Investigimi, prerjet ilegale po shkatërrojnë pyjet e lashta të Ballkanit

Një hetim gazetaresk tregon se bandat po rrëzojnë parcela të stërmëdha me pyje të cilat dikur i dhanë Ballkanit emrin që ka sot.

Magda Munteanu, Kristina Ozimec, Gabriela Delova, Alisa Mysliu – Bukuresht, Shkup dhe Tiranë

Një makinë e vjetër ruse Lada ecën përmes rrugës së ngrirë në mes të pyllit ndërsa mëngjesi zbardh në luginën Sebes në malet Sureanu në Rumaninë qëndrore.

Bredhat përshpërisin nën erën e lehtë ndërsa aroma e drurit të sapoprerë lundron mbi mjegullën e mëngjesit.

Më shumë se 1 mijë metra mbi nivelin e detit, shenja e parë katastrofës shfaqet: një shpat i tërë mbulohet vetëm nga rrënjët e pemëve. Pak më tutje gjendet një varrezë trungjes që mbulon pamjen dhe sërish një tjetër.

IMG 650Në fshatin Kurmaturi, një parajsë turistike me shtëpiza të ëmbla druri, shkalla e shkatërrimit bëhet e paimagjinueshme. Sipërfaqe të stërmëdha pylli janë pastruar këtu.

Kjo ndodh për shkak se prerja ilegale e pyjeve është një biznes i madh në Rumani. Vitin e kaluar, IRTSV, agjencia për Mjedisin dhe Ndryshimin e Klimës pranë qeverisë, zbuloi se rreth 6.3 milionë metra kub dru janë prerë ilegalisht në këtë zonë. Kjo është e barabartë me 15 mijë kamionë të ngarkuar përplot, me një xhiro biznesi prej 45 milionë dollarësh.

Rumania nuk është vendi i vetëm. Në vende të tjera të Ballkanit, biznese të mëdha, zyrtarë të korruptuar, mungesa e investimeve dhe indiferenca institucionale po kombinohen për të shkatërruar burimet që i dhanë emër këtij rajoni – fjala turke Ballkan do të thotë “vargmale të mbuluara nga pyjet.”

Prerjet ilegale po kërcënojnë parqet kombëtare, po vendosin speciet e rrezikuara në rreqiqe të mëtejshme dhe po lejojnë shpeshtimin e katastrofave natyrore. Megjithëse një pjesë e madhe e prerjene shkaktohen nga mungesa e lëndëve djegëse, kriminelët e organizuar po drejtojnë biznesin.

Në Kurmaturi, një fshatar vuri në dukje mungesën e rregullave. “Është pylli i popullit,” tha ai, “ata bëjnë çfarë të duan me të.”

Gheorghe Feneser, prefekti i provincës Alba ku gjendet edhe kjo zonë, thotë se i ka shpallur luftë asaj që e quan “mafia e pyjeve” si dhe një kompanie vendëse të quajtur Trans Monica për të cilën thotë se po merr pjesë në prerjet ilegale.

Ai thotë se ka gjetur prova se në luginën Sebes dhe në malet Apuseni aty pranë, më shumë se 5.3 milionë metra kub lëndë drusore është prodhuar ilegalisht përgjatë katër viteve të fundit.

“Ndoshta, 20 deri në 25 për qind më shumë dru është prerë në Rumani nga shifrat që deklarohen zyrtarisht,” thotë ai.

Vitin e kaluar, një sasi e vogël druri të paregjistruar i prerë nga Trans Monica u zbulua në impjantin e përpunuesit më të madh të drurit në Rumani, kompanisë austriake Holzindustrie Schëeighofer.

Pavarësisht zbulimit, autoritetet nuk ia kanë dalë të gjejnë ndonjë aktivitet më të madh ilegal nga Trans Monica apo nga ndonjë kompani tjetër pyjore. Gjykatat kanë hedhur poshtë dy padi kundër firmës, pronari i së cilës mohon akuzat.

“Unë nuk kam dijeni për ndonjë prerje ilegale pyjesh në Kurmaturi,” tha pronari i Trans Monica, Petru Cernat. “Nëse ka patur prerje atje, jam i sigurtë se ka qenë e ligjshme.”

Rumania zyrtarisht pret 203 milionë metra kub dru çdo vit. Bazuar në vlerësimet e Feneser, mbi 120 mijë kamionë të tjerë me dru qarkullojnë ilegalisht çdo vit. Kjo përbën një xhiro prej 350 milionë dollarësh për biznesin ilegal të drurit në Rumani.

Shifrat e mbledhura nga një hetim nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, (BIRN), tregojnë se ky problem gjendet në të gjithë rajonin, ku parcela të mëdha pyjesh me përmasat e qyteteve të tëra priten çdo vit.

Në Shqipëri, në perëndim, një sipërfaqe më e madhe se sa kryeqyteti Tiranë, u pre ilegalisht në vitin 2011, sipas vlerësimeve.

Në Maqedoninë fqinje, shifrat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2012 u pësua një humbje më e vogël nga prerjet ilegale, por sërish shifra finale qe tre herë më e lartë se më 2008. Sipas vlerësimeve të publikuara nga Qendra Rajonale e Mjedisit në 2010, rreth 5 mijë kamionë janë ngarkuar me dru të prerë ilegalisht çdo vit.

Një pjesë e problemit gjendet te mungesa e kontrollit mbi territorin.

Agjencia ITRSV e Rumanisë thotë se ka shumë pak njerëz në terren. Rojet e pyllit të cilët fitojnë vetëm 270 dollarë në muaj kanë për detyrë të monitorojnë rreth 500 hektarë pyje secili, pa patur makina, armë apo sisteme të pozicionimit global si dhe pa të drejtë për të arrestuar apo për të gjobitur shkelësit.

Rreth 400 zyrtarë që monitorojnë aktivitetet e mbi 5 mijë kompanive pyjore nuk kanë pajisjet e nevojshme matëse për të verifikuar nëse letrat që lejojnë prerjet e ligjshme përputhen me sasinë e drurit që gjendet në kamionë apo magazina.

Në Shqipëri, rojet e pyllit parapëlqejnë të mbyllin sytë përballë shfrytëzuesve ilegalë të pyjeve, të cilët shpesh janë të dhunshëm.

Rojtarët e pyjeve që folën në kushtet e anonimatit thanë se qenë të detyruar të patrullonin qindra hektarë me pyje dhe të përballeshin me kriminelë të organizuar dhe të dhunshëm duke qenë të armatosur vetëm me blloqet e gjobave.

“Unë kam fëmijë në shtëpi dhe ata duan të kenë një baba dhe kanë nevojë për bukë në tavolinë,” tha një rojtar. “Kështu në disa raste ne shohim nga ana tjetër, jo sepse na paguajnë, por sepse na rrezikohet jeta.”

Në Parkun Kombëtar të Lurës në Shqipëri, dy roje pylli kanë përgjegjësinë të ruajnë rreth 10 mijë hektarë pyje.

Zona më e shkatërruar është Liqeni i Lileve, ku sipërfaqe të mëdha pyjesh janë zhdukur. Pamje satelitore ndihmojnë për të kuptuar shkallën e shkatërrimit përgjatë 20 viteve të fundit.

Shifra zyrtare të marra nga BIRN sugjerojnë se në vitin 2011, deri në 14 milionë metra kub pemë u prenë ilegalisht në Shqipëri – e barabartë me 4600 hektarë ose sa sipërfaqja aktuale e Tiranës.

Vlerësimet janë nga raporti zyrtar i hartuar nga Arsen Prko, në atë kohë drejtor i Pyjeve në Ministrinë e Mjedisit.

Duke u përballur me shkallën e problemit, ministri i ri i mjedisit Lefter Koka, ka urdhëruar ndalimin e eksportit të qymyrit të drurit dhe po mendon për një moratorium të plotë për prerjen e pyjeve për pesë vjet. Sërish, prerja ilegale e pyjeve vijon.

Në Maqedoni, rojet e pyllit janë përballur me shkëmbim zjarri me prerësit e paligjshëm.

Ljuboten, një fshat në veri të kryeqytetit Shkup, qe një prej skenave më të dhunshme në konfliktin e shkurtër të Maqedonisë në vitin 2001 mes luftëtarëve etnikë shqiptarë dhe forcave maqedonase.

Në tetor, dhuna u rikthye në fshatin malor kur druvarët ilegalë hapën zjarr ndaj policisë pyjore pasi iu kërkua të tregojnë dokumentet.

Megjithëse situata në Ljuboten që nga ajo kohë është qetësuar, fshatarët thonë se kamijonë me dru sërish kalojnë aty çdo natë.

Mungesa e ndëshkimit është një problem tjetër.

Në Rumani nuk ka patur arrestime për prerje ilegale pyjesh, diçka që aktivistët besojnë se nuk mund të bëhet pa ndihmën e zyrtarëve.

Në përpjekje për të luftuar problemin, autoritetet kanë punuar për të ndryshuar ligjin për pyjet, i cili përcakton se si prite, transportohet e tregohet lënda drusore.

Një pjesë kyçe e rregullave të reja synojnë të trajtojnë përdorimin me mashtrim të lejeve të trasportit, mjeti kyç që lejon druvarët e paligjshëm të “pastrojnë” drurin e prerë ilegalisht.

Kompani fantazmë aplikojnë për leje transporti për t’i shitur ato 30 dollarë copa, mësoi BIRN.

Sapo druvari ilegal siguron lejen, druri i prerë prej tij bëhet i ligjshëm dhe mund të transportohet në 72 orët që pasojnë deri në destinacion. Nëse policia nuk e ndalon atë për të shënjuar transferimin, transportuesi mund ta ripërdorë të njëjtën leje për më shumë udhëtime gjatë kësaj periudhe.

Gjithsesi, ministrja në detyrë për reformën, Lucia-Ana Varga, humbi vendin e saj të punës në ndryshimet e qeverisë që ndodhën sëfundmi dhe ligji i ri raportohet se është vendosur në raft për momentin.

Jovan Mazganski, një ekspert maqedonas nga shoqata mjedisore Eko-skop, beson se rritja e prerjeve ilegale në vendin e tij mund të ketë ndodhur vetëm me ndihmën e autoriteteve.

“Ajo që është më keq është se brenda këtyre grupeve që merren me prerjen ilegale të pyjeve,” thotë ai, “ka disa  njerëz që supozohet se duhej ta mbronin pyllin.”

“Zyrtarët ose qëndrojnë në heshtje mbi këtë praktikë ose janë përzjerë në të, duke treguar se ka korrupsion në shkallë të gjerë në sektorin pyjor,” shton ai.

Kontrollet e dobëta kufitare po ndihmojnë edhe zhvillimin e biznesit ndërkufitar të prerjes ilegale të pyjeve.

Nenad Kocik, president i grupit mjedisor maqedonas Vila Zora, thotë se operacionet e policisë janë shumë të pamjaftueshme.

“Dhjetëra kodra po shpyllëzohen totalisht dhe ne besojmë se zyrtarët duhet ta ndryshojnë menjëherë ligjin për shkak se ndëshkimet aktuale janë tepër të buta,” thotë ai.

Shanset gjithsesi janë të pakta.

Me përfitime të stërmadha të realizuara nga shfrytëzimi ilegal i pyjeve të lashta, mjedisorët kanë frikë se masat gjysmake, premtimet e pambajtura dhe pasiviteti do të lejojnë që sharrat të vijojnë të presin.

Autorët kanë marrë financime për këtë artikull si pjesë e Shkollës Verore të Gazetarisë Investigative të BIRN, 2013.

You may also like...