Ish kryeministri rumun në burg për korrupsion, a mund ta ketë rradhën një shqiptar?

Sanader ne burg

Sanader ne burg

Nëpër qarqet diplomatike përflitet se rregull i pashkruar i BE-së për vendet e reja anëtare apo kandidatet për anëtarësim është që si simbol i luftës kundër korrupsionit, ndonjë kryeministër që e ka tepruar, të përfundojë në burg. Ky qe fati i Ivo Sanader, ish-kryeministrit kroat që u burgos për ryshfet, por edhe pastrim parash dhe krijim organizate kriminale.

 

Gjykata konkludoi se ai kishte krijuar një rrjet korruptiv kompanish që vidhnin buxhetin e shtetit për të financuar partinë e tij. Por pak para anëtarësimit të Kroacisë në BE, Sanader u arrestua dhe u dënua. Mes të tjerash, ai u dënua për ryshfet të marrë në vitin e largët 1995.

Ky qe edhe fati i ish-kryeministrit të Rumanisë, i cili u dënua sot (6 janar) për herë të dytë, me katër vite të tjera burg për marrje ryshfeti, bën të ditur BBC.

Nastase

Nastase

Nastase u dënua edhe me tre vjet të tjera për shantazh, gjithsej shtatë. Ai kishte dhjetë muaj që qe liruar pasi vuajtu dy vjet burg për akuza të ngjashme. Bashkë me të u dënua edhe bashkëshortja e tij, Dana Nastase. Ajo mori tre vjet burg me kusht.

Sipas gjykatës, Nastase, 63 vjeç, pati marrë materiale ndërtimi kineze dhe mobilje me vlerë 630 mijë euro nga një sipërmarrëse ndërtimi, Irina Jianu. Në këmbim të ryshfetit, Jianu qe emëruar drejtuese e Inspektoriatit Shtetëror Ndërtimor. Jianu sakaq është në burg për pagesë ryshfeti për Nastasen.

Nastase u dënua edhe për faktin se shantazhi një ish konsull të Rumanisë në Kinë në lidhje me disa biznese kineze. Ai mohon akuzat, duke thënë se ato janë të motivuara politikisht. Rumania u anëtarësua në BE më 2007 por mbetet nën monitorim special nga Brukseli për shkak të shqetësimeve për korrupsion në nivel të lartë.

Pyetja e madhe është se mos në vende të tjera anëtare të reja apo kandidate për anëtare, presioni i BE-së do të mund të sjellë në fund, një ish-kryeministër të gjykuar dhe dënuar. Ka shumë të tillë në Bullgari, Maqedoni, Kosovë e Shqipëri që kanë arsye të tremben. Për popujt e Ballkanit, burgosja e kryeministrave të korruptuar mund të jetë dhurata më e mirë që Brukseli mund të bëjë.

You may also like...