani ka aktualisht një debat për mënyrën se si duhet të shihet Lufta e Parë Botërore. Disa mendojnë se ajo duhet të shihet si një guxim heroik ndërsa disa të tjerë, si një gabim monumental.

Ferguson thotë: “Ne nuk duhet ta shikojmë atë si një fitore të madhe apo si një krim të tmerrshëm, por më shumë si gabimi më i madh në historinë moderne.”

“Kostoja, më lejoni ta theksoj, e luftës së parë botërore për Britaninë qe katastrofike dhe la Perandorinë Britanike në fund në një gjendje shumë më të dobët… ajo pati akumuluar borxh të stërmadh, kostoja e të cilit kufizoi kapacitetet ushtarake të Britanisë përgjatë të gjithë periudhës mes dy lurtërave. Pastaj qe humbja e fuqisë njerëzore – jo vetëm e të gjithë oficerëve aristokratë, por shumë shumë punëtorëve të kualifikuar që vdiqën apo mbetën të paaftë për punë në luftë. Ne natyrisht duhet të ndjejmë simpati për burrat si gjyshi im që luftuan në luftën e parë, për shkak se vuajtjet e tyre qenë të paimagjinueshme. Nurmi i të vdekurve, i cili qe më i lartë se sa ai i luftës së dytë botërore, qe gjëja më e dhimbshme që Britania kishte përjetuar ndonjëherë në luftë.”

Por, shtoi ai, ne duhet të ndjejmë zhgënjim që udhëheqësit, jo vetëm ato të Britanisë por edhe të shteteve Europiane, morën vendime që sollën një kasaphanë të tillë rrënqethëse.

“Argumentet mbi nderin natyrisht tingëllojnë sot njësoj siç tingëlluan më 1914, por mund të të duhet të paguash një çmim tepër të lartë për të mbajtur nocionion e nderit dhe mendoj se Britania e bëri.”

Ai pranon se nëse Britania nuk hynte në luftë më 19914, ajo do të kishte injoruar detyrimin e vet për të ruajtur neutralitetin e Belgjikës. “Por vrite pak mendjen! Realizmi në politikën e jashtme ka një traditë të gjatë dhe të dalluar, jo së paku në Britani. Për Britaninë në fund do të qe shumë më mirë nëse do të mendonte në termat e interesit kombëtar se sa në termat e një traktati.”

You may also like...