IMEI, fshatari i përgjuar duke bërë seks dhe taksa

Big BrotherDitar i punës së përditshme dhe të mërzitshme të çdo gazetari

Ndërsa kryeministri na tregonte këtë përrallën me fizarmoniçist fshati javën e shkuar, kur po prezantonte reformën në arsimin e lartë, disa çuna, ekspertë teknologjie, kishin një shqetësim tjetër. IMEI. Qenka një numër në çdo aparat celular. Qeveria ka urdhëruar që çdo numër i tillë në çdo aparat celular të regjistrohet. Rrugës për regjistrim, çdo shqiptari do t’i mbahet një taksë, 500 lekë për regjistrim. Fillimisht qe si një tip anijeje pirate që kaloi dhe u zhduk. Nuk mora vesh se kush e kishte dhënë urdhërin e regjistrimit të IMEI-t, për çfarë arsyeje e me çfarë baze ligjore. Më thonë se qenka një vendim qeverie, VKM Nr.354, Dt.04.06.2014. Hyj te faqja kryeministria.al. Shkoj te vendimet e qeverisë. Kërkoj me të gjitha mënyrat për ta gjetur, nuk gjendet. Shkruaj site: IMEI, asgjë. Kërkoj sipas datave, asgjë. Shkoj te fletorja zyrtare, më në fund e gjej. Një vendim me nismë të përbashkët nga Ministria e Financave dhe Ministria e Inovacionit. Hap faqen e ministrisë së financave se mos gjej ndonjë sqarim. Asnjë llaf. Ministria e Inovacionit? Hiç fare. I bëj ca pyetje këtyre ministrive. Ajo e Inovacionit duket se nuk ia ka haberin se çfarë e pse e ka propozuar. Ajo e Financave jep një relacion.

Ekspertët e teknologjisë janë të alarmuar nga lehtësia me të cilën qeveria do të mund të përgjojë çdo shqiptar. Sipas tyre, tashmë shërbimi informativ i ushtrisë nuk do të ketë nevojë të shpenzojë 5 milionë dollarë për të blerë pajisje për të përgjuar opozitën. Duke patur IMEI-n, përgjimi mund të kryhet me pak mijëra dollar pajisje.

Unë jam i alarmuar nga fakti që një taksë e re, afërsiht 10 milionë dollarë në total, po u ngarkohet të gjithë shqiptarëve, veçmas taksiratit të vajtjes nëpër dyqanet e e oligopolistëve të telefonisë për të kryer regjistrimin. Imagjinoni, një katundar nga çfarëdo lloj fshati shqiptar, do të duhet të zbresë në zyrën më të afërt të oligopolistëve të celularëve, të paguajë taksën që është sa një ditë pune, si dhe t’i japë mundësinë qeverisë ta përgjojë për të mësuar nëse bëri seks me dhinë e tij apo me komshijen. “Kjo përbën rrezik për demokracinë,” thoshte njëri prej çunave të alarmuar. “Duke u zbatuar kjo VKM, organi ekzekutiv do të ketë më tepër akses dhe fuqi sesa gjyqësori”.

Nejse, qeverisë nuk i hyn në punë se me kë bëri seks fshatari. Asaj i intereson më shumë fizarmoniçisti… dhe taksa. Ah po. Taksa! Me kushtetutë, taksat vendosen në parlament. Por aktualisht, kjo VKM-ja e regjistrimit të IMEI-t, na rezulton se ka për synim vetëm të mbledhë më shumë taksa. Dhe pa kaluar ligj në parlament. Ashtu si dokumenti i reformës në arsimin e lartë, kalohet fshehtaz me shpresë se nuk do ta dallojë askush. Relacioni shpjegues i taksës së re sugjeron edhe një pistë tjetër. Thasheshemet thonë se këtë punën e regjistrimit të IMEI-t e kanë kërkuar oligopolistët e celularëve. Në fakt, këtë kërkesë njëri prej oligopolistëve e ka bërë, mbaj mend, që dhjetë vjet më parë. Shqetësimi i tyre është i thjeshtë: shqiptarët, si një popull emigrantësh, përdorin më së shumti celularë që ia dërgon vëllai, motra, kushëriri, apo celularë që i blejnë personalisht. Por ka disa, që bëjnë një krim të rëndë. Ata shkojnë në Gjermani, blejnë celularë të përdorur për pak lekë, i ndërrojnë baterinë dhe kapakun e i shesin në Shqipëri. Shqetësimi i kompanive celulare është që këta kriminelë konkurrojnë. Bëjnë madje, edhe evazion fiskal. Duke i regjistruar IMEI-t, ekskluzivisht vetëm nëpër dyqanet e oligopolistëve, shqiptarët do ta kenë shumë të vështirë ose të sikletshme të gjejnë celularë në rrugë alternative. Do ta kenë më të lehtë ta blejnë celularin te këto oligopolistë. Pastaj fillojnë llogaritë. Në Shqipëri ka mbi 2 milionë celularë, ata ndërrohen një herë në tre vjet, pra 700 mijë celularë në vit, me çmim 50, 100 apo 200 dollarë, bëjnë goxha treg. Mundet që kompanitë celularë të fitojnë po aq para duke shitur aparatët celularë sa fitojnë duke shitur shërbimet. Dhe janë evazorët më të mëdhenj fiskal në vend.

You may also like...